Futboll

Duka për finalen e 25 majit: Krenari për ne, polemikat të kota

Gazeta Si - Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka folur së fundi për finalen e 25 majit. Në një intervistë për “La Republica” ai ka theksuar se janë bërë përgatitjet e duhura këtë event të madh.

“Është krenari e madhe për ne të sillnim në vendin tonë finalen e parë historike të Ligës së Konferencës. Kemi punuar shumë këto vite për ta bërë Tiranën, të paktën për një ditë, qendrën e futbollit europian. Gjithçka po shkon shumë mirë, jemi gati”, - ka thënë fillisht Duka.

Duka dhe Ceferin gjate nje takimi. Gazeta Si, 17 maj 2022

Pastaj, kreu i FSHF-së, njëkohësisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, prek çëshjtjen e biletave: “Janë polemika të panevojshme. Dashakeqe më saktë. Janë burim paragjykimesh ndaj shqiptarëve. Ne jemi të aftë të organizojmë një event kaq të rëndësishëm dhe do ta dëshmojmë këtë më së miri.

Stadiumi është një xhevahir, është impianti më i mirë në vendin tonë dhe përmbush të gjitha kriteret e UEFA-s. Nëse nuk ishte kështu, nuk do na besonin një finale. Ndoshta nuk pritej një kërkesë kaq e madhe për bileta nga dy finalistët.

Nuk e kuptoj për çfarë ankohet Fejnordi. Me një kapacitet prej 21 mijë vendesh, Roma dhe Fejnordi kanë pasur në dispozicion nga 4000 bileta secila, gati 20% të kapacitetit total. Pjesa tjetër është shitur për publikun e gjerë, sipas rregulloreve të UEFA-s.

Tifozë pa bileta? Ndodh gjithmonë, në çdo event madhor. A mendoni se në Paris për finalen e Championsit nuk do të shkojnë tifozë të Realit dhe Liverpulit pa bileta?

Për ata që nuk do të mund të hyjnë në stadium do të jetë një okazion për të përjetuar atmosferën festive të një finaleje në një vend, që mbase shumë prej tyre nuk e kanë vizituar kurrë më pare”, - është shprehur Duka.

Presidenti i FSHF-së ka garantuar për sigurinë: “Jemi të gatshëm të presim të gjithë ata që duan të vijnë në Tiranë. Ka një grup pune organizativ të ngritur posaçërisht për këtë event.

Në Tiranë do të ketë dy “fan zone” të dedikuara për tifozët e Romës dhe Fejnordit. Aeroporti i kryeqytetit dhe porti i Durrësit do të jenë dy pikat e para hyrëse me sisteme kontrolli për të shmangur kontaktet mes dy tifozerive”.

Duka ka thënë në fund se do të bëjë tifo për Romën: “Që në fillim të kompeticionit kam shpresuar që në finale të vinte Roma. Jemi dy popuj shumë të afërt, më lidhin shumë gjëra me Italinë. Më 25 maj do të bëj tifo për Romën”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë