Editorial

Rinasi, vjedhja më e vogël

Vjedhja e fundit e parave të bankave, brenda aeroportit të vetëm ndërkombëtar në Rinas, objekt i rëndësisë së veçantë, në barkun e avionit gati për nisje, është një ngjarje e rëndë. Aq e rëndë sa na e shkërmoqi shtetin tonë prej rëre, përpara syve.
Kjo është hera e dytë pas dy vjetësh, që vidhet sërish gati në të njëjtën mënyrë, ku hajdutët futen deri në pistë.
Ndoshta secili shqiptar nuk ka nevojë për ngjarje të tilla që ta kuptojë dobësinë e shtetit. Por, akti i fundit na dha një tjetër dimension fatkeq dhe ndoshta më tronditës se i pari.
Me furi, shumë të sinkronizuar, deputetë, ministra të mazhorancës dhe kryeministri drejtuan gishtin e fajit vetëm te koncesionari kinez i aeroportit. I thanë “boll e teprove” sepse nuk ka plotësuar asnjë nga kërkesat e shteti shqiptar, nga rekomandimet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare deri tek ato të Drejtorisë së Aviacionit Civil për të rritur sigurinë, të paktën që pas vjedhjes spektakolare të herës së parë.
Hetimet sapo kanë nisur dhe nëse do të dalë i fajshëm ky koncesionar ashtu siç pretendohet, atëherë lindin disa pyetje: Çfarë është ky koncesionar që sfidon kaq hapur edhe kryeministër dhe president? Sa i madh e i fuqishëm qenka ky për të paktën dy vitet e fundit ( koha mes dy vjedhjeve) që shpërfill çdo ligj? Pse shteti ynë nuk mundej ta detyronte dhe pse asnjëherë nuk i tregoi publikut për këtë “karshillëk” antiligjor të pretenduar?
Koncesionari i aeroportit “Nënë Tereza” pati në 2017 një fitim neto prej 2.2 miliardë lekësh ose 22% më shumë se 2016-a dhe me normë fitimi prej 47%, më e lartë se në 2016-n, rezultat rekord. Nëpër të kalon e paguan gjithë Shqipëria përmes biletave më të shtrenjta në Europë. Ai është i madh. Por, a është kjo shumë që tundon dhe gjunjëzon shtetin? A është vetëm ky koncesion që tregon pafuqinë tonë përballë pronarëve private të përfitimit të pasurive kombëtare?
Në Shqipëri ka të tjera koncesione skandaloze e që e kanë gjunjëzuar shtetin. Kemi koncesionin e turpshëm të skanimit në dogana që edhe pse nuk e kryen këtë shërbim, ai vazhdon të paguhet nga buxheti, duke krijuar një biznes që vlerësohet minimalisht rreth 390 mln euro. Edhe pse shërbimi nuk ekziston, parlamenti shqiptar nuk e shfuqizon dot? Kemi koncesionin e ngjyrosjes së karburantit, i cili bllokoi tregun dhe vuri në rrezik sigurinë kombëtare sepse kërcënoi qeverinë që të paguhej më shtrenjtë. Ai arkëton rreth 6.5 euro për ton të zhdoganuar. Kemi edhe koncesione të tjera në dukje jo kaq të “rrezikshme” sa Rinasi, por që arkëtojnë para publike në përmasa të frikshme kundrejt varfërisë së shqiptarëve dhe mundësive të buxhetit të tyre. Vetëm 16 koncesionet më të mëdha të vendit nga rreth 200 të tilla, patën xhiro vjetore në 2017-n, rreth 475 milionë euro ose sa 3.3% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar.
Kemi aq shumë koncesione sa vetëm në 2019-n parashikohet që të paguajmë nga taksat tona rreth 125 milion euro, ndërsa në 2021-shin, i gjithë borxhi publik do të shkojë për të paguar koncesionet dhe jo për shërbime të tjera si arsim, shëndetësi, rrugë, etj. Këto shuma të mëdha e mundin shtetit, pasi shteti janë ata vetë. Praktikisht, Shqipëria jonë është shitur dhe duket s’ka vend për qytetarin e thjeshtë.
Koncesionet, nga një instrument që duhej të kthehej në përfitim për publikun, tani janë kërcënimi më i madh i sigurisë dhe shtetit. E kanë kapur atë aq keq sa shteti duket i pafuqishëm dhe që shkërmoqet lehtë përballë tyre.
Vjedhja në Rinas na tregoi këtë herë këtë dimension. Nuk është koncesioni, por pazari që shteti bën me të. Ndaj ndihet i pafuqishëm kur gjëma ndodh. “Boll më, limitet kanë kaluar”.

Më Shumë