Pas ndeshjeve të kombëtareve të vlefshme për kompeticionin Uefa Nations League, këtë fundjavë rikthehet Superliga Shqiptare në javën e saj të nëntë. Përballjet janë të ndara si zakonisht në tre ditë, nga dy të shtunën dhe të dielën dhe sfida e fundit të hënën në mbrëmje. Ky raund i fundit e fazës së parë vjen me përballje shumë interesante dhe përcaktuese për ecurinë e kampionatit për shumë ekipe.
Java hapet me ndeshjen e së shtunës në Fushë Krujë, ku Kastrioti pret Kukësin e Armando Cungut. Skuadra krutane deri në këtë pikë të kampionatit është më e dobëta, duke arritur të grumbullojë vetëm katër pikë. Pas humbjes së fundit me Teutën, trajneri Elvis Plori kërkoi dorëheqjen, por që u refuzua nga ana e presidentit dhe ai do të vijojë të jetë në drejtimin e ekipit edhe për përballjen e kësaj jave. Nga ana tjetër Kukësi, që vjen pas dy humbjeve me Partizanin dhe Skënderbeun në javët e fundit, këtë të shtunë nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç fitores. Skuadra e Cungut me dy disfatat e fundit, u duk sikur u shkëput me kreun dhe ku ka më mirë se sa një kundërshtar si Kastrioti për të rikthyer buzëqeshjen në skuadër. Ekipi ka marrë ultimatum nga presidenti Safet Gjici, që këtë të shtunë duhet të kthehet me çdo kusht te fitorja, pasi në të kundërt do duhet të përgatiten për penalitete të rënda.
Ndeshja më e fortë e së shtunës do të luhet në Kurbin. Laçi i pamposhtur deri më tani në këtë kampionat do të presë Teutën e Blendi Shkëmbit. Në këtë javë të nëntë të Superiores, të dyja skuadrat vijnë në formë pozitive, pas dy fitoreve në javën e fundit. Laçi fitoi në transfertë me Tiranën dhe këtë herë në shtëpi me bregdetaret kërkon që të forcojë akoma dhe më tej pozitat e tij në pjesën e sipërme të tabelës. Por edhe Teuta duket se po e merr ritmin, pasi në javën para pushimit për kombëtaret, fitoi me Kastriotin dhe tashmë do të kërkojë të mos ndalet më.
Të dielën në këtë raund të nëntë të Superligës do të zbresin në fushë kampionët në fuqi dhe kryesuesit e deritanishëm të tabelës. Skënderbeu do të presë Kamzën, ndërsa Partizani do të luaj në “Selman Stërmasi” me Luftëtarin.
Korçarët këtë javë nuk kanë qenë aspak të qetë. Mes problemeve me Uefa dhe gjobës së madhe që do duhet të paguajnë, në Korçë këto ditë u shfaq edhe një problem që nuk ishte dëgjuar më herët. Lojtarët nuk kanë marrë asnjë rrogë deri më tani dhe të martën nuk dolën në stërvitje, gjë që shqetësoi shumë ambientin korçar.
Për ta zgjidhur këtë problematikë ka mjaftuar fjala e trajnerit Orges Shehi dhe grupi është përgatitur për të marrë tre pikët, përballë një Kamze shumë të uritur për pikë. Për ekipin kamzali me Klodian Duron në stol rezultati pozitiv është një domosdoshmëri, pasi në të kundërt situata do të përkeqësohej seriozisht, ku nuk do të ishte çudi nëse do të largohej sërish trajneri.
Për Partizanin që kryeson kampionatin prej dy javësh, tashmë fillon pjesa më e vështirë. Të vijojë ta mbrojë këtë vend të parë deri në fund të kampionatit, për ta çuar pas më shumë se 25 vite titullin kampion në shtëpinë e “demave”. Skënder Gega ka pasur disa shqetësime gjatë kësaj jave me lojtarë titullarë që kanë pasur disa probleme fizike, por tashmë mund të jetë i qetë, pasi çdo gjë është rikthyer në normalitet. Kryeqytetasit duhet të tregohen të kujdesshëm, pasi Luftëtari ka hedhur pas krahëve vuajtjet e fillim sezonit dhe tashmë ka në stol një ekspert si Gentian Mezani. Me teknikun vlonjat një stol, “bluzinjtë” kanë treguar tjetër nivel dhe mund t’i bëjnë keq çdo ekipi në Superligë. Ndryshe nga java e tetë, këtë herë Partizani luan të dielën pasdite, ku edhe tifozët nuk mund të ankohen për orarin, por thjesht duhet të mbushin “Selman Stërmasin”.
“Ëmbëlsira për në fund”, kështu mund të quhet kryesfida e kësaj jave mes Flamurtarit dhe Tiranës në Vlorë. Është një ndeshje që i ka të gjitha brenda. Luhet për Kupat e Europës, dy miq në pankina sfidojnë njëri tjetrin, por skuadrat përballen edhe për prestigj. Ardian Mema, trajneri i ri i Tiranës e nis aventurën e tij në stolin bardheblu pikërisht nga aty ku u largua. Ai deri para një jave ishte zëvendës trajneri i Flamurtarit dhe tashmë do të kërkojë ta mposhtë ekipin vlonjat, duke dashur të përfitojë nga fakti që e njeh mirë nga brenda. Por edhe për Ilir Dajën kjo sfidë me Tiranën është gjithmonë e veçantë, për atë që ka kaluar në këtë klub, por edhe për mënyrën se si e larguan rreth tre vite më parë. Të dyja skuadrat vijnë në një moment shumë delikat në këtë sfidë, Tirana, pas dy humbjeve dhe Flamurtari, pas një disfate dhe një barazimi. Në ndeshjen e së hënës të dyja ekipet do të kërkojnë të bëjnë kthesën dhe pritet një rivalitet i madh në fushën e lojës.
Tabela e ndeshjeve të javës së nëntë të Superligës:
Kastrioti - Kukësi
Laçi - Teuta
Skënderbeu - Kamza
Partizani - Luftëtari Flamurtari - KF Tirana
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.