Biznes

Restorantet rishpikin vetveten për ata pak klientë që u shkojnë sot

Teodor Laci - Me goditjen e thellë ekonomike që shkaktoi pandemia e koronavirusit në ekonominë shqiptare, një prej industrive që e ka përjetuar më keq atë ka qenë ajo e restoranteve. Në Tiranë, që me fillimin e karantinimit, restorantet nisën të mendojnë për mbijetesën e tyre. Por për shumë biznese të tjerë mbase prej situatës së tyre ekonomike apo prej faktorëve të tjerë, kjo goditje i gjeti të papërgatitur e thuajse i çoi në prag falimentimi.

Gazeta "Si" bisedoi sot me disa pronarë, menaxherë apo punonjës me përgjegjësi administrative të disa prej restoranteve të njohur të Tiranës në lidhje me efektin që ky koronavirus shkaktoi në bizneset e tyre.

Ndalesa e parë ishte Restorant “ERA - Vila”. Donaldi, menaxheri i restorantit, ishte personi që më dha këndvështrimin e tij në lidhje me impaktin që Covid-19 ka shkaktuar në klientelën e restorantit “ERA”.

Restorant “ERA - Vila” ka qënë i mbyllur nga data 11 mars (datë në të cilën u njoftua nga autoritetet vendimmarrëse dhe kryeministri në facebook për mbylljen e restoranteve) e deri më 18 maj. Gjatë kësaj periudhe biznesi i ka mbajtur të gjithë punonjësit në punë me shpenzimet e tij, ndonëse nuk ka pasur fare aktivitet. Ndërsa ndihmën financiare prej 40,000 lekësh të premtuara nga qeveria si pjesë e paketës së dytë, restoranti e mori të premten e kaluar për secilin punonjës, e kjo ka qenë ndihma e vetme. Shërbimi delivery i restoranteve “ERA” ka qenë prezent gjatë marsit e prillit por ky ka qenë aktivitet më vete, i ndarë me NIPT nga restorant “ERA - Vila”.

Stafi shërbimit të restorant "Era"

Me lejimin e restoranteve të hënën e kaluar, z. Donald shprehet se puna aktuale ka rënë ndjeshëm e është në nivelin e 25% - 30% të nivelit që ishte përpara masave karantinuese. Faktori kryesor i kesaj rënieje, krahas merakut të njerëzve prej pandemisë, është edhe ai i orarit te shkurtuar si edhe mbyllja e tyre gjatë fundjavave.

Restoranti gjithashtu ka ndjekur me përpikmëri gjithë masat higjeno-sanitare të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, por distancimi prej 1 metër e gjysëm midis tavolinave ka ulur me rreth 30% - 40% kapacitetet pritëse të tavolinave në ambient të hapur. Ndërsa i tërë ambienti i brendshëm është jo-funksional, pasi sipas autoriteteve vendimmarrëse janë lejuar të operojnë vetëm pjesët e ambienteve të hapura.

Po kështu, kriza e koronavirusit me gjithë kufizimet e vëna nga qeveria ka sjellë dhe ndryshime në klientelën e restorantit. Turistët e huaj që përbënin më parë një klientelë të rëndësishme thuajse janë zhdukur. Kështu, për t’iu përshtatur kushteve aktuale të tregut, restoranti ka krijuar gjatë këtyre 10 ditëve menu e paketa të reja, si paketa për mëngjesin e paketa periodike me ushqime të ndryshme qofshin ato tradicionale apo mesdhetare. Gjithashtu është fokusuar edhe tek pjesa e barit në mëngjes me ofrimin e pijeve, që më parë nuk i kanë pasur, si smoothie (pije me fruta të shtrydhur), milkshake, kafe me alkol e pa alkol etj.

Krahas masave të mësipërme nuk ka munguar edhe aktivizimi nëpër rrjetet sociale si Facebook e Instagram si dhe TripAdvisor, me shpresën se gjatë muajve korrik e gusht situata me turistët do të ndryshojë për mirë.

Klientela shqiptare ka mbetur thuajse e njëjta, sipas menaxherit, me punonjësit e zyrave dhe familjarët që vazhdojnë ta frekuentojnë. Por risi ka bërë këto ditë një rritje e numrit të vajzave të reja që vijnë e porosisin gjëra të vogla. Po kështu ka pasur edhe porosi takeaway si supa, pizza e sallata e kryesisht nga punonjësit që punojnë nëpër zyra, por që nuk kanë qënë në nivelet e pritura si më parë.

Ndalesa e dytë ka qënë në ambientet e restorant “Artigiano”. Bledar Zyli, menaxheri i restorantit, shprehet se, “ndonëse e prisnim lockdown-in që të ndodhte, duke parë situatën e Italisë e Gjermanisë, nuk prisnim që të zgjaste kaq shume. Menduam 2-3 javë maksimumi, e gjithçka do të rikthehej si në fillim”. Kur e pyta se si ka qënë për të eksperienca e hapjes së restorantit ditën e parë pas dy muajve i mbyllur, Bledari më përgjigjet se, “...dita e parë ka qënë si gota në sitë, ishte diçka e shkretë e mjaft e frikshme pasi dhe njerëz nuk është se shihje shumë në rrugë. Por me kalimin e ditëve gjërat kanë ardhur duke u përmirësuar lehtazi por sigurisht jo në nivelin e mëparshëm. Ndonëse në ditën e 10-të që po punojmë jemi në një gjendje të papërballueshme për biznesin....jemi në nivelin e 20% të punës që kemi pasur më parë”, thotë zoti Bledar.

Restoranti ka qënë i mbyllur gjer më datë 18 maj dhe sipas menaxherit, për të mbrojtur klientët si dhe punonjësit nga infektimi, nuk zgjodhi që të bënte shërbim delivery. Edhe ky restorant është ndihmuar javën e kaluar, nga paketa e dytë e ndihmës financiare e dhënë nga qeveria. Restoranti ka marrë të tëra masat higjeno-sanitare të dhëna nga ministria duke përfshirë këtu maskat, dorashkat, distancimin e lejuar mes tavolinave, matjen e temperaturës etj.

Si klientelë kryesore restoranti ka pasur klientë të huaj, ata italianë, numri i te cileve prej krizës së shkaktuar nga koronavirusi ka qënë thuajse zero, “Menuja e restorantit ka pasur për bazë, e vazhdon të ketë, gatimet tradicionale shqiptare e kjo ka ndihmuar restorantin që të ketë frekuentim nga familjet shqiptare e trupat diplomatike që janë prezente në Shqipëri” thotë zoti Bledar. Për t’i bërë ballë numrit të ulët të klientelës menaxheri shprehet se ka rritur aktivitetin e biznesit në rrjetet sociale si instagram, facebook, TripAdvisor etj. Gjithashtu restoranti ka rinisur e shërbimin delivery por niveli i kërkesës është mesatar.

Orari i reduktuar gjer në orën 9 të darkës si dhe moslejimi i operimit të restorantit gjatë fundjavës ka ndikuar negativisht në xhiron e biznesit, por shpresa e menaxherit është që së shpejti do të hiqet kjo fashë orari e do të lejohen që të punojnë restorantet gjer në darkë vonë.

Ndalesa e tretë ishte restoranti  “SALT”. Si në shumë restorante të tjerë të Tiranës në hyrje të restorantit gjeje shenjat në tokë për distancimin e lejuar si dhe stafin e shërbimit të pajisur me dorashka e maska. Geri Kuka, administratori i restorantit, më bëri me dije se restoranti i tij i kishte mbyllur hapësirat e tij të brendshme që nga data 11 mars e gjer më 18 maj, por që të mund të qëndronte në kontakt me klientelën e tij vazhdoi shërbimin delivery.

Përpara karantinimit nga koronavirusi restoranti punonte nga ora 12:00 e gjer natën vonë. “Aktiviteti jonë poseidon një leje që të lejon të punosh edhe pas orës 23:00... e kështu punonim përpara karantinimit. Ndërsa tani punojmë nga ora 09:00 – 21:00”, shprehet z. Kuka. Kufizimi i orarit ka ndikuar negativisht, me rënie të klientelës.

“Restoranti ynë ka ndryshuar në strategji afatshkurtër...ne kemi lançuar një menu street food-i (që përbëhet nga burgers, tacos etj) për klientët që duan të hanë pak më shpejtë e kanë kohë më të limituar”, përgjigjet Geri, përsa i përket qasjes së re që mund të ketë restoranti për të rritur tërheqjen e klientëve.

Duke qënë se aktiviteti ka operuar me delivery gjatë periudhës mars-maj, restoranti “SALT” nuk ka mundur dot të përfitojë nga paketa e dytë e ndihmës financiare. Por zoti Kuka shprehet se ka vazhduar t’i paguajë punonjësit, madje edhe ata që nuk kanë punuar fare, me një rrogë minimale.

Ndalesa e katërt ishte në restorantin e peshkut “La Gioia” në brendësi të kalasë së Tiranës “Toptani”. Pronari dhe njëkohësisht shefi i kuzhinës zoti Eri Muhaj nuk ndodhej në atë çast fizikisht por realizova me të një bisedë të shkurtër telefonike. Zoti Muhaj më tha se gjatë periudhës mars – maj restoranti kishte vazhduar të operonte me shërbimin delivery duke u qëndruar besnik gatimeve karakteristike të peshkut e frutave të detit për të ruajtur keshtu identitetin e tij si restorant i gatimeve të ushqimeve të detit. Por shërbimet me delivery nuk kanë qënë të mjaftueshme për restorantin dhe gjatë periudhës mars – maj z. Eri është detyruar të mbajë në punë veçse dy punonjës nga stafi prej 9 punonjësish që kishte më parë.

Pavarësisht impaktit të madh ekonomik të pësuar nga koronavirusi, “...ne nuk kemi luajtur me çmimet ndonëse kostot kanë qënë të mëdha”, thotë pronari, “dhe kjo për të ruajtur mardhënien pozitive me klientelën”. Ai vazhdon fuqishëm të qëndrojë aktiv në rrjetet sociale të biznesit në mënyrë që vizibiliteti i restorantit të tij të jetë sa më i lartë.

Ndalesa e fundit ishte në restorantin “Rozafa”. Aureli, menaxheri, më thotë se restoranti ka qenë i mbyllur gjatë periudhës së urdhëruar nga instancat qeveritare. Në lidhje me situatën e krijuar nga koronavirusi menaxheri shprehet se, “Ka rënë niveli i punës pasi njerëzit kanë më pak të ardhura si dhe kufijtë janë të mbyllur”. Klientela e restorantit “Rozafa” sipas zotit Aurel është gati 60% e lidhur me të huajt dhe shqiptarët e kosovës.

Stafi menaxherial i “Rozafës” në javën e parë të prillit nisi dërgesat delivery në mënyrë që t’i gjendej sa më pranë klientelës së tij. Por pavarësisht dërgesave në shtëpi të ushqimeve dhe gjithë masave të ndërmarra higjeno-sanitare siç janë udhëzuar nga ministria e shëndetësisë që prej rihapjes së restorantit më 18 maj, niveli i punës ka rënë me më shumë se 50% krahasuar me përpara shpërthimit të koronavirusit në Shqipëri.

Sipas menaxherit, menuja e restorant Rozafës është low-cost”. Ai nuk mendon se do të ketë një ndryshim menuje për t’iu fokusuar një kategorie klientele të caktuar pasi duke qenë në qëndër të Tiranës, klientela e tyre është e shumellojshme, me shqiptarë e të huaj.

“Jemi mbyllur plotësisht...”, ka qenë fjalia e parë me të cilën m’u përgjigj menaxheri i hotelit/restorantit Monarc, kur e pyeta për situatën e klientelës pas lejimit të rihapjes së restoranteve, pasi klientela e tij bazohej nga turistët e huaj, si dhe mospasja e ambienteve të jashtme, siç lejohet nga udhëzimi i Ministrisë së Shëndetësisë.

Të gjitha restorantet kanë vuajtur masat kufizuese. Faktorët kryesorë që kanë rënduar situatën e tyre edhe pas zbutjes së masave ishin oraret e reduktuara, moslejimi hapur gjatë fundjavave, klientela e tyre që në disa raste ishin plotësisht të varur nga turistët e huaj apo mungesa e mjediseve të jashtme.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë