Njerez

42 vjet mjek, Tritan Kalo: Pengu im, s’mu dha e drejta e mësimdhënies. Mjekët e rinj nuk mbahen me dhunë financiare në Shqipëri

Nga Gazeta Si - Mjeku infeksionist Tritan Kalo është një nga emrat më të njohur në Shqipëri. Jo vetëm si profesionist por dhe si një figurë publike i njohur për opinionet e dhëna hapur dhe pa kompromis. Më 18 korrik, doktor Tritan Kalo do të dalë në pension pas 42 vitesh pune në spitalin infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në një intervistë për Gazetasi.al, teksa ndalet në disa faza të rëndësishme të jetës së tij, mjeku Kalo u bën thirrje dhe drejtuesve të lartë të shëndetësisë, që të inkurajojnë mjekët duke i mbështetur me paga dinjitoze dhe kushte të mira pune, me qëllim që të mos largohen jashtë vendit.

Doktor Tritani, cilat janë momentet më të bukura nga puna juaj në QSUT që kujtoni tani në prag pensioni?

Momentet më të bukura të punës time si mjek, nisin që me diplomimin tim, në Auditorin e Pediatrisë, rektori i asaj kohe i Universitetit të Tiranës, prof. Osman Kraja në mënyrë ceremoniale më dorëzon Diplomën e Mjekut të Përgjithshëm me cilësimin “SHKËLQYESHËM”, sepse isha i vetmi student që mora “Medaljen e Artë” për rezultatet e studimeve 6 -vjeçare në Fakultetin e Mjekësisë me mesataren 10-të. Më tej, diplomimet në fushat e Sëmundjeve Infektive e Tropikale si dhe të Reanimacionit mjekësor në Fakultetin e Mjekësisë “Xavier Bichat”, të Universitetit Paris-7, Francë. Kontributi në kapërcimin e Epidemive të Leptospirozës më 1983, të Rubeolës më 1984, të Etheve Hemorragjike më 1985, të Kolerës më 1994, të Poliomyelitit 1996, dhe së fundmi, pandemia e koronavirusit, ku kam qenë pjesë e ekipit të mjekëve infeksionistë në luftën me viursin vdekjeprurës Sars-Cov2/Covid-19.

Mjeku infeksionist Tritan Kalo gjatë pandemisë Covid-19. Gazeta Si, korrik, 2023.

Cilët janë personat që kanë shënjuar në profesionin tuaj?

Në familjen time dhe në rrethin e njerëzve të mi, ka shumë inxhinierë dhe ekonomistë. Babai, nëna dhe im vëlla kanë qenë inxhiniera. I vetmi mjek ishte daja i vogël Dr. Ali Molloholli, i diplomuar në Universitetin e Pragës dhe i specializuar aty në Mikrobiologjinë klinike, prodhues në Shqipëri i vaksinës së Tuberkulozit (TBC). Po ashtu në atë kohë qarkullonte në Shqipëri libri “Mjeku i tre kontinenteve” kushtuar jetës e punës së mjekut të shquar Norman Bethyn. Një pjesë e rrethit shoqëror të prindërve ishin mjek të diplomuar në Bukuresht, Rumani. Mes tyre po përmend disa si: Prof. Josif Adhami, Prof. Ylli Popa, Prof. Koço Poro, Prof. Skënder Dauti, etj. Po ashtu miqtë e tyre të rinisë që ishin diplomuar për mjekësi në BRSS, sidomos Prof. Anesti Boçka, Prof. Ilir Gjylbegu e Prof. Xhavit Gjylbegu. Mjekë humanist dhe të shumë-shumë dijshëm. Nga studimet dhe puna në Francë do të veçoja, prof. François Vashon, Prof. Jean-Louis Vilde e Prof. Jean-Claude Coulaud.

Çfarë do të thotë të jesh mjek në qendrën më të madhe spitalore universitare në vend? Çfarë ka ndryshuar, për mirë apo për keq ndër vite?

Në konceptin tim të ofrimit të përkujdesit mjekësor ndaj popullit, një mjek në QSUT duhet të jetë vetëm pjesë e elitës mjekësore specialistike në Shqipëri. Në përputhje me modelin francez të një Qendre Spitalore Universitare, të krijuar më 1936 nga Robert Debre, mjekët në këto qendra kanë dy funksione të ekselencës së ofrimit të përkujdesit ndaj të sëmurëve, po ashtu ato janë njëkohësisht dijedhënës të nivelit mjaft të lartë në lëmitë e specialiteteve përkatëse. Në 1993 kur u ktheva nga studimet e puna në Francë, u zhgënjeva jo pak nga prurjet pa shumë kritere shkencore, por më shumë partiake që kishin ndodhur në të gjitha shërbimet specialistike të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, e vetmja qendër e mjekësisë terciare në vendin tonë. Ka shumë modernizime bashkëkohore në infrastrukturën ndërtimore dhe teknologjike në shumicën e Shërbimeve në QSUNT, por ende nuk po ja rikthejmë asaj frymën e punës në ekip që mbretëronte para marsit të vitit 1991. Po ashtu mos-qarkullimi ligjor i drejtuesve të Shërbimeve me afate kohore të mirëpërcaktuara, i nxisin pak mjekët të shfaqin individualitetet e tyre. Ndërhyrjet e politikës, që pas vendosjes së Pluralizmit në vendin tonë në dhjetor të ‘90, ka lënë jo pak gjurma jo progresndjellëse. Të urojmë dhe të shpresojmë në ndryshime më efiçente në të ardhmen.

Teksa ju dilni në pension, studentët e porsadiplomuar po pengohen përmes ligjit të punësohen jashtë. Si e keni parë në këndvështrimin tuaj këtë debat?

Studentët e Mjekësisë në të gjithë botën paguajnë një tarifë studimore, me përjashtim të Gjermanisë dhe të Norvegjisë. Me mbarimin e studimeve, ata kalojnë një periudhë kohore trajnimi të supervizuara në klinikat universitare, para se të ushtrojnë të pavarur këtë profesion fisnik dhe me shumë përgjegjësi sikundër është Mjekësia. Gjatë stazhit klinik si mjek i përgjithshëm apo si formim specialistik, ata paguhen. Ata bëjnë kontrata me Bankat ku marrin “borxh pa interes” për të përfunduar studimet jo pak të kushtueshme të Mjekësisë, të cilin fillojnë dhe e shlyejnë vetëm atëherë kur fillojnë të marrin pagë. Mjeku apo çdo i diplomuar kudo në Universitetet publike dhe jo vetëm, nuk mbahet PENG i mos dhënies së diplomës së tij. Sistemi duhet të ndërtojë politika të tilla që të heqin nga mendja e studentëve tanë “ndjenjat e largimit” nga vendi ku u ka lerë koka. Punësime në infrastruktura cilësore kudo. Paga dinjitoze për profesionistët e një profesioni që kërkon shumë e shumë sakrifica jetësore e familjare. Nëse ky kufizim zbatohet vetëm në Universitetet publike, kjo do nxisë hapjen masive të Universiteteve private për formimin e mjekëve të ardhshëm. E më pas ky vendim bëhet automatikisht plotësisht i pavlefshëm. Nuk është dhuna financiare udha e duhur për të mbajtur mjekët e rinj në Shqipëri.

Një mjek shqiptar dhe një i huaj, çfarë e diferencon? Sa i përgjegjshëm apo i vlerësuar është mjeku në Shqipëri?

Mjeku është i plot përgjegjshëm, qoftë shqiptar apo i huaj. Ne jemi besoj i vetmi vend në Europë ku mjekët e huaj bëjnë gjithçka pa patur ekuivalentin e diplomimit të tyre, apo pa patur njohuri të mjafta të Gjuhës Shqipe. Vijnë në fundjava ose një periudhë të shkurtër kohore, “korrin jo pak lekë”, largohen dhe të sëmurët e tyre i ndjekin mjekët shqiptarë. Janë po ata që përballen me ndonjë gabim të këtyre mjekëve që tashmë “i kanë lënë hijen” Shqipërisë dhe pacientëve të tyre. Ne si popull fatkeqësisht jemi shumë “ksenoman” dhe i mbivlerësojmë mjekët e huaj duke harruar se mjekët informohen nga të njëjtat burime literature si jashtë edhe këtu, po ashtu një pjesë jo e vogël e mjekëve tanë janë trajnuar apo specializuar jashtë. Unë diferencën e shoh në mes të trajtimit financiar jo të njëjtë mes mjekëve të huaj dhe atyre shqiptarë, si dhe në etikën e deontologjinë më të çalët në marrëdhëniet mes mjekëve tanë, në raport me marrëdhëniet ndërprofesionale në botë.

“Lëndimi i hierarkisë së vlerave” në çdo fushë të aktivitetit socio-ekonomiko-profesional ka lënë jo pak gjurmë në Shërbimin tonë Shëndetësor. Nuk është e lehtë të ruash të panjolltë mantelin e mjekut. Pengu i vetëm i këtyre 42 viteve të Mantelbardhësisë për mua janë pengimet nga më absurdet nga drejtuesit e Shërbimit Infektiv dhe të Fakultetit të Mjekësisë për t’u reintegruar në dijedhënien aktive në auditoret e Fakultetit të Mjekësisë. Latinët kanë një shprehje për raste të tilla: “Ignorantia argumentum non est”, që përkthehet “Injoranca nuk është argument”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë