Ne rrjet

Rexhep Qosja dhe Murat Jashari, LDK nuk i pranon për President

Askush në Kosovë duket se nuk është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen për qeverinë e re, pa u vendosur se kush do të ulet në karrigen e presidentit vitin e ardhshëm.

Të gjithë prisnin të shtunën që kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa të zyrtarizoni qeverinë e re, por negociatat duket dështuan sërish, pasi ky i fundit po i mëshon fort karriges së presidentit.

Polemikat mësohet se kanë lindur pasi Kurti propozon që në krye shtetit të vihet një figure jo partiake, ndërkohë që LDK-ja dëshiron që Presidenti të vijë nga radhët e saj.

Kurti dhe Mustafa kanë mbajtur takime të njëpasnjëshme gjatë javës së kaluar, gjatë të cilave kanë hedhur për diskutim një sërë emrash, por asnjeri prej tyre nuk është pranuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Albin Kurti dhe Isa Mustafa. Gazeta Si,2019

Albin Kurti ka propozuar disa emra për President të shtetit. Ai ka vendosur të thyejë akullin, duke propozuar fillimisht shkrimtarin Rexhep Qosja, por ky propozim është hedhur poshtë nga LDK-ja, pasi Qosja është ndër vite një kritik i ashpër i kësaj partie.

Propozimi i dytë i Kurtit mësohet se ka qënë më pas për një anëtar të familjes Jashari, Murat Jasharin, i cili është përfolur vazhdimisht për postin e Presidentit. LDK-ja ka djegur po ashtu edhe emrin e dytë të Kurtit, duke kërkuar që kandidati për president të zgjidhej nga radhët e saj. Përvec Isa Mustafës, LDK-ja propozuar si alternativë të dytë për këtë post Lutfi Hazirin, nënkryetarin e kësaj partie.

Sipas medieve në Kosovë, në mbledhjen e fundit të Kryesisë së LDK-së është vendosur përfundimisht se në rast se Kurti nuk pranon zgjedhjen e një kandidati për president nga radhët e saj, nuk ka një marrëveshje koalicionit me LVV-në. Kjo “kokëfortësi politike” e Isa Musfatës rrezikon sipas analistëve ta çojë sërish vendin në zgjedhje të parakohshme, sidomos pasi presidenti aktual Hashim Thaçi duket se u ka vendosur “lakun në fyt” për arritjen e një marrëveshjeje. Kjo “frikë” është shtuar edhe më shumë, pasi Mustafa vendosi të thërriste sot kryetarët e LDK-së në rrethe.

Ai vendosi të thërriste seancën për konstituimin e Kuvendit në datën 26 dhjetor, por analistët shprehen skeptikë se LVV-ja dhe LDK-ja do të arrijnë një marrëveshje deri atëherë.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka deklaruar sot se Lidhja Demokratike e Kosovës është duke u munduar që të gjejë një kandidat konsensual për president, duke pranuar se kjo është arsyeja e vetme që po i lë larg koalicionit me partinë e Albin Kurtit. Haziri ka thënë se LDK dhe Vetëvendosje janë duke punuar çdo ditë për arritjen e një marrëveshje, duke theksuar se negociatat për ndarjen e ministrive dhe përgjegjësive kanë përfunduar me kohë.

Isa Mustafa

“LDK nuk kërkon më shumë se ajo që ka marrë nga besimi i qytetarëve. Përtej kësaj, ne kemi vendosur standardin që partia më e votuar merr kryeministrin. Roli i LDK-së në qeverisje do të jetë sipas peshës së votës qytetare”, shton ai.

“Ne po mundohemi bashkërisht që ta gjejmë modalitetin e një presidenti konsensual, i cili në të ardhmen do t’i përfaqësojë interesat në frymën e Kushtetutës së Republikës. Ditët e fundit kemi punuar shumë që roli dhe përgjegjësia e partnerëve në institucionet e shtetit, siç është Presidenca, Kuvendi, Qeveria dhe sektorët ekzekutiv, të përcaktohen qartë në mënyrë që të mos lindin mosmarrëveshje eventuale gjatë ushtrimit të mandatit të koalicionit në të ardhmen”, bëri të ditur Haziri, duke njoftuar se Ministria e Kulturës pritet t’i shkojë minoriteteve.

Një emër po ashtu i përfolur për postin e presidentit është edhe publicisti i njohur Veton Surroi, i cili sipas ekspertëve në Kosovë po mbahet si “as nën mëngë” nga Albin Kurti për ta bindur Mustafën të heqë dorë nga kjo karrige. Por ashtu si negociatat për formimin e qeverisë në vitin 2014, kur kreu i LDK-së nuk u dorëzua derisa mori postin e kryeministrit, edhe kësaj radhe, gjithçka duket se varet nga “kokëfortësia politike” e Isa Musfafës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë