Menaxhim

Rikonstruktimi i Pallatit të Kongreseve, Rama: Destinacion i ri turistik dhe kulturor

Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria shqiptare po shqyrton projekt-idetë finaliste për rijetësimin e Pallatit të Kongreseve, në një konkurs ku po garojnë pesë kompani arkitekturore ndërkombëtare.

Pjesë e eventit është edhe kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili theksoi se godina historike ka probleme serioze në strukturë dhe ka nevojë për ndërhyrje. Sipas tij, në një zonë aq të gjallë, Pallati nuk mund të ekzistojë më si “ishull i heshtur”, por të përputhet me kohën.

“Është koha vërtetë për një transformim duke ruajtur identitetin e saj dhe natyrisht thirrja në bashkëpunim e sipërmarrjes, nënkupton dhe zhvillimin e një objekti apo një tërësie objektesh, do ta shohim nga propozimet, pranë Pallatit të Kongreseve dhe qëllimi përfundimtar është që ky pallat të vijë në kohë nga pikëpamja e teknologjisë, nga pikëpamja e cilësisë së hapësirave, nga pikëpamja e gjithë strukturës së riorganizuar dhe të riangazhuar cilësisht, por edhe që ky pallat dhe kjo zonë, të bëhet një destinacion tjetër i Tiranës turistike, i Tiranës kryeqytet i shqiptarëve i Tiranës së aktiviteteve kulturore dhe i Tiranës se aktivitetit të përditshëm social, duke mos e lënë një ishull që është gjithmonë një ‘ishull i heshtur’ kur nuk ka një aktivitet brenda, duke krijuar dhe këtu jetë siç kemi krijuar dikur rreth gropës së dikurshme të stadiumit, që sot është një pol tjetër i jetës së përditshme dhe të përnatshme këtu”, deklaroi kryeministri.

Rama sqaroi se se sipërfaqja e përfituar për nevojat e shtetit arrin në 267 mijë metra katrorë, duke e cilësuar këtë model si një partneritet të suksesshëm mes shtetit dhe sipërmarrjes private. Ai tha se tashmë shteti kthehet në një zotërues pronash.

“Shteti adreson nevojat e veta duke vënë në dispozicion, njësoj siç bëjnë të gjithë pronarët legjitimë të aseteve të veta, por jo më si në të kaluarën, jo më duke i dhënë ato për zhvillim me kosto dhe përfitime simbolike, por duke u kthyer në një zotërues të madh asetesh me vlerë të cilat janë në dispozicion të shtetit”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se ka akoma sot një numër të konsiderueshëm hapësirash ku operojnë institucionet publike të cilat janë me qira që paguajnë për pronarët privatë.

“Këtu po ndodh një forcim i rëndësishëm drejt zotërimit të aseteve nga shteti dhe ndërkohë përmes kësaj po ndodh edhe një transformim i rëndësishëm i strukturës urbane dhe i cilësisë së ndërtimeve që ndodhin”, theksoi Rama.

Më tej, ministri i Kulturës, Blendi Gonxhe tha se struktura ekzistuese e Pallatit të Kongreseve mbart kufizime funksionale, duke përmendur mungesën e garazheve nëntokësore, shërbimeve të dedikuara dhe karakterit të plotë multifunksional.

“Sot, katër dekada më vonë, Shqipëria nuk është më ajo e vitit 1982. Vendi ynë është i hapur ndaj botës, një hap larg Bashkimit Europian dhe një destinacion turistik që mirëpret miliona vizitorë çdo vit”, u shpreh ai.

Gonxhja nënvizoi se në këtë realitet të ri kërkesat dhe ambiciet janë më të mëdha, ndaj nevojitet një qendër moderne dhe e denjë për Tiranën dhe Shqipërinë e sotme.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për një godinë me kapacitete më të mëdha. Bëhet fjalë për një infrastrukturë moderne, të aftë të presë evente elitare ndërkombëtare të përmasave më të mëdha, artistë të njohur botërorë, kongrese, samite, ekspozita dhe aktivitete që kërkojnë standardet më të larta teknike, operative dhe organizative. Na duhet një hapësirë që të jetë njëkohësisht skenë kombëtare për talentet e reja shqiptare dhe një skenë ndërkombëtare për ngjarjet që e lidhin vendin tonë me botën. Një simbol i ambicies sonë për të mos qenë spektatorë të zhvillimeve, por pjesëmarrës dhe protagonistë në to”, tha Gonxhja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë