Politike

Rezoluta antiruse/ Deputetët pro dhe kundër: Zgjedhjet në qershor të 2021

Kur e gjithë vëmendja ishte përqendruar te buxheti i shtetit, zgjedhje e kryeprokurorit të ri dhe fatkeqësia natyrore e 26 nëntorit, ku sipas pasojë e tërmetit të rënë pati 51 humbje njerëzish, Parlamenti futi në rendin e ditës edhe rezolutën Antiruse. Drafti i hartuar nga kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla u hodh për votim në seancën më të fundit parlamentare dhe u votua me 97 vota pro, 5 kundër dhe 6 abstenim. Ndërsa në këtë seancë sipas fletë së votimit të siguruar nga Gazeta “Si” figuron se kanë munguar munguar ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, deputetët Rudina Hajdari, Gjetan Gjetani, Elda Hoti, Adriana Jaku (PS), Enada Kapllani, Lefter Koka dhe Erion Piciri. Që të gjithë me të drejtë vote në Parlament.
Por në seancën e 5 dhjetorit, rezoluta u hodh për votim pa u lexuar, apo pa u paraqitur nga nismëtari Taulant Balla, apo që të zhvillohej një debat në lidhje me këtë rezolutë që në thelb paralajmëronte rrezikun që i kanosej Shqipërisë nga ndërhyrjet ruse në Ballkan.

Rezoluta, dokumenti final i miratuar nga Parlamenti me 97 vota pro. Gazeta Si, 7 dhjetor 2019

Rezoluta që titullohet “Për ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore dhe dezinformimit në proceset demokratike kombëtare” përpara se të votohej në seancë u shoqërua dhe me një përplasje mes deputetit të opozitës, Ralf Gjoni dhe kryeparlamentarit Gramoz Ruçi. Deputeti opozitar u shpreh se “nuk mund të hidhet për votim një rezolutë pa pasur më parë një debat mbi këtë dokument”. Kjo në fakt ishte parashikuar paraprakisht edhe në rendin e ditës, edhe pse nuk ishte regjistruar asnjë deputet. Por Ruçi iu përgjigj Gjonit se debati u bë dhe se vetë ai nuk ishte prezent.


Votat pro e kundër
Pro kësaj rezolute, që ishte amenduar disi, votoi edhe ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili gjatë diskutimeve në komisionin e Politikës së Jashtme kontestoi mënyrën e formulimit. Ai kontestonte pikërisht faktit se përmendej emri i një shteti në rezolutë, dhe se kjo nuk përmendej në asnjë dokument që ndonjë shtet tjetër voton. Pavarësisht se janë bërë disa formulime, fjale “ruse” përmendet në këtë rezolutë. Pro këtij dokumenti votuan kryeministri Edi Rama dhe e gjithë pjesa e deputetëve të socialistë. Ndërsa pati dhe vota kundër nga radhët e opozitës, madje disa prej tyre edhe abstenuan. Deputeti Ralf Gjoni doli kundër kësaj rezolute, më pas vijnë deputetët e tjerë Adriatik Alimadhi, Edlira Hyseni, Ligoraq Karamelo dhe Zef Shtjefni. Edhe votat abstenuese për këtë rezolutë erdhën nga radhët e opozitës, Amra Barova, Kujtim Gjuzi, Halil Jakini, Lefter Maliqi, Kostaq Papa dhe Suzana Topi. Ndërsa gjashtë deputetë të tjerë edhe pse kanë qenë prezent në momentin e votimit nuk kanë preferuar të shprehen. Ata janë Fatjona Dhimitri, Arben Elezi, Korab Lita, Myslim Murrizi, Koçi Tahiri dhe Alban Zeneli.

Fleta e votimit për rezolutën e miratuar në Parlament


Rezoluta dhe paralajmërimi i Moskës

Në raportin e paraqitur në seancë nga komisioni parlamentar i Sigurisë, theksohet se pas diskutimeve të shumta si dhe pas marrjes në konsideratë të sugjerimeve të bëra nga Z.Ditmir Bushati dhe Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi në tërësi projektrezolutën, sipas tekstit
integral bashkëlidhur këtij raporti. Dokumenti në fakt bazohet te Rezoluta e Parlamentit Europian e miratuar më 10 tetor 2019 mbi: “Ndërhyrjen e huaj në proceset zgjedhore dhe dezinformimin në proceset demokratike”, si dhe instrumentet e miratuara nga BE në funksion të parandalimit dhe mbrojtjes ndaj luftës hibride dhe fenomenit të dezinformimit”.

Pjesa më e madhe e këtij teksti është huazuar dhe në rezolutën shqiptare, por duke i shtuar edhe detyrimet që burojnë si vend anëtar i NATO-s, apo mbi bazën e dokumenteve strategjikë të miratuar nga qeveria shqiptare. “Ndërhyrja e huaj mund të shfaqet në forma të ndryshme të cilat përfshijnë fushatat e dezinformimit në mediat sociale, me synim formësimin e opinionin publik; sulmet kibernetike të cilat synojnë proceset zgjedhore dhe ndikimin në to; si dhe mbështetja e
drejtpërdrejtë dhe jo e drejtpërdrejtë financiare e aktorëve politikë; fushatat e dezinformimit rus, përbëjnë burimin kryesor nga i cili buron dezinformimi në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Europë e më gjerë; aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë nga vendet e tjera, përpos atij rus, janë të përfshirë në ndërhyrje dashakeqe në debate publike të vendit tonë”, thuhet në rezolutë.

Por në këtë rezolutë përcaktohet qartë se zgjedhjet parlamentare në Shqipëri do të zhvillohen në vitin 2021. Pikërisht një pikë që duket se i përgjigjet edhe kërkesë së PD-së dhe aleatëve të saj që kërkojnë zgjedhje të parakohshme, por edhe me aludimin se këto ndërhyrje ruse nuk mund të ndikojnë të krijojnë trazira në Shqipëri. Rezoluta i kërkon Shërbimit Informativ Shtetëror, Agjencisë së Sigurisë Kibernetike, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Autoritetit të Medias Audiovizive, Autoritetit Kombëtar për Çertifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike si dhe Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike, që të paraqesin një raport vjetor mbi sfidat dhe kërcënimet e evidentuara objekt i kësaj rezolute, pra mbi mundësinë e ndikimi rus në Shqipëri. Gjithashtu kërkohet edhe mbyllja e medieve apo faqeve sociale që kërkojnë të shpërndajë lajme të rreme apo të dezinformojnë.


“I kërkon institucioneve përgjegjëse të vlerësojnë ndërhyrjet e mundshme në legjislacion,
marrjen e masave ligjore dhe administrative, si dhe të ndërveprojnë me platformat e mediave sociale, me qëllim të etiketimit sistematik të përmbajtjes, rishikimin e algoritmeve
në mënyrë që t’i bëjnë ato sa më të paanshëm që të jetë e mundur, dhe mbylljen e llogarive
të personave që merren me veprimtari të paligjshme dhe që synojnë prishjen e proceseve
demokratike ose nxitjen e gjuhës së urrejtjes, duke mos kompromentuar lirinë e shprehjes”, thuhet në këtë rezolutë.
Parlamenti shqiptar vendosi që të votojë pro këtij dokumenti, pavarësisht thirrjes së lëshuar edhe nga Moska zyrtare, nëpërmjet ambasadës ruse në Tiranë për të mos ndërmarrë një hap të tillë.
“Për më tepër, për fat të keq, është kthyer tashmë në traditë që Rusia përmendet pa patur edhe provën më të vogël. Me sa duket, tendenca për plagjiaturë u përhap “si një virus” tek autorët e saj, të cilët ndoqën rrugën e copy-paste. Kuptohet, ata do të duhet t’u paguajnë honorarë krijuesve të rezolutës së cituar kaq shpesh të Parlamentit Evropian”, thuhet në reagimin e ambasadës ruse.

🇦🇱 Koment i Ambasadës në lidhje me votim në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë për projekt-rezolutën «Për ndërhyrjet…

Gepostet von Embassy of Russia in Albania / Посольство России в Албании am Mittwoch, 4. Dezember 2019


Duke iu referuar tekstit, ambasada shprehet se nuk ka gisht Rusia në këto ndërhyrje dhe se kërkon që të ketë kujdes në lidhje me këtë çështje, pasi Moska zyrtare do kishte edhe ndonjë reagim tjetër.

“Autorët e projektit nuk mund të mos e kuptojnë që “rezoluta” të tilla nuk do të kalojnë pa u vënë re në Rusi. Sulmet e pajustifikuara dhe të pabazuara ndaj një prej anëtarëve aktivë dhe me të drejta të plota të OSBE-së, kryesinë e së cilës pritet të marrë Shqipëria në vitin 2020, aq më tepër, shkojnë në kundërshtim me qëllimet dhe objektivat e kësaj organizate, të cilët konsistojnë në të punuarit së bashku në emër të sigurisë dhe bashkëpunimit në kontinentin Evropian”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Votat e rezolutës Antiruse

Kundër
Adriatik Alimadhi
Ralf Gjoni
Edlira Hyseni
Ligoraq Karamelo
Zef Shtjefni

Abstenim
Amra Barova
Kujtim Gjuzi
Halil Jakini
Lefter Maliqi
Kostaq Papa
Suzana Topi

Deputetët prezent që nuk votuan
Fatjona Dhimitri
Arben Elezi
Korab Lita
Myslim Murrizi
Koçi Tahiri
Alban Zeneli

 

Më Shumë