Real Madrid është një nga klubet më të mëdha dhe të suksesshëm në historinë e futbollit. Në këtë mijëvjeçar të ri klubi madrilen e ka përforcuar edhe më shumë këtë filozofi të tij, duke fituar një mal me trofe të rëndësishëm. Si asnjë skuadër tjetër në këto dy dekada, klubi “Los Blancos” ka fituar 5 tituj në Ligën e Kampionëve, duke e çuar në 13 numrin total të këtyre trofeve në historinë e tij. Por përtej këtyre sukseseve të mëdha, për klubin madrilen ka edhe pika të errta. Një nga ato, është ndërrimi shpeshtë i trajnerëve. Ky “ves” për klubin nga kryeqyteti spanjoll duket se është përforcuar më shumë nën dirigjimin e presidentit Florentino Perez.
Janë plot 15 trajnerë të ndërruar nga Real Madrid në 15 vitet e fundit. Ishte Vincente Del Boske, njeriu që i hapi rrugën këtij lloj trendi në skuadrën spanjolle, pasi që nga largimi i tij në vitin 2003 trajnerët në këtë klub janë ndryshuar shumë shpesh. Disa prej tyre mbase edhe nuk i mbani mend, por më poshtë iu paraqesim listën e 15 trajnerëve që Real Madrid ka ndërruar në një dekadë e gjysmë.
Karlos Keiroz (2003 – 2004)
Në mënyrë surprizë, pasi u largua Del Boske në verën e vitit 2003, në stolin e klubit mbretëror u ul portugezi Karlos Keiroz. Florentino Perez bashkëpunoi me Keiroz vetëm për një vit, pasi në fund të sezonit 2003-2004 tekniku luzitan u largua me vetëm një trofe të fituar, Superkupën e Spanjës.
Hoze Antonio Kamaço
Pasi e kishte drejtuar Real Madrid në sezonin 1998-1998, Hoze Antonio Kamaço u rikthye në klubin madrilen në vitin 2004. Por rikthimi ishte një dështim total. Pas disa përplasjeve me futbollistët dhe stafin, Kamaço u largua vetëm pas katër ndeshjeve te Real Madrid dhe me asnjë trofe të fituar.
Mariano Garsia Ramon (2004)
Pas largimit të Kamaço, presidenti Perez thirri në krye të stolit të skuadrës “Los Blancos”, Mariano Garsia Ramon. Ai kishte qenë ndihmës i Kamaços dhe qëndroi në krye të ekipit për tre muaj, para se drejtimin e eipit ta merrte, Vanderlei Luxemburgo.
Vanderlei Luksemburgo (2005)
Pas humbjes në “El Clasico” 3-0 brenda në “Santiago Bernabeu”, Luksemburgo e kishte që në fillim të nxehtë stolin e tij te Real Madrid. Nuk vazhdoi shuma gjatë dhe tekniku brazilian u largua nga drejtimi i skuadrës, në 4 dhjetorin e vitit 2005, pasi kishte humbur derbin e vogël me Getafen në shifrat 1-0.
Huan Ramos Lopez Karo (2005-2006)
Pas largimit të Luksemburgo, ditën tjetër Florentino Perez emëroi në krye të ekipit Lopez Karo. Nën drejtimin e tij, “galaktikët” e mbyllën sezonin në vendin e dytë dhe shkuan deri në 1/16-at e Ligës së Kampionëve, ku u eliminuan nga Arsenal. Këto rezultate nuk mjaftuan që ai të mandatohej në krye të ekipit edhe për sezonin pasardhës.
Fabio Kapelo (2006-2007)
Pas disa eksperimentimeve me trajnerë me pak eksperiencë, Perez duket se në verën e vitit 2006 “zuri mend”. Në qershorin e asaj vere në krye të “Los Blancos” u emërua italiani, Fabio Kapelo. Italiani solli titullin e La Liga në kryeqytetin spanjoll pas disa vitesh dështime të njëpasnjëshme. Por aventura e Kapelos në krye të Real Madrid nuk zgjati më shumë se një vit, pasi në fund të sezonin 2006-07, ai u shkarkua, pas disa debatesh që pati me drejtuesit e klubit.
Bernd Shuster (2007-2008)
Me largimin e italianit, në stolin e Real Madrid u ul i pari dhe i fundit gjerman në “erën Ramon Kalderon”. Bernd Shuster erdhi me pritshmëri të mëdha, por nuk arriti kurrë aty ku pritej. Pas një sezoni e gjysmë, në dhjetorin e vitit 2008, Shuster u largua nga Real Madrid.
Huan de Ramos (2008-2009)
Pas largimit të gjermanit, presidenti Ramon Kalderon iu rikthye trajnerëve spanjoll. Në stolin e skuadrës në dhjetorin e vitit 2008 u ul, Huan De Ramos, që vinte nga Totenham në Premier League, ku ishte konsideruar si një dështim. Ramos e mori Real-in në vendin e 6-të dhe në fund ia doli që ta çojë deri në vendin e dytë, por në qershor edhe ai u largua.
Manuel Pelegrini (2009-2010)
Edhe pse bëri shumë mirë te Real Madrid, rezultatet në javët e fundit bën që Huan de Ramos të largohej dhe zëvendësuesi i tij do të ishte Pelegrini. Ky i fundit qëndroi në krye të skuadrës madrilene për vetëm një sezon edhe pse erdhi me bujë të madhe dhe merkato në dispozicionin e tij ishte shumë e fuqishme, me afrime si Ronaldo, Kaka, Benzema apo Alonso. Ai bëri mirë në kampionat, ku u mposht nga Barcelona e Guardiolës me vetëm dy pikë më shumë, por rezultatet negative në Ligën e Kampionëve dhe Kupë e larguan atë nga skuadra “Los Blancos”.
Hose Murinjo (2010-2013)
Trajneri më jetëgjatë në Madrid në 15 vitet e fundit, është “special one” edhe pse jo më i suksesshmi. Hoze Murinjo shkoi në Madrid me stofin e kampionit të Europës, pas suksesit spektakolar që arriti me Inter. Por në tre vite qëndrim në Madrid, portugezi nuk ia doli dot që të thyej Barcelonën e madhe. Në tre sezone fitoi vetëm tre trofe, një kampionat, një kupë edhe një Superkupë.
Karlo Ançeloti (2013-2015)
Pas largimit të portugezit, Florentino Perez rikthehet te trajnerët italianë. I përzgjedhuri në verën e vitit 2013 ishte Karlo Ançeloti. Me të filloi të ngrihej “Real-i i madh”. Në sezonin e tij të parë te “Galaktikët”, Ançeloti fitoi për herë të dhjetë Ligën e Kampionëve. Gjithashtu në sezonin e tij të dytë në krye të bankinës së Real Madrid, u bë trajneri i parë në historinë e këtij klubi që fiton brenda një sezoni katër trofe. Në vitin 2015 ai u largua pa e mbyllur mirë sezonin.
Rafael Benitez (2015-2016)
Pas Ançelotit, Perez zgjodhi në krye të skuadrës, Rafael Benitez. Spanjolli ishte një zhgënjim total, pasi në sezonin e ri nuk qëndroi më gjatë se tetë ndeshje dhe më pas u shkarkua për shkak të rezultateve negative.
Zinedin Zidane (2016-2018)
Spanjollin e pasoi ndoshta trajneri më i mirë i të gjitha kohërave për klubin madrilen. Pasi kishte qenë trajner i ekipit të dytë, Zidane e mori drejtimin e Real Madrid duke e udhëhequr drejt triumfit në Ligën e Kampionëve. Edhe në dy sezonet pasardhëse bëri të njëjtën gjë madje duke fituar edhe një kampionat nuk rezistoi gjatë. Në qershorin e vitit 2018-të ai dha dorëheqjen duke u larguar me vullnetin e tij.
Julen Lopetegui (2018)
Pas Zidane, presidenti madrilen vendosi që për trajnerin e ri të ekipit të “peshkojë” te kombëtarja e Spanjës, duke e marrë Lopeteguin vetëm tre ditë para fillimit të kampionatit Botëror. Ky veprim u duk i nxituar dhe rezultatet e tij u dukën në fillimin e këtij sezoni. Starti ishte humbja me Atletiko Madrid në Superkupë, ndërsa fundi për tekinikun spanjoll ishte disfata me Barcelonën.
Santiago Solari (2018-?)
I 15-ti në këtë listë është argjentinasi Santiago Solari. Ish-mesfushori la ekipin B të Real Madrid dhe për momentin do e drejtojë skuadrën deri në gjetjen e një trajneri të përhershëm. Tashmë të gjithëve në mbetet të presim për të parë se cili do të jetë trajneri i 16-të në 16 vitet e fundit në drejtimin e Real Madrid.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.