Futboll

Finalja e Tiranës i dhuron Italisë një vend më shumë në Europë

Gazeta Si - Finalja e Tiranës është shumë e rëndësishme për Romën dhe gjithë Italinë. Roma mund të mbyllë me një trofe europian këtë sezon të vështirë, trofe që i mungon prej shumë vitesh. Por mund t’i bëjë një nder të madh Italisë, t’i japë një vend tjetër në Europë.

Numri i skuadrave italiane në Kupat e Europës 2022-2023 varet nga Roma dhe finalja e Tiranës. Vendet në dispozicion aktualisht janë 7, por mund të bëhen 8, nëse Roma fiton në “Air Albania” dhe zë vendin e 8-të në kampionat.

Në Ligën e Kampionëve shkojnë 4 skuadrat e para të Serisë A, Milani, Interi, Napoli dhe Juventusi. Rregullorja i rezervon Italisë 2 vende në Ligën e Europës, skuadrën e 5-të në kampionat dhe fituesin e Kupës së Italisë.

Roma feston nje gol. Gazeta Si, 17 maj 2022

Por, duke qenë se dy finalistët, Interi dhe Juventusi, janë në Ligën e Kampionëve, hapet një vend në Ligën e Europës edhe për vendin e 6-të të kampionatit. Vendi i 7-të shkon në Ligën e Konferencës dhe i 8-i mbetet në shtëpi.

Në teori, sepse këtu hyn në lojë Roma. Nëse skuadra e Mourinjos fiton Ligën e Konferencës, fiton të drejtën të luajë sezonin e ardhshëm në Ligën e Europës.

Nëse Roma e mbyll kampionatin në vend të 5-të apo të 6-të, Italia do ketë 2 skuadra në Ligën e Europës dhe të 7-ën në Ligën e Konferencës.

Nëse verdhekuqtë mundin Fejnordin në Tiranë dhe zënë vendin e 7-të në kampionat, Italia do ketë 3 skuadra në Ligën e Europës (5, 6 dhe Roma) dhe asnjë në Ligën e Konferencës.

Por, nëse Roma fiton kupën dhe zë vendin e 8-të në kampionat, Italia fiton një vend më shumë: 4 në Ligën e Kampionëve, 5, 6 dhe Romën në Ligën e Europës dhe vendin e 7-të në Ligën e Konferencës. Pra, 8 skuadra në total.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë