Ne rrjet

Referendum në Rumani për reformat në gjyqësor

Së bashku me zgjedhjet europiane, rumunët po votojnë në një referendum për të përmbysur reformën në gjyqësor, në vendin që konsiderohet si ndër më të korruptuarit në Bashkimin Europian. Referendumi u thirr nga presidenti rumun, Klaus Iohannis pas një sërë protetestash dhe debatesh mbi reformat kundër korrupsionit.

Votuesit do t’u përgjigjen dy pyetjeve në këtë referendum. Pyetja e parë është: A mbështesni ndalimin e amnistisë dhe faljes në rastet e lidhura me korrupsionin? Ndërkaq, pyetja e dytë: A dëshironi që qeveria të miratojë urdhra të jashtëzakonshëm, në fushën e krimeve, ndëshkimeve dhe organizimit gjyqësor dhe zgjatjen e të drejtës për ankesë drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese?

“Drejtësia është çështje e interesit kombëtar dhe njerëzit kanë të drejtë të vendosin nëse duan apo jo që korrupsioni të bëhet politikë shtetërore”, deklaroi presidenti Iohannis, kur shpalli mbajtjen e referendumit.

Në muajin shkurt, mijëra qytetarë protestuan në Rumani, pasi qeveria kishte miratuar masat emergjente pa bërë fillimisht një debat publik për to, masa të cilat, sipas kritikëve, kufizojnë pavarësinë e prokurorëve.

Këto masa ishin në vazhdën e disa ndryshimeve legjislative që ka bërë Qeveria e udhëhequr nga Paria Social-Demokrate, e cila erdhi në pushtet dy vjet më parë. Ndryshimet e bëra nga kjo qeveri, nxitën shqetësim në Bashkimin Europian dhe në Shtetet e Bashkuara, mbi sundimin e ligjit në Rumani.

Klaus Iohannis

Partia Social-Demokrate kundërshton referendumin dhe miratoi një dekret që ndryshoi vlefshmërinë e votimit, duke bërë që referendumi të jetë i vlefshëm vetëm nëse në votime marrin pjesë 30 për qind e qytetarëve.

Rereferndumi vjen ndërkohë që Rumania dhe BE-ja janë përplasur ashpër për reformën e gjyqësorit , pasi Brukseli zyrtar mendon se është i motivuar politikisht dhe do të minonte luftën e vendit kundër korrupsionit.

Problemi më i madh i Rumanisë është korrupsioni gjithëpërfshirës i klasës sunduese. Ai është kudo, në sistemin shëndetësor dhe arsimor të vendit, në rrjetet e tij të transportit në institucionet financiare, bujqësore dhe sociale. Korrupsioni duket se punon në kurriz të qytetarëve të thjeshtë dhe është bërë pjesë e jetës së përditshme të Rumansë postkomuniste.

Për të mbrojtur veten, partia në pushtet ka ndërmarrë një sërë përpjekjesh për të ndryshuar legjislacionin gjyqësor, përpjekje që patën kulmin në korrik të këtij viti me shkarkimin e prokurores kryesore të vendit, Laura Codruza Kovesit. Ajo që po planifikojnë baronët e partisë në pushtet këto ditë është kapja dhe kontrolli me forcë i shtetit, sado e vështirë dhe primitive të duket kjo.

Protestat e qytetarëve,të cilat kanë vazhduar për më shumë se një vit e gjysmë janë rezultat i drejtpërdrejtë i sulmit të vazhdueshëm të qeverisë ndaj demokracisë dhe përpjekjeve të saj për të shkatërruar sundimin e ligjit.

Për shumë ekspertë, pas reformës së re, është e drejtë të thuhet se Rumania është bërë Nikaragua e Europës dhe se udhëheqësi i partisë PSD, Liviu Dragnea, është duke luajtur rolin e Daniel Ortegas. Kryeministri Viorica Dăncilă është konsideruar nga të gjitha palët politike si një marionetë patetike e Dragneas. Të ballafaquar me cinizmin e udhëheqësve të tyre, grupet qytetare rumune janë përgjigjur me ironi dhe pritet të votojnë gjërësisht kundër këtyre ndryshimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë