Si prindër, a jeni përballur ndonjëherë me situata si këto: po dilni për një shëtitje dhe është dimër, mirëpo fëmija juaj refuzon të vërë një kapelë të ngrohtë apo të veshë pallton? Përpiqeni ta bëni gati për në shkollë, pa vonesë, por djali ose vajza juaj "nuk ju dëgjon"? Bëheni gati për të fjetur, por ai/ajo luan dhe kënaqet?
Kjo është kriza 7-vjeçare, e cila ndodh pikërisht në kalimin e moshës parashkollore dhe shkollës fillore.
Psikologja dhe psikoterapistja Aljona Jonuzi thotë për Gazetën “Si” se “kufijtë e moshës së krizës janë mjaft arbitrare. Konsiderohet se koha e zakonshme e manifestimit është mosha 6-8 vjeç”. Gjatë kësaj periudhe, shumë prindër fillojnë të vërejnë ndryshime në sjelljen e fëmijës, të cilat mund të quhen shkathtësi. Prindërit ankohen se një fëmijë mund të qëndrojë para një pasqyre me orë të tëra dhe të bëjë fytyra të çuditshme, ngërdheshje, të imitojë ata përreth tij, të shtiret, të mbyllet në vetvete apo edhe të fshehë diçka.
Përpos kësaj, ka një rritje të shprehive dhe gjendjes emocionale, e cila manifestohet në teka apo paqëndrueshmëri emocionale. E gjithë kjo tregon që fëmija në mënyrë aktive ka filluar të tejkalojë moshën parashkollore dhe po përgatitet të hyjë në periudhën shkollore.
Këto karakteristika të sjelljes pasohen nga ndryshime shumë të rëndësishme personale që ndodhin tek fëmija.
“Së pari, ai rritet dhe humbet spontanitetin e tij fëmijëror. Fillon të zhvillojë një dallim të qartë midis jetës së brendshme dhe të jashtme”, tregon Jonuzi.
Kjo do të thotë, nëse më herët nuk do të kishte pengesa midis dëshirës së fëmijës dhe veprimit të tij (unë dua të bëj), tani midis dëshirës dhe veprimit luan rol përvoja se çfarë kuptimi do të ketë kjo për vetë fëmijën (dua ta mendoj). Fëmija fillon të mendojë për pasojat, ai është më kritik për situatën, nis të vlerësojë atë që po ndodh për të kuptuar sa më mirë kontekstin. Nuk shpreh më të gjitha mendimet që i vijnë në mendje, duke kuptuar se kjo mund të shqetësojë apo fyejë një person tjetër.
“Në psikologji, simptoma e "karameleve të hidhura" është kur një fëmijë ndihet keq, por ai përpiqet ta fshehë atë dhe të mos tregojë ndjenjat e tij përpara të tjerëve.
Së dyti, në këtë periudhë të moshës, fëmijët pësojnë ndryshime tek përvojat emocionale: ato janë më të kuptueshme dhe më të përgjithshme. Thënë kjo, “në këtë moshë, fëmija fillon të "mbledhë" ato përvoja emocionale që lindin në situata të ndryshme shoqërore, pranon dhe kupton përvoja të reja”.
Për shembull, për atë tani është më e rëndësishme çfarë thuhet për të në kopsht/shkollë , si takohen bashkëmoshatarët e tij, çfarë suksesi ka në rrethin e tij, çfarë thonë prindërit kur fëmija nuk ka sukses. Bazuar pikërisht në këto rishikime të këtyre përvojave përreth tij, nis të formohet vetëvlerësimi dhe vetësiguria.
“Këto ndryshime i ndodhin fëmijës dhe prindërit duhet ta kuptojnë se sa e vështirë është për ta që të përballojnë këto mendime dhe ndjenja të reja dhe duhet të mbështesin fëmijën e tyre në këtë kohë të vështirë.
Ka tre gjëra që prindërit duhet të kujtojnë në krizën e moshës 7-vjeçare.
“Gjëja më e rëndësishme është të mos qortojnë për sjellje të pazakonta apo qesharake, pasi veprimet e pahijshme, ngërdheshjet dhe imitimet gradualisht do të zhduken”, thotë Jonuzi.
Jonuzi tregon për Gazetën “Si” se nëse vazhdimisht prindërit i qortojnë fëmijët, atëherë ekziston një probabilitet i lartë që kjo karakteristikë e sjelljes të vazhdojë ose fëmija të ndihet fajtor.
“Këto manifestime të sjelljes janë një normë mendore dhe një shenjë e zhvillimit harmonik dhe në kohën e duhur”, thotë Jonuzi.
Prindërit duhet ti lavdërojnë fëmijët për sukseset dhe përpjekjet e tyre, si edhe t’i ofrojnë mbështetje dhe ndihmë nëse fëmija nuk ka sukses. Meqenëse nga kjo periudhë moshe vetëvlerësimi fillon të formohet në mënyrë aktive, “analiza e sukseseve dhe dështimeve të tij do ta ndihmojë fëmijën në të ardhmen të formojë një ide më të përshtatshme për veten”.
Jonuzi shpjegon se prindërit duhet të ndërtojnë një marrëdhënie besimi dhe të zhvillojnë kontakte emocionale me fëmijën. Duhet të tregojnë një interes të sinqertë në punët dhe mendimet e fëmijës, në atë që e bën atë të lumtur në jetë, se çfarë i pëlqen dhe çfarë jo.
“Prindërit nuk duhet të harrojnë të ndajnë me fëmijët përvojat dhe ndjenjat”. Mosha 7-vjeçare është momenti kur fëmijët duhet të kuptojnë se mund të ndajnë me prindërit çdo përvojë që do të ketë në shkollë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.