Politike

Rezoluta antiruse e PS përballë frikës së SHBA për rrezikun kinez

Një vit më parë një shkrim investigues i  revistës “Mother Jones” fliste për financime të dyshimta të Partisë Demokratike për një kompani lobimi amerikane dhe që prapa fshiheshin kompani ruse. Revista amerikane "Mother Jones" shkruante madje se kreu i PD-së Lulzim Basha është nën hetim nga Prokuroria për shkelje të ligjit. Sipas kësaj medie, PD ka paguar 650.000 dollarë amerikanë në SHBA për lobim për zgjedhjet e 2017-ës, dhe dyshohet se paratë janë financuar nga rusët. Për këtë mendohet, se kompania amerikane në qershor të vitit 2017, para zgjedhjeve parlamentare ndihmoi në realizimin e takimit të kryedemokratit Basha me presidentin amerikan Donald Trump.

Hetimet për lobimin e bërë nga PD nga ana e prokurorisë shqiptare nisën pas ardhjes së dy letërporosive nga SHBA dhe Skocia, ku PD pretendohet se ka paguar 525 mijë USD te kompania Stotington Strategies, ndërsa kompania Biniatta Trade 150 mijë USD. Më 14 nëntor të 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë pagesat e bëra nga PD, të cilat nuk janë deklaruar në raportin financiar që është depozituar në KQZ në zgjedhjet e vitit 2017.

Këto hetime dhe investigime bënë që Partia Socialiste të akuzonte kryedemokratin Lulzim Basha se janë të lidhur me rusët, pasi, kompania Biniatta Trade, është pjesë e një zinxhiri kompanish që janë të regjistruara në Belizë, një vend i njohur si parajsë fiskale. Gjithashtu, kjo kompani ka si pronarë dy shtetas rusë, Evgeny Sheremetyev dhe Kostantin Ferulev, që sipas hulumtimit të “Mother Jones” zotërojnë 75 për qind të aksioneve të “Biniatta Trade”.

Influenca ruse në Ballkan është alarmi që qeveria shqiptare po përdor për rrezikun eminent, duke e paraqitur edhe atë si një kartë të fortë përpara kancelarive europiane me rastin e refuzimit të çeljes së negociatave me BE-në. Në jo pak raste rreziku i influencës ruse ka qenë çështje e ngritur edhe nga vetë SHBA-ja apo dhe shtetet e tjera të Ballkanit. Ditët e fundit Partia Socialiste ka depozituar në Parlament miratimin e rezolute të posaçme ku paralajmërohet rreziku i influencës ruse.  Rezoluta “Për ndërhyrjet e huaja në proceset elektorale dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”, i bashkohet shqetësimit të Bashkimin Europian për natyrën e jashtëzakonshme të propagandës ruse, e cila është burimi kryesor i dezinformimit në Europë dhe që është dyfishuar nga janar 2019 me 998 raste, në krahasim me 2018-ën me 434 raste. Në tekstin e paraqitur nga ana e kryetarit të grupit të PS-së, Taulant Balla, kërkohet rritje e ndërgjegjësimit për fushatat e dezinformimit të Rusisë, pasi ky i fundit, sipas PS-së, përbën burimin kryesor nga i cili buron dezinformimi në rajon, Europë dhe më gjerë.

Një projektrezolutë e tillë duket se është “qëndisur” më tepër për të shërbyer si një dokument për të goditur Partinë Demokratike, pas hetimeve të nisura mbi fondet e lobimit të dyshimit. Një dokument që mund të përdoret edhe në fushatën e ardhshme parlamentare, në rast se miratohet.

Po sa prezent është rreziku i ndërhyrjes ruse në Shqipëri dhe a ka bazë alarmi i dhënë nga Tirana zyrtare? E nominuara për ambasadore e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim përpara Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme në një seancë për konfirmimin e saj iu përgjigj pyetjeve të senatorëve pikërisht për çështjen e rrezikut e ndikimit rus në Ballkan dhe veçanërisht në vendin tonë.

“Mendoj se mënyra për të ecur përpara bazohet në solidaritet, integrim dhe bashkëpunim. Fatmirësisht, përpjekjet e Rusisë në këtë aspekt nuk kanë pasur shumë efekt. Për këtë arsye. E kemi për detyrë që t’i mbajmë më afër miq të tillë si Shqipëria në kohë si kjo”, theksoi Yuri Kim.

Ndërkohë kjo dalje e hapur e grupit parlamentar të PS-së, e mazhorancës socialiste që kërkon miratimin e një rezolute të posaçme solli edhe reagimin e parë të Anatoli Shkareda, atasheut të ambasadës ruse në Shqipëri, i cili i konsideroi qesharake komentet mbi përhapjen e ndikimit rus në vendin tonë.

“Këtu në Shqipëri, për fat të keq, nuk shoh as ndikim pozitiv dhe as ndikim negativ të Rusisë, përveç faktit që kemi vetëm ndikim pozitiv, në kuptimin që ndërtojmë ura bashkëpunimi në aspektin kulturor. Për fat të keq kemi pengesa në bashkëpunimin tregtar dhe në fushën politike thuajse nuk kemi fare bashkëpunim. Ka vetëm disa takime nënkryetarësh të komisioneve ndërqeveritare, por ka shumë pengesa për shkak të mungesës së vullnetit nga ana shqiptare. Ne e kemi të shtrirë dorën, por për fat të keq nuk ka përgjigje”, deklaroi Shkareda në një intervistë televizive.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë