Lajme

RENEA “merr” në dorë Policinë e Durrësit

Drejtori i Policisë së Qarkut të Durrësit, Alfred Çepe është shkarkuar nga detyra dhe në vend të tij është emëruar Leonard Shehu, ish-komandant i forcave speciale të Repartit të Eleminim, Neutralizim të Elementit Armatosur, RENEA.

Alfred Çepe qëndronte në këtë post prej tre vitesh, kohë kur raporte ndërkombëtare e kanë vendosur Portin e Durrësit në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian sasi të konsiderueshme kokaine. Zëvendësimi i tij me profilin e Lorenc Shehut, si ish-komandant i forcave RENEA, në vetvete konfirmon tërthorazi se problematika e krimit të organizuar në Durrës është bërë shqetësuese.

Zyrtarisht nuk jepet motivi i këtyre lëvizjeve në kupolën e policisë së qytetit bregdetar, por ato mbërrijnë pak ditë pas operacionit për kapjen e porositësve të një sasie të konsiderueshme kokaine me prejardhje nga Ekuadori.

Në këtë operacion, policia arrestoi dy punonjës të portit, por as Gentian Malindin, personin që tërhoqi pakot me oriz, duke menduar se ishte kokaina e porositur dhe as ra në gjurmët e porositësve të drogës.

Droga në fjalë ishte sekuestruar nga policia greke dhe zëvendësuar me 22 pako me oriz të pajisur me përgjues dhe lokalizues (GPS). Pavarësisht se nuk sekuestroi asnjë gramë kokainë dhe as ra në gjurmët e organizatorëve të këtij trafiku, Policia Shqiptare e vlerësoi si të suksesshëm këtë operacion në bashkëpunim me policinë greke dhe DEA-n amerikane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë