Politike

Rezoluta antiruse në parlamentin shqiptar, Rusia: Trillim mitik

Ambasada ruse në Tiranë thotë se rezoluta e propozuar nga mazhoranca kundër ndërhyrjeve të huaja në proceset elektorale dhe keqinformimet në proceset demokratike shqiptare është trillim mitik për të justifikuar përplasjet e brendshme në politikën shqiptare.

“Sa herë që jemi akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme të Tiranës, ne kemi pritur me padurim të paktën edhe një provë për këtë. Por, miqtë tanë shqiptarë nuk kanë mundur të paraqesin as edhe një provë. Është fatkeqësi që autoritet shqiptare trillojnë histori mitike për të justifikuar “përleshjet” ekzistuese në politikën e brendshme, nga të cilat ne qëndrojmë larg”, thuhet në reagimin e Ambasadës ruse në Tiranë.

Në të njëjtin reagim, rusët hamendësojnë se rezoluta është edhe produkt i ndërhyrjes së ambasadës amerikane në punët e brendshme të Shqipërisë.

https://www.facebook.com/RusEmbassyAlbania/posts/2548918488535249

“Është për të ardhur keq që e gjitha kjo po ndodh dukshëm nën një marrëveshje të heshtur të Ambasadës së SHBA-ve (ah po, kjo nuk quhet ndërhyrje në punët e brendshme). Akoma më keq, pasi kemi dëgjuar argumentet e autorit të rezolutës, z. Ervin Bushati për një farë virusi, me anë të të cilit rusët mund të "infektojnë" gjithë kompjuterët në rajonin e Ballkanit, u bindëm për analfabetizmin kompjuterik të krijuesve të kësaj “vepre””, thuhet në reagimin e mbushur me nota ironizuese.

Ambasada ruse mbyll reagimin me këshillën për të lexuar librin “Siguria ndërkombëtare e informacionit”, me autor një prej specialistëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse në këtë fushë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë