Njerez

Revoltohet mjeku Kalo: Ministrja e Shëndetësisë e zënë me ato që ‘sapo kanë nisur të cicërojnë’, s’shkroi asnjë mesazh për punën time 42-vjeçare

Nga Gazeta Si- Mjeku Tritan Kalo ka dalë në pension pas 42 vitesh punë në QSUNT dhe dy ditë pasi nuk është më mes mantelbardhëve, ai ka reaguar i revoltuar për shkresën burokratike nga Burimet Njerëzore të Drejtorisë së Spitalit, me anë të së cilës është njoftuar për daljen në pension.

Kalo shkruan në një reagim të gjatë në rrjetin Social Facebook se shkresa ishte “një praktikë burokratike që ndiqet në raste të ngjashme”.

“Ajo që më befasoj ishte rreshti i fundit i shkresës, ku  shprehej e koncentruar mirënjohja institucionale për kontributin tim 42 vjeçar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive të QSUNT-së, në lidhje me Ofrimin e Përkujdesit Mjekësor sa më cilësor për mijëra e mijëra të sëmurë, në kushte shpesh të rrezikshme edhe për vetë jetën time, nisur nga natyra kontagjioze, jetëlënduese dhe jetëmarrëse e shumë e shumë Sëmundjeve Infektive”, shkruan Kalo duke shtuar se dora e ngrohtë e “pusht-shtetit ishte e lodhur për të shprehur diçka më shumë për punën, profesionalizmin dhe përkushtimin tim ndaj popullit dhe vendit”.

Kalo ka folur dhe në veçanti për Ministrinë e Shëndetësisë duke thënë se kishte shumë oligime të tjera për të evidentuar punën dhe kontributin e të gjithë atyre që “sapo kanë filluar të cicërojnë në kopshtin e madh të përkujdesit shëndetësor kombëtar, sa nuk e gjeti të mundshme të përcillte në faqen e saj zyrtare së paku një foto e një mesazh falënderues për kontributin 42 vjeçar të një individi si unë, shkruan Kalo. ai thotë se "në çdo kohë e rrethanë kurrë nuk  pashë se çfarë bëri Atdheu për mua, përkundrazi me mish e me shpirt u përpoqa të bëj më të mirën për vendin e për popullin tim".

“Zemërngrohës ishte fakti se së paku ndjenjat e respektit e të mirënjohjes së një populli të tërë ndaj punës e kontributit tim, u shprehën më bukur e më fuqishëm se kurrë ndonjëherë…..Together forever!!!”, mbyll Kalo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë