Futboll

Ringritja dhe stadiumi, Milan e ka gati planin

Gjatë paradites së kësaj të enjte Milan ka mbajtur takimin e aksionerëve. Pas mbledhjes që nuk ka zgjatur shumë dhe ku është miratuar buxheti për vitin e ardhshëm ka folur presidenti Paolo Scaroni. Në fjalën e tij kreu i klubit “kuqezi” është ndalur në disa pika të veçanta, duke filluar që nga dënimi i pritshëm nga UEFA, ringritja dhe deri tek plani për ndërtimin e një stadiumi të ri.

Masat nga UEFA

Në verë Milan i shpëtoi dënimit nga Uefa për shkak të ndërhyrjes së pronaarve të rinj amerikan të Fondit Elliot. Por kjo lëvizje ishte e përkohshme për klubin milanez, pasi Uefa do të marrë një tjetër vendim në fund të këtij sezoni nëse sërish gjendja nuk ka ndryshuar. "Jemi në pritje të vendimit nga Uefa, pasi mund të ketë edhe një pezullim të premiove. Nuk mund të bëjmë plane afatgjata, pasi jemi në pritje të dënimit nga Uefa.”- ka deklaruar presidenti i Milan, Paolo Scaroni.

Stadiumi i ri

Scaroni pas mbledhjes së aksionerëve të Milan ka folur edhe për çështjen e stadiumit të ri të Milan. Ndërtimi i një shtëpie të re për klubin kuqezi ka shumë vite që po përflitet, madje ish-presidenti Berlusconi paraqiti edhe projektin, i cili për momentin ka mbetur vetëm në letër. “Sigurisht, të pasurit një stadium individual dhe modern është thelbësore për atë që ne duam të ndërtojmë te Milan. E kemi marrë në duar këtë problem dhe jemi duke punuar. Fillimisht jemi duke diskutuar me Inter dhe Bashkinë për një zgjidhje që ka të bëjë me stadiumin “San Siro”. Por sipas parashikimeve tonë, unë jam i sigurt që rreth fundit të këtij sezoni ne do të kemi një rrugë të hapur për këtë çështje që na shqetëson të gjithë, por më shumë tifozët tanë të shumtë.”- ka thënë numri një i Milan.

Sponsorë të rinj dhe ringritja

Milan sezonin e shkuar ndryshoi sponsorin e përgjithshëm të veshjeve, duke kaluar nga kompania gjermane Adidas tek amerikanët e Nike, që nuk u pëlqye shumë nga tifozët. Scaroni u shpreh se për këtë pikë nuk u fol shumë, pasi marrëdhënia me sponsorët do të varet shumë nga rezultatet që do të marrë ekipi në fushën e lojës. “Për këtë çështje në fakt nuk kam shumë për t’ju komunikuar. Nuk ka shumë levije në hyrje sa i përket sponsorëve të rinj. Është një çështje thelbësore për rritjen e Milan, por janë shumë shkallë për t’u ngjitur. Ky lloj raporti është në varësi të rezultateve sportive që ne do marrim në vijim. Në për momentin në nivelin e përfitimeve jemi njëlloj me ato që fitonim në vitin 2003.”- ka thënë presidenti i klubit me seli në rrugën Aldo Rossi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë