Rend dhe Ligj

Rikthehet Kushtetuesja, rrëzon padinë e Gjykatës së Tiranës

Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Gjykatës së Tiranës, që kishte kërkuar deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale.

Vendimi është marrë këtë të martë dhe ai është i pari që prej thuajse tre vitesh.

Sipas ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale, që kanë hyrë në fuqi më 1 gusht të 2017-ës, ankimet dhe gjykimet në mungesë rishikohen nga e njëjta gjykatë, ndërsa para këtyre ndryshimeve në këtë kod parashikohej që këto lloj shqyrtimesh bëheshin nga një gjykatë më e lartë.

Puna e Kushtetueses rinisi me këtë çështje relativisht të lehtë, në krahasim me dosjet dhe paditë që ka të depozituara përgjatë periudhës 3-vjeçare.

Janë 25 çështje të bëra gati, që do të shqyrtohen nga gjashtë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. 32 të tjera presin për mbledhjen e gjyqtarëve, më e rëndësishmja e të cilave është padia e shoqatës së bashkive, që kërkojnë shpalljen si antikushtetuese të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, të cilat në atë kohë u kthyen në një front grindjesh politike.

Gjyqtarët kushtetues do të testohen edhe me ankesa si ajo e Kryeministrit kundër Presidentit Ilir Meta, i cili pasi refuzoi të dekretonte Gent Cakajn si ministër të Jashtëm u padit në Gjykatën Kushtetuese nga kreu i qeverisë, që kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave dhe interpretim të nenit 1 të Kushtetutës. Dosje të nxehta e presin Kushtetuesen edhe për dy padi të presidentit Meta me emrin Teatri Kombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë