Ne rrjet

“Rimarrja”e Luginës së Preshevës, rezoluta në parlament

Një rezolutë e propozuar nga Presidenti Hashim Thaçi që kërkonte bashkimin e komunave serbe me shumicë shqiptare me Kosovën shkaktoi reagime të forta në parlamentin e Kosovës. Deputetët diskutuan si rrallëherë mbi projekt-rezolutën e Thaçit për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovci.

"Institucionet e Republikës së Kosovës, përmes kësaj rezolute, janë të detyruar të respektojnë vullnetin politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës për bashkim me Kosovën, të shprehur në referendumin e vitit 1992 dhe me luftën e Ushtrisë Çlirimtare Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, "theksonte projekt-rezoluta. "Kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë kërkesa që ndihmojnë stabilitetin afatgjatë të rajonit dhe kontribuojnë në vendosjen e paqes afatgjatë në rajon," shton ajo.

Rezoluta e Thaçit u propozua gjatë një seance të jashtëzakonshme të mbajtur për të diskutuar situatën në tre komunat serbe. Deputetët ranë dakord se situata për banorët e Luginës së Preshevës po përkeqësohej dhe se institucionet e Kosovës duhej të merrnin masa për ta trajtuar këtë.

Ata gjithashtu mbështetën idenë se çështja e Luginës së Preshevës duhet të bëhet pjesë e negociatave të vazhdueshme ndërmjet BE-së për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.

"Sa shumë të drejta që kenë serbët në Kosovë, aq edhe të drejta duhet t'u jepen edhe shqiptarëve që jetojnë në luginë", tha Nait Hasani, deputety nfa Partia Demokratike e Kosovës gjatë seancës parlamentare. Koalicioni qeverisës në Kosovë nuk ka shumicën në parlament kështu që rezoluta duket nuk ka gjasa të kalojë në ditët në vijim.

Në një referendum lokal në Luginën e Preshevës në vitin 1992, shumica e qytetarëve votuan për autonomi territoriale dhe të drejtën për t'u bashkuar me Kosovën. Vota nuk u njoh si e vlefshme nga Beogradi apo nga bashkësia ndërkombëtare.

Zoran Stankoviç, kreu i organit të qeverisë serbe për Bujanovc, Preshevë dhe Medvegjë, hodhi poshtë nismën e Thaçit."Kam thënë një milion herë se Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë pjesë e Serbisë dhe se do të qëndrojnë ashtu," tha Stankoviç.

Një reagim i ashpër ka ardhur edhe nga Drejtori i të ashtuquajturës, Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, i cili ka deklaruar se Thaçi konfirmoi sot se papërgjegjshmëria është emri i dytë i politikës së tij.

Në një deklarate me shkrim ai shprehet se përhapja e ëndrrave të “rreme” nga presidenti i Kosovës sjell përshkallëzimin e urrejtjes dhe mosbesimit midis banorëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
“Në Preshevë, ku jetojnë kryesisht shqiptarë, Bujanovci, ku më shumë se gjysma e popullsisë përbëhet nga serbë dhe në Medvegjë, ku shqiptarët jetojnë në një numër simbolik, bashkëkombësit e Thaçit jetojnë në paqe dhe marrëdhënie normale me fqinjët e tyre serbë”, shtoi ai. “Kështu ishte, kështu është sot dhe kjo do të jetë përgjithmonë “, thekson Gjuric. “Idetë e Thaçit për përhapjen e të ashtuquajturës Shqipëria e Madhe janë pjesë e projekteve shoviniste të errëta dhe të përhershme dhe askush as shqiptarët e Serbisë qendrore mund të përfitojë nga ideologjitë e urrejtjes”, shton ai.

Thaçi kishte kërcënuar disa muaj më parë se nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të marrë parasysh një marrëveshje të pritshme me Serbinë (e cila gjithnjë e më shumë po ravijëzohet rreth shkëmbimit të territoreve), ai do të japë dorëheqjen, për ta dërguar këtë kërkesë më pas për referendum.

Por rezoluta e tij duket se ka ndezuar edhe njëherë tensionet mes presidentit dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili është zotuar se sa të jetë ai kryeministër, nuk do të ketë ndryshime kufijsh.

Hashim Thaçi


“Kritikët të mos mendojnë se do të shkel Kushtetutën. Mund të arrijmë marrëveshjen, e cila do t’i propozohet më pas Kuvendit të Kosovës. Nëse Presheva, Medvegja dhe Bujanovci i bashkëngjiten Kosovës me marrëveshje, dhe Kuvendi i Kosovës nuk e aprovon, unë jap dorëheqjen ose shpall referendum”, ka deklaruar Thaçi.

“E di që në referendum fitoj 80%, sepse të gjithë qytetarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc e përkrahin bashkimin me Kosovën, dhe se rreth 75-80% e qytetarëve të Kosovës e mbështesin këtë vendim. Kështu që unë po përçoj vetëm vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe të Preshevës”, është shprehur ai.

Nuk duhet harruar se një marrëveshje e pritshme me Serbinë nuk do të prekte vetëm Luginën e Preshevës, por edhe veriun e Mitrovicës sepse ka pak gjasa që Beogradi zyrtar të lëshojë territore në këmbim të asgjëje. Por për këtë pjesë, Presidenti Thaçi “harron” të flasë dhe i kërkon me referendum popullit të shprehet vetëm për aneksim të një territori (Preshevë-Medvegjë-Bujanoc) dhe jo edhe për copëtimin e territorit aktual të Kosovës (Mitrovicë, Leposaviç, Zubin Potok etj,).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë