Ngjarje

Rikthehet Shën Thanasi – Kisha që u ngrit dy herë nga rrënojat

Suadela Balliu  - Në dy vite, kur aty kishte vetëm një pirg gurësh e betoni të mbetur prej shembjes, në gushtin e 2015-ës, mesha në atë që ishte dikur Kisha e Shën Thanasit, në qendrën e vjetër të fshatit Dhërmi, nuk u ndal kurrë. Prifti i zonës dhe vendasit, që e kishin mbrojtur e ruajtur nga shembja verën e tre viteve të shkuar prej punonjësve të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor, do të mblidheshin tek rrënojat sa herë do të kishte ditë shenjtësh apo festa të rëndësishme për të kremtuar.

Nuk do të qe hera e parë; më të vjetrit e fshatit e mbajnë mend sesi luteshin fshehurazi në rrënoja, pas vitit 1972, ku shkatërrimi i godinës së kultit të ritit ortodoks do të qe një nga shembujt se kishte nisur reforma e frikshme e çrrënjosjes së besimit fetar në republikën që synonte të ndërtonte njeriun e ri, larg asaj që cilësohej si “opium për popullin”.

“Është hera e parë në historinë shqiptare që një kishë të shkatërrohet dy herë. Nuk ka ndodhur me asnjë kishë tjetër ortodokse”, rrëfen Gentian Stratoberdha, arkitekt, restaurator dhe drejtor për Trashëgiminë në Kishën Ortodokse, ndërsa shton se ka udhëtuar shpesh drejt Dhërmiut për t’i ndjekur nga afër punimet për rindërtimin e kishës së Shën Thanasit, të cilat shton ai, kanë ardhur në fazën përfundimtare.

Fotografi e kishës së Shën Thanasit, para se të shkatërrohej në vitin 1972. 

Lajmin e  ka bërë të njohur edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila në një postim në Facebook ka thënë se rindërtimi i kishës, mbi gurët e mbetur, qysh prej viteve ’60 është duke u mbyllur. Me gurët e Kishës së Shën Thanasit, aty nga fundi i viteve '60 u ndërtua ujësjellësi i fshatit, ndërsa kisha që dikur kishte qenë brenda listës së monumenteve në vitin 1967, u hoq prej saj dy vjet më vonë.

Nga fotografitë që i kanë mbijetuar kohës dhe skicat, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë me në krye kryepeshkopin Anastas, vijon Stratoberdha, ngulmuan që në këtë projekt rindërtimi të Ministrisë së Kulturës me Fondin Shqiptar të Zhvillimit në bashkëpunim me Bashkinë e Himarës dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të ruhej identiteti i dikurshëm i asaj godine kulti. U diskutua edhe me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe kryepeshkopi Anastas dha pëlqimin e tij për të mos u bërë pengesë për realizimin e këtij projekti të rijetëzimit të fshatit Dhërmi, ku kisha është pjesë e tij.

Kështu u ra dakord të rindërtohej struktura e jashtme me muret, çatinë dhe pjesën e kambanores, së  kishës, themelet e parë të të së cilës u hodhën më 1971-shin, e cila karakterizohet me mure të rrafshët, që përfundojnë me kornizë të drejtë nën çati. Rindërtimi i kishës, thekson Stratoberdha, bëhet në vazhdën e rijetëzimit të qendrave historike të fshatit Dhërmi.

Ashtu si e ka bërë të ditur edhe Ministria e Kulturës, fshatrat Dhërmi e Vuno, por edhe të tjera ndërhyrje në jug, po bëhen në kuadër të projekteve “100 Fshatrat” dhe “Rrugët e Besimit”.  Përmes këtij të fundit shumë objekte kulti të besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri, po shohin dritën e restaurimit. Investimi prej shtatë milionë eurosh në dy fshatrat e jugut, shpreson të kthehet mbrapsht në terma të shifrave të vizitorëve, të huaj e vendas, në një turizëm gjithëvjetor, jo vetëm pushues por edhe kulturor.

Me gurët e kishës së Shën Thanasit, aty nga fundi i viteve ’60 u ndërtua ujësjellësi i fshatit, objekti  që dikur kishte qenë brenda listës së monumenteve në vitin 1967, u hoq prej saj dy vjet më vonë.

Jo pak skeptike ishte Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë e jo pak të fyer banorët, pas mënyrës sesi  u vendos të shembej godina e mëparshme, ndërtuar nga banorët në vitin 1992, të cilën kryeministri Edi Rama e quajti garazh.“Ndihen të fyer për mënyrën sesi u shemb”, thekson arkitekti-restaurator, “banorët atje janë shumë besimtarë”.

Besimi i bëri që pas viteve ’90, të mblidhnin kontribute e të ndërtonin atë ngrehinë të thjeshtë me gurë e soletë betoni, por pa kambana, ku vetëm një kryq i sajuar lart, në tarracë – për ata që nuk e dinin – të jepte përshtypjen se do të qe një vend i lidhur me religjionin. Megjithëse nuk i ngjante simotrave të saj të përhapura në të gjithë Dhërmiun  (vetë kisha e Shën Thanasit gjendet në këmbët e Kishës së Shën Mërisë, 1100-vjeçare, në rrugën me kalldrëm të fshatit të vjetër), të cilat numërohen të jenë dyzet e tri të tilla, kisha e kryente funksionin e saj të kremtimit të riteve fetare.

Kisha e Shën Thanasit, ndërtuar nga banorët pas viteve '90. 

“Mund të mos u ngjante kishave nga jashtë, sipas kryeministrit Rama, por kisha në kuptimin religjioz është kudo ku mblidhen besimtarët dhe prifti. Janë mbajtur mesha edhe në shpella, edhe në rrënoja. E në kuptimin e besimtarëve ajo ishte kishë. Sigurisht edhe vetë banorët e dinin se nuk ishte ndërtesa ideale, por e kishin ngritur me aq sa mundeshin. Kur t’i vinte koha do të ndërtohej aty një kishë më e bukur, por jo të shembej në atë mënyrë, pa njoftuar më parë banorët” –thotë Stratoberdha, duke kuptuar indinjatën dhe mungesën e besimit në premtimin e institucioneve të shtetit se do e ndërtonin aty, një kishë më të bukur, siç e meritonte shenjti, emrin e së cilës mban dhe kremton çdo 18 janar, por edhe vetë banorët.

Por brendia e kishës, përpara se të shembej më 2015-ën, me një arkitekturë me tri harqe dhe e veshur me disa ikona e krijonte idenë e një objekti kulti të ritit ortodoks, pasuruar edhe nga atmosfera e qirinjve që digjeshin dhe temjani i lëshuar nga prifti. “Banorët iu frikësuan edhe teorive të tjera që përfliteshin se për çfarë mund të përdorej ai terren”, kujton arkitekti.Teoritë e komplotit që nisën të vlonin verën e 2015-ës, u frynë edhe më shumë në dy vitet kur dukej se aty lart, në qendrën e vjetër të fshatit Dhërmi, ku duket se mund ta mbash të gjithë detin Jon në pëllëmbë, nuk po ndodhte ajo që ishte premtuar; rindërtimi i Shën Thanasit.

Kisha në kuptimin religjioz është kudo ku mblidhen besimtarët dhe prifti. Janë mbajtur mesha edhe në shpella, edhe në rrënoja. E në kuptimin e besimtarëve ajo ishte kishë.

U fol se do të ndërtohej hotel a resort fillimisht, gjë që i irritoi vendasit po aq sa edhe historia e misionarit katolik Nilo Catalano, arkipeshkv i Durrësit dhe Vikar Apostolik të ardhur nga Vatikani për të predikuar në ato vise, në pranverën e vitit 1693, ku u debatua nga historianë nëse ajo kishë kishte qenë vërtet e ritit ortodoks apo më parë i kishte përkitur atij katolik. Banorë e priftërinj që në ato ditë gushti të 2015 –ës u mblodhën në Dhërmi, do e mohonin me ngulm se kisha kishte qenë ndonjëherë e ritit katolik. Kishte edhe nga ata si At’ Ksenofoni nga Manastiri i Shën Mërisë, që thoshte se kisha, dikur kishte qenë godinë e rëndësishme patriarkale për zonën dhe ishte afro shtatëqind vjet e vjetër, por dokumente të shkruara  për këtë fakt nuk kishte.

Ceremonia e bekimit të rindërtimit të Kishës së Shën Thanasit, Dhërmi, prill 2018. 

Ajo që i qetësoi disi ishte ceremonia e hedhjes së themeleve të kishës, në prill të këtij viti, ceremoni që u bekua edhe nga prifti i fshatit. Një ceremoni e ngjashme, mbase do të mbahet edhe në fund të punimeve, kur me të përfunduar puna e institucioneve shtetërore nis ajo e institucioneve fetare. “Do të nisë punimi me piktura murale nga brenda, sepse punimi i afreskeve është një teknikë që realizohej në shekullin e 17 –të dhe nuk praktikohet më” , zbulon drejtori për Trashëgiminë në Kishën Ortodokse. “ Do të pajtohen artistë e ikonografë dhe nisur nga shenjti, nga zona, përmasat dhe rëndësia e kishës do të vishet brendia e saj”, saktëson ai, duke shtuar se kjo nuk do të thotë se do të ketë një kohë të çeljes zyrtare të kishës së Shën Thanasit, pasi ajo nuk ka reshtur së meshuari, edhe mbi rrënoja për dy vite.

“Falë punës së përbashkët nga Ministria e Kulturës, Bashkia Himarë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë dhe fshati Dhërmi, treguam se me vullnet të mirë, me dialog e zemër të hapur bëhen punët e mira e të paqme!”, do të thoshte ministrja Kumbaro pranverën e këtij viti, pasi mori pjesë në ceremoninë e bekimit të rindërtimit të kishës.

Kisha e re e Shën Thanasit, Dhërmi. 

E punuar me gurë, çati me tjegulla dhe harkun ku do të vendoset e do të bjerë kambana për t’i ftuar besimtarët në lutje, kisha do të jetë pjesë e atraksioneve turistike të bregdetit të jugut, që ka shumë më shumë për të ofruar përtej detit. E me historinë e saj unike – e shkatërruar dhe e ngritur nga rrënojat dy herë, kisha e Shën Thanasit duket se ka shumë për t’u ofruar kureshtarëve, që do të duan ta ndalin kundrimin në qendrat historike dhe objektet e trashëgimisë kulturore, ndërsa besimtarët e fshatit më në fund do i kryejnë ritet brenda kishës, duke falënderuar providencën që ua riktheu  – me shpresë njëherë e mirë – tempullin që do të mirëpresë gjithherë qirinj e lutje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë