Futboll

Rezultatet e dobëta largojnë Duron, 3 kandidatë për stolin e Kamzës

Fatjon Rupi – Ndeshja me Teutën, ku Kamza u mund 1-3, ishte e fundit për trajnerin Klodian Duro. Klubi i Kamzës ka bërë të ditur me një postim në faqen zyrtare në Facebook mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin elbasanas. Në këtë postim sqarohet se ishin rezultatet e dobëta që sollën këtë situatë. Duket një ndarje shumë paqësore, të paktën nga ana e klubit, që e konsideron Klodian Duron pjesë të familjes.

“Klubi bën të ditur mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Klodian Duro. Duke e falënderuar trajnerin për kontributin e tij të palodhur, përkushtimin dhe gjithçka dha për skuadrën tonë, bëjmë të ditur se rrugët tona ndahen këtu. Mungesa e rezultateve na detyron të bëjmë një zgjidhje tjetër në këtë moment. Trajnerit Klodian Duro i urojmë suksese në karrierën e tij në vazhdimësi dhe e konsiderojmë gjithnjë pjesë të familjes sonë”, - shkruhet në njoftimin e klubit të Kamzës.

Klodian Duro dhe Artan Mërgjyshi

Drejtuesit e Kamzës janë duke menduar për emërimin e trajnerit të ri sa më shpejt, sepse ndeshja e radhës është shumë afër. Burime pranë këtij klubi kanë bërë me dije për Gazeta Si se janë tre kandidatura aktualisht për të marrë drejtimin e Kazmës. Në “pole position” duket Julian Ahmataj, ish-trajneri i kësaj skuadre në fundin e sezonit të kaluar, kështu që nëse vendoset zyrtarisht për të, do të jetë një rikthim. Dy kandidaturat e tjera drejtuesit kamzalinj nuk kanë dashur t’i zbulojnë. Kamza është e vetmja skuadër që deri në këtë fazë të kampionatit ka ndërruar dy herë trajner. Pas javës së dytë u largua Bledar Devolli dhe tani, pas javës së 12-të, largohet edhe Duro, për t’ia lënë vendin një trajneri të tretë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë