Janë mbyllur tre ndeshjet e para të javës së shtatë të Kategorisë Superiore. Në të treja sfidat që janë zhvilluar në orare të njëjta, ka pasur gola dhe ritëm të kënaqshëm, por gjithashtu nuk kanë munguar as surprizat. Befasi ka qenë humbja e Flamurtarit në Laç, me kurbinasit që mbeten e vetmja skuadër në këto 7 javë në Superligë që nuk kanë pësuar asnjë humbje. Nga ana tjetër, Tirana është rikthyer te fitorja pas humbjes në derbi, duke mposhtur Kastriotin në Fushë Krujë në shifrat 2-3. Tek tre pikët është rikthyer edhe Luftëtari që ka mposhtur në shtëpi, Kamzën me rezultatin e ngushtë 1-0.

Mund ta quajmë fortesa e Kurbinit tashmë, pasi u bën 7 javë që Laçi nuk njeh humbje në këtë kampionat. Bardhezinjtë janë të vetmit që kanë këtë bilanc, të cilin kanë arritur ta ruajnë edhe përballë një ekipi si Flamurtari që nisej me objektivin për të marrë marrë tre pikët në këtë ndeshje. Sfida në Laç pati një ritëm të lartë dhe luftë përgjatë gjithë 90 minutave. Vendasit me organizim perfekt dhe agresivitetin karakteristik nuk kanë lejuar vlonjatët që të dalin në lojën e tyre.
Për të ardhur te goli në minutën e 59’, në pjesën e parë të dyja skuadrat patën shumë raste që i shpërdoruan. Për Laçin, ai që shënoi ishte Gjonaj, i cili e çoi topin në rrjetë pas një skeme perfekte të vendasve, që zuri në befasi skuadrën e Ilir Dajës. Me këtë fitore Laçi tashmë shkon në kuotën e 13 pikëve, po aq sa kanë edhe Kukësi me Partizanin. Ndërsa Flamurtari vijon të tregojë paqëndrueshmëri, pasi në katër javët e fundit ka tre humbje dhe vetëm një fitore ne Kastriotin.

Duket se pa u mbyllur mirë faza e parë e këtij kampionati po mësojmë emrin e skuadrës së parë që do të bjerë nga kategoria. Është Kastrioti, skuadra më e dobët e kampionatit në këto javë të para, që këtë të mërkurë është mposhtur nga Tirana në shifrat 2-3. Në ndeshjen e zhvilluar në Fushë Krujë, bardheblutë kanë bërë një ndeshje të mirë, duke lënë kështu pas humbjen në derbi me Partizanin. Edhe pse me një kundërshtar ndjeshëm më të dobët, Tirana sërish ka vuajtur për të marrë tre pikët. Të parët që kaluan në avantazh ishin krutanët, që shënuan me anë të Bardhit. Por pas këtij goli Tirana reagoi menjëherë, duke barazuar dhe kaluar në avantazh në harkun e 7 minutave.

Në pjesën e dytë, Tirana administroi më mirë lojën, duke shënuar edhe golin e tretë. Pavarësisht se vendasit tentuan të reagojnë duke shënuar 10 minuta para fundit, ndeshja nuk kishte më kthim pas dhe Tirana koleksionon kështu tre pikë shumë të rëndësishme. Tashmë kryeqytetasit shkojnë në vendin e 7 me 8 pikë dy më shumë se Kamza. Ndërsa Kastrioti do duhet të bëjë diçka për të ndryshuar gjendjen, pasi me pikët që ka dhe lojën që tregon në fushë, është skuadra e parë pretendente për të rënë nga kategoria.

Nëse Kastrioti vijon zhytjen në fund të tabelës, Luftëtari ka filluar të reagojë. Gjirokastritët pasi ndryshuan trajner, duke larguar Kostiç dhe ulën në stol Mezanin janë rikthyer te fitoret. Me Kamzën, një rivale e drejtpërdrejtë në luftën për mbijetesë, Luftëtari është treguar shumë cinik por edhe luftarak. Mjaftoi një gol i Rapo që bluzinjtë të marrin tre pikët që i barazojnë me Kamzën në renditje. Ndeshja mes dy skuadrave rivale në luftën për të mbijetuar në Superligë nuk kishte shumë ritëm të lartë, por u luftua për çdo top deri në fund. Me Klodian Duron në stol, Kamza ka koleksionuar kështu humbjen e tretë radhazi dhe gjendja bëhet akoma më e vështirë, duke parë edhe nivelin e kundërshtarëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.