Politike

Rezoluta për gjenocidin serb në Bosnje, Berisha: Rama, skllav i Vuçiçit. Balla: Furnizove me naftë tanket e Millosheviçit

Seanca parlamentare e kësaj të enjte nisi me debate mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe mazhorancës socialiste në lidhje me propozimin për miratimin e një rezolute që dënon genocidin serb në Bosnje.

Sali Berisha kërkoi votën edhe nga socialistët për miratimin e rezolutës.

“Ne kemi një detyrim po kaq madhor për të dënuar këtë gjenocid që theksoj se është sanksionuar në dy vendime të gjykatave më të mëdha të kohës. Pra, në rrafshin juridik ky është gjenocid universalisht i faktuar dhe i pranuar nga mbarë vendet e qytetëruara”, deklaroi ai.

Ish-Kryeministri e quajti Aleksandër Vuçiç si “Putini i vogël” në Ballkan, ndërsa kritikoi edhe qëndrimin ndërkombëtar ndaj Presidentit serb.

“Vuçiç është i regjistruar me zë dhe figurë tek thotë në Parlamentin e vendit të tij dhe jo vetëm në Parlamentin e vendit të tij se për çdo serb duhet të vriten 100 myslimanë, parimi klasik i genocidit të bazuar në urrejtjen fetare. Në rast se Ballkani sot ndodhet në këtë situatë, në rast se Ballkani nuk ecën drejt BE-së, një nga shkaqet më madhore është qëndrimi i gabuar i komunitetit ndërkombëtar ndaj Aleksandër Vuçiç, i cili është frymëzues i gjenocidit serb dhe pa njohur gjenocidin Serbia, ky njeri është një Putin i vogël , i gatshëm t’i ripërsërisë ato në çdo kohë", tha ai.

Nga mazhoranca, mendimin kundër rezolutës e mbrojti Taulant Balla. Ai kujtoi se gjenocidi në Srebrenicë ka ndodhur në verën e vitit 1995 dhe në atë kohë, Sali Berisha është akuzuar nga ndërkombëtarët se ka shkelur embargon e naftës duke furnizuar makinerinë ushtarake të Millosheviçit.

“Ke përgjegjësi direkte për turpin që mori Shqipëria në atë kohë. Në 1995 Shqipëria furnizonte me naftë kontrabandë ushtrinë serbe. SHBA arrin në përfundimin që Shqipëria po thyen embargon në atë kohë. Ish-Presidenti i Malit të Zi, Momir Bullatoviç thotë në një libër se kemi pasur një marrëveshje të heshtur me Sali Berishën për të shtrirë tubat e naftës kontrabandë”, tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar socialist i kujtoi Berishës se akuzat e shkeljes së embargove nuk parashkruhen dhe la të hapur mundësinë që Berisha të akuzohet për këtë. Berisha replikoi duke thënë se ka qenë kundër embargos, sepse ajo penalizonte Kosovën.

Nismëtari i rezolutës ishte deputeti Tritan Shehu. Ai tha se parlamenti shqiptar është parlamenti i vetëm në vendet demokratike që nuk ka dënuar gjenocidin serb në Bosnje dhe rrëzimin e rezolutës nga socialistët e lidh me raportin e Ramës me Vuçiç. Berisha shkoi më tej dhe tha se Rama është skllav i Vuçiçit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë