Futboll

Rikthehet Holanda, mposht Francën dhe ndëshkon Gjermaninë

Prej më shumë se 7 vite në errësirë dhe mes rezultateve të dobëta, Holanda e madhe është rikthyer. “Tulpanët” futen sërish në mesin e ekipeve të mëdha dhe ku më mirë se duke mposhtur brenda në shtëpi kampionët e botës, Francën në shifrat 2-0. Në ndeshjen e parafundit të Uefa Nations League holandezët kanë marrë fitoren që i çon në kuotën e 6 pikëve, një më pak se Franca, por që konfirmojnë dështimin për Gjermaninë. Kombëtarja e “pancerave” ka vetëm një pikë dhe tashmë do duhet të zbresë në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Uefa Nations League.

Holanda e nisi ndeshjen shumë mirë që në minutat e para, duke i shkuar shumë pranë golit disa herë, por pa sukses. Edhe Franca i pati rastet e saj, por nuk ishte e zonja që t’i shfrytëzonte për t’i kthyer në gol.
Kur u mendua se pjesa e parë do të mbyllej në barazim, do të ishte Vinjaldum që shënon për ta çuar Holandën në dhomat e zhveshjes me rezultatin në avantazh.
Pjesa e dytë në shumicën e saj është e ngjashme me 45 minutat e para. Holanda është më e kujdesshme në inkursionet e saj, ndërsa Franca nuk e ka forcën dhe dëshirën për t’ia ndryshuar fatin kësaj përballje.

Në minutat e fundit një penallti e stilit “panenka” nga Menfis Depaj çoi shifrat në 2-0 dhe konfirmoi edhe një herë këtë triumf shumë të rëndësishëm për Holandën.
Ky rezultat i jep mundësinë holandezëve që të kërkojnë edhe vendin e parë, pasi më 19 nëntor, do të përballen me Gjermaninë dhe në rast të një fitore ose një barazim marrin kreun e grupit dhe kanë mundësinë për të shkuar “final four”.

Në Grupin 1 të Ligës B, Sllovakia ka mundur 4-1 Ukrainën. Po në Ligën B te Grupi 4, Danimarka ka marrë një fitore të rëndësishme 2-1 në fushën e Uellsit, duke siguruar kalimin në Ligën A dhe duke dërguar Irlandën në Ligën C.
Në Grupin 3 të Ligës C, Norvegjia dhe Bullgaria, dy skuadrat që kryesojnë me nga 10 pikë, kanë marrë dy barazime 1-1, respektivisht ndaj Sllovenisë dhe Qipros.

Tabela e ndeshjeve të Uefa Nations League të luajtura këtë të premte:


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë