Futboll

Rikthehen Ajax dhe AEK në Champions, Young Boys kualifikim historik

Pas katër vitesh mungesë, katër herë fituesja e Champions League, Ajaksi është rikthyer në kompeticionin për të rëndësishëm të klubeve në Europë. Mbrëmjen e së martës ka shkruar historinë edhe Young Boys. Ekipi zviceran është kualifikuar për herë të parë në historinë e tij në grupet e Ligës së Kampionëve. Ndërsa për grekët e AEK kualifikimi do duhej të kalonte përmes drithërimash në minutat e fundit.

Holandezët e Ajaks janë rikthyer në “shtëpinë e tyre”, aty ku kanë triumfuar plot katër herë. Për ta bërë këtë gjë ka mjaftuar fitorja e parë në shtëpi përballë Dinamo Kiev, që në shtëpi nuk shkoi dot më shumë se një barazim i bardhë pa gola. Pas triumfit në ndeshjen e parë 3-1, Ajaksi nuk është sforcuar shumë, por thjesht ka bërë një lojë të kujdesshme për të mos pësuar. Pas asaj feste të madhe që u bë në prag të ndeshjes së parë në Amsterdam, me këtë kualifikim festa besohet se do të jetë akoma dhe më e çmendur. Ajaksi pasi triumfoi vitin e shkuar në Superligën holandeze këtë sezon do të kërkojë të bëjë paraqitje sa më pozitive në Ligën e Kampionëve.

Nëse për çdo vit ishim mësuar se përfaqësuesi i futbollit zviceran në Champions League të ishte Basel, këtë vit ka ndryshuar historia. Young Boys ia doli që të eliminonte Dinamon e Zagrebit me një barazim në Zvicër dhe një fitore në Kroaci dhe kështu pret biletën për në grupet e kompeticionit më madhor për klube. Në fillim Young Boys bëri surprizën duke mbajtur barazimin 1-1 në shtëpinë se saj një javë më parë. Por befasia e madhe ka ndodhur në “Maksimir”, ku skuadra nga alpet e Europës fitoi në shifrat 1-2, madje me përmbysje.

Nga ana tjetër në Ligën e Kampioneve rikthehen edhe grekët e AEK. Me një projekt të ri, klubi athinas pasi mposhti Olimpiakos në betejën për titullin kampion vitin e shkuar, mbrëmjen e së martës arshivon një tjetër sukses. AEK do të kualifikohej mes drithërimash në fund, pasi mbeti me një lojtarë më pak në shtëpinë se saj dhe rrezikoi ta çonte sfidën në shtesë. Por për fat te grekëve, Mol Vidi nuk e pati forcën për të shkuar përtej rezultatit 1-1 dhe kështu me rezultat të përgjithshëm 3-2, AEK shkon në fazën e grupeve.

Të mërkurën në mbrëmje do të luhen edhe tre ndeshjet e tjera, teksa ditën e enjte në Monako do të hidhet shorti për grupet e Ligës së Kampionëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë