Politike

Rezoluta për Bosnjen, reagon Rama: Një lojë e ulët nga ‘non grata’!

Rrëzimi i rezolutës së firmosur nga Sali Berisha për gjenocidin serb në Srebrenicë ka shkaktuar një valë reagimesh në Shqipëri, por sidomos në Kosovë.

Reagimet kanë mbërritur edhe në veshin e Kryeministrit Edi Rama, që fton grupin e personave që po kritikojnë rrëzimin e rezolutës që t’i ngrenë vetes disa pyetje.

“Ata që hidhen përpjetë për gjoja dështimin e një rezolute mbi Srebrenicën në Parlamentin shqiptar, si fillim duhet të pyesin po ç'ne kjo rezolutë sot? Pse, me ç'rast? Pastaj duhet të informohen mbi tekstin në fjalë dhe në fund duhet ta mësojnë se ajo s'ishte rezolutë po lojë e ulët!”, shkruan Rama.

Lojë e ulët e një të shpalluri nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracise, që njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe që kapet deri edhe pas kockave të viktimave të kasapit të Beogradit, për t'u ringjallur nga varri i tij politik!

Keqardhje për ata që pa e pasur idenë fare të kësaj loje të ulët, ndjehet gabimisht të lënduar dhe neveri për ata që i shkojnë pas avazit të një të damkosuri si katran me bojë, po Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë!

Edhe një fakt për t'u nënvizuar: Parlamenti sot nuk ka rrëzuar asnjë rezolutë për Srebrenicën, po thjesht ka refuzuar të fusë në procedurën trejavore parlamentare një dokument të ardhur nga Katrani, siç do të bëjë me çdo letër që do të ketë bojën e tij!", mbyll reagimin e tij Kryeministri.

Socialistët rrëzuan me 51 vota rezolutën e propozuar nga Berisha, ndërsa shqyrtimi i saj pati debate mes Berishës dhe Ballës. Ish-Kryeministri akuzoi Ramën se është skllav i Vuçiçit, ndaj e rrëzoi rezolutën.

Balla tha se parlamenti shqiptar e ka dënuar gjenocidin serb në Bosnje, ndërsa akuzoi ish-Kryeministrin se duhej të ishte i fundit që të propozonte një rezolutë të tillë, pasi sipas tij, gjatë kohës së embargos ai kontrabandoi naftë për ushtrinë e Sllobodan Millosheviçit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë