Rend dhe Ligj

4 arrestime për 10 mln euro, aksioni zgjerohet nga Elbasani në Krujë

Elbasan, Tiranë, Fushë-Krujë dhe Krujë janë tre qytetet ku është shtrirë operacioni policor për prangosjen e personave të dyshuar si autorë të grabitjes së 10 milionë eurove në ngjarjen e ndodhur më 9 prill brenda Aeroportit të Rinasit.

Deri më tani katër persona kanë përfunduar në pranga, tre prej tyre në Elbasan dhe një në lagjen Çitozë në Krujë. Në Elbasan u prangosën shtetasit Saimir Çala, Renaldo Sula dhe Alkond Bengasi. Bengasi, 34 vjeç rezulton person me precedentë penalë, pasi në të shkuarën është dënuar për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike.

Veç kësaj, 34-vjeçari mendohet se ka njohje të vjetër me Klement Çalën, me gjasë që në periudhën kur ky i fundit ushtronte aktivitetin e tij kriminal në Greqi.

Në Krujë u arrestua gjatë një operacioni të zhvilluar në mbrëmjen e së dielës Oltion Veseli, 38 vjeç. Ai u prangos pas shoqërimit që iu bë së bashku me dy vëllezërit e tjerë. Masa e arrestit iu komunikua vetëm 38-vjeçarit, që rezulton i lidhur me Dashamir Kupën si bashkëaksioner i një picerie.

Arrestimet pasuan vazhdën e hetimeve dhe dyshime të prokurorëve se automjeti që u përdor për të kryer grabitjen me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” është modifikuar në një pikë servisi në qytetin e Elbasanit.

Hetuesit kanë gjetur edhe dhjetëra gjurmë në automjetin që grabitësit nuk e dogjën dot, por edhe kanë sekuestruar pamjet e dhjetëra kamerave të sigurisë të cilat janë zbardhur në laboratorin e kriminalistikës. Mes të hetuarve nuk përjashtohet edhe një femër, që mesa duket ka luajtur një rol ndihmës në arratisjen e Klement Çalës dhe miqëve të tij.

Tre personat e arrestuar në Elbasan mendohet se kanë dijeni dhe kanë ndihmuar grabitësit, por për momentin nuk dyshohet se kanë qenë aktivë në grabitjen në fjalë. Por, policia dyshon se Oltion Veseli, i arrestuar në Krujë është njëri prej personave që ka marrë pjesë në grabitjen e Qafë-Kasharit në 2017 dhe të kësaj të fundit, ku mbeti i vrarë Admir Murataj. Rrethanat e vrasjes së tij mbeten misterioze. Policia njoftoi se makina e grabitësve është ndjekur nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe policia kufitare e Rinasit përgjatë një rruge dytësore, ku pas shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vdekur njëri prej autorëve të grabitjes, që më pas u mësua se ishte Admir Murataj.

Por, familjarët e Admir Muratajt, person në kërkim që prej 2013 nga Shqipëria dhe Greqia, dyshojnë se ai është vrarë nga policia. Ata hamendësojnë se i afërmi i tyre mund të jetë ekzekutuar nga njëri prej anëtarëve të grupit.

Ndërkohë, hamendësohet se mes të arrestuarve është edhe vetë Klement Çala, personi më i përfolur aktualisht si ideatori i grabitjes pas Admir Muratajt. Por, zyrtarisht të ndaluarit janë vetëm katër personat e mësipërm dhe jo 31-vjeçari nga Elbasani.

https://twitter.com/ediramaal/status/1120289596124930048

Lajmi për arrestimet është përshëndetur nga Kryeministri Edi Rama përmes rrjeteve sociale. “Ndalimi i 4 personave të përfshirë në grabitjen e aeroportit, një zhvillim inkurajues në rrugën e ndalimit dhe ndëshkimit ligjor të të gjithë autorëve të krimit”, shkruan ai.

Rama i cilëson arrestimet si përgjigjia më e mirë ndaj asaj që e quan baltosje që mbërrin nga opozita. Nga opozita nuk mendojnë kështu Sali Berisha i cili ironizon dhe thotë se operacioni është jo vetëm fasadë, por i shtirur për të mbuluar grabitjen dhe autorët e vërtetë të saj.

“Prej katër ditësh, për të maskuar grabitjen shtetërore të shekullit në Rinas, narkopolicia me urdhër të Noriegës dhe Gjeneral Kanabisit, badiguardi i Eskobarit, ka nisur operacioni me emër të koduar ”Fredi Alizoti”. Për këtë qëllim, pasi e informuan të zhdukej, shpallën në kërkim Klement Çalën dhe tani janë vërsulur në arrestime të të afërmve të Çalës, njerëz që në jetën e tyre nuk kanë të regjistruar ndonjë shkelje ligji, por me shpresën e pashuar se ndonjëri prej tyre do të pranojë të luajë rolin e Fred Alizotit, pra të bëjë dëshmi të rreme në aferën e grabitjes shtetërore të shekullit në Rinas, njëlloj si Alizoti në rastin e Agron Xhafës”, shkruan Berisha në në rrjetet sociale.

https://www.facebook.com/SaliBerisha/posts/1256626787831559

Ish-Kryeministri akuzon se njerëz me uniformë janë vënë në lëvizje për të fshehur eurot.

Grabitja e 9 prillit është e dyta e ndodhur brenda rrethimit të aeroportit, pas asaj të ndodhur në qershor të 2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë