Muzike

Redi Hasa, violonçelisti i shpirtit të Mesdheut

Suadela Balliu - Që të luash në violonçel, duhet ta përqafosh, të ndiesh vibracionin kur e mbështet në gjoks, t’ia prekësh telat me dashuri, ndërsa instrumenti të përgjigjet me tinguj. “Ndonjëherë të përgjigjet mirë, ndonjëherë keq. Është normale”, thotë violonçelisti, që e sheh si të ishte një trup, një njeri. “Ka një jetë të vetën. Me të, është marrëdhënie dashurie. Në fakt, më shumë është dashuri-urrejtje. E mira dhe e keqja bashkë... pak a shumë si jeta”.Kudo që udhëton, Redi Hasa e ka instrumentin muzikor të 1860-ës, shoqëruesen e pandarë. Jo vetëm që ka vendin e saj të dedikuar në avion, por muzikanti shqiptar zbulon se e ka pagëzuar me emër; quhet Sofi . “Ka një histori  shumë të bukur, është antik dhe  ka një tingull që,  po arrij t’ia njoh dalëngadalë. Po më fal  emocione  shumë të mëdha”, rrëfen Hasa, të cilin vjeshta e solli në Tiranë, në ato të pakta vizita në njëzet vite që jeton jashtë, në Leçe, të Italisë.

Robert Bisha, Michel Goddard dhe Redi Hasa në "Fustanella Festival" 2, në Tiranë

Ishte edicioni i dytë i “Fustanella Festival”, festa e muzikës që jehon deri tek rrënjët, që e joshi  të vinte e të luante muzikë me violonçelin e tij, ndërsa zbulon se ishte gjithashtu pjesëmarrës edhe në edicionin e parë, vitin e kaluar, që u mbajt në Gjirokastër. “Është viti i dytë që më ftojnë dhe falënderoj  Olsin (Suilejmani)  dhe Robertin (Bisha) dhe të cilin jemi njohur në Itali, në një festival tjetër dhe kemi pasur mundësi të luajmë bashkë  dhe të shkëmbejmë eksperienca dhe menjëherë u krijua harmoni shumë e bukur artistike e miqësore, që më bëri të vij edhe për këtë herë të dytë”, thotë Hasa, i sapokthyer Korça, ku pas dy netëve në Tiranë, në koncerte në Katedralen Ortodokse dhe Muzeun Historik Kombëtar, organizatorët menduan ta çonin tingullin e festivalit edhe në qytetin juglindor.

Robert Bisha në piano, Redi Hasa në violonçel, në katedralen Ortodokse, Tiranë. 

I ka ende të freskëta emocionet e një viti më parë, në Gjirokastër, “aty ku merr kuptim edhe fustanella”, shton muzikanti, duke përshkruar tablonë me shtëpi të vjetra, kalldrëme, kështjellën dhe atë përzierje melodish që buronte nga çdo qoshk i lagjes muzeale. “Sheh tokën nga e cila merr udhë gjithçka duke hapur shumë dritare të tjera. Gjithçka dukej fluide, si një lumë që rrjedh qetë, i lehtë, pa asnjë pengesë. Gjithçka ishte spontane dhe kur është kështu, e ndien lirinë.” Liri të shpirtit e quan ai, që të bën të fluturosh e ta shohësh të gjithën nga lart. “Ka poezi dhe magji. Ajo përzierje zhanresh nga kori polifonik tek Robert Bisha në piano, pastaj banda “Fanfara”, ndjekur nga një DJ nga Londra që luan motive turke... Një Mesdhe si një përqafim i madh.”

Këtë vit,  pati mundësi të takohej sërish me pianistin Robert Bisha dhe një sërë artistësh të huaj e vendas si;  muzikanti klasik, xhazisti avangard dhe instrumentisti i tubës,  Michel Godard – një emër i nderuar në muzikën botërore – bandën frymore “Fanfara Tirana”, Baba Zula, Ahmetjah DJ, Mirsad Dalipi, Roy Paci, e shumë të tjerë. “Është një festival i ri dhe organizatorët po bëjnë punë shumë të mirë. Po sjellin një mendim të ri, që ndoshta vjen nga shqiptarët, të cilët nuk jetojnë këtu.”Për të shmangur keqkuptimet që mund ta përkthenin mendimin e tij në mendjemadhësi, Redi Hasa, menjëherë saktëson: “Nuk them se ne e ndiejmë më shumë se shqiptarët që jetojnë këtu. Por ndoshta kemi një lidhje të çuditshme...”

https://www.youtube.com/watch?v=Fs04xLh9--k

Për të Shqipëria ka ndalur si një pamje e mbërthyer brenda një fotografie, “të cilën e kujton gjithmonë. E sheh dhe të mbeten gjërat e bukura, edhe të shëmtuarat. Kur je jashtë të mungon kjo dhe unë i rikthehem traditës”. Muzikën tradicionale nisi ta dëgjojë dhe ta eksperimentojë në Itali, “por e kam jetuar këtu, pa i dhënë rëndësinë e duhur”, pranon.U largua në vitin 1998 për të ndjekur studimet në konservatorin shtetëror  “Tito Schipa” , në Leçe të Italisë, por rrugëtimin me violonçelin e nisi në moshën 6-vjeçare, në shkollën e muzikës “Kongresi i Përmetit”,  në Tiranë.Pas formimit tetëvjeçar klasik në konservator, u gjend përballë muzikës tradicionale, tingujve mesdhetarë e ballkanas, rastësisht kujton. “Më ftuan në një kuintet, ku improvizohej - pak xhaz, pak  muzikë psikedelike – dhe, kur nisa të luaj, si padashur, pa menduar, më dilte ndonjë temë, nuancë e muzikës tradicional dhe unë vetë mbeta  shumë i habitur. Ishte një moment i pakontrolluar, i vërtetë, aty ku  humbet unin dhe je diçka tjetër...”

Që një instrumentist ta lëshojë unin dhe të shkrihet si pjesë e së tërës, është gjë e rrallë, thotë, duke qeshur. “Ne jetojmë për këtë. Është sitë thuash jetojmë për një notë. E gjithë jeta na shkon për ta gjetur atë notë,  por atë notë që të godet në shpirt, që të bën të përlotesh, të emocionosh, por që shkon edhe përtej emocionit, që lidhet me zotin e muzikës.”Për ata që mendojnë se muzikantët, instrumentistët janë në kërkim të përsosmërisë, Hasa thotë, se ky lloj kërkimi nuk ka shumë kuptim, nëse nuk kërkohet diçka më e madhe; shpirti.

Eksperimentimin me një instrument të parë ekskluzivisht vetëm për muzikën klasike – muzikë dhome, kuartete e kuintete – e nisi herët, që në kohën e liceut “Jordan Misja”. “Atëkohë, argëtohesha, duke e luajtur herë si bass, herë si kitarë... Doja të gjeja të gjithë potencialin që ka ky instrument”, i cili zbulon më tej, është më afër zërit të njeriut. “Godet fort dhe ka mundësi dhe gamë shumë të madhe tingulli.  Ka shumë potencial. Mund të hapësh mendjen për të kërkuar më shumë nga instrumenti dhe nga vetja, të shohësh ç’gjëra  mund të t ë  japë instrumenti. Dhe këto,  me muzikën ballkanike vijnë shumë normale”, rrëfen instrumentisti.

 “Kam bërë shumë projekte, kam një duo me këngëtaren italiane Maria Marzotta në violonçel dhe zë, prej 6 vitesh bashkëpunoj me kompozitorin Ludovico Einaudi dhe e kam futur në muzikën time aromën e Shqipërisë.”

Tradita  shqiptare, tingujt e Ballkanit dhe ngjyrat e Mesdheut janë pjesë e pandashme e muzikës që luan dhe krijon Redi Hasa dhe përshkruar kështu e kupton se violonçeli e gjen Ballkanin dhe kulturën mesdhetare në tingujt  e tij.   “Kam bërë shumë projekte, kam një duo me këngëtaren italiane Maria Marzotta në violonçel dhe zë, prej 6 vitesh bashkëpunoj me kompozitorin Ludovico Einaudi dhe e kam futur në muzikën time aromën e Shqipërisë.”Eksperimentimin me muzikën tradicionale nuk e quan çështje mode, “të mungon toka”, shton, “Kur dëgjoj diçka që afrohet muzikës sime, e ndiej shtëpinë menjëherë. Është kontakt i drejtpërdrejtë, nuk ka gënjeshtra.”Tabanin e muzikës shqiptare e cilëson si një pasuri të paçmuar. “Jemi ne. Nëse humbet, humbet identiteti, historia.”

https://www.youtube.com/watch?v=CuDoN1wx0Ho

Me keqardhje vëren se në Shqipëri muzika tradicionale trajtohet me më pak respekt, shpesh e parë edhe si “demode”. “Kur prezantohemi si shqiptarë, e bëjmë me të gjithë tabanin tonë.” E pranon se publiku i huaj tregon më shumë respekt ndaj kësaj muzike. “Madje shumë gazetarë kanë shkruar në një mënyrë shumë  poetike dhe të bukur  për Shqipërinë, muzikën polifonike, si muzikë arkaike, e cila  duhet mbrojtur, nuk duhet shpërdoruar”, thotë, me shpresën se do të ruhet identiteti i muzikës shqiptare.Çfarë ka shpirti i Ballkanit, që e josh publikun e huaj? Redi Hasës nuk i duhet  të mendohet gjatë për të gjetur përgjigjen. “Është magji, ndihet festa, dasma me klarinetë, funerali me bandë, është e pastër, vjen nga shpirti i popullit dhe përmes muzikës njeh temperamentin e një populli, çfarë jetë ka bërë, çfarë vuajtjesh ka kaluar. Muzika ballkanike është pjesë e rëndësishme për muzikën botërore”. Muzikanti kështu nis të rrëfejë historinë e popujve, përmes tingujve.

Kthimet në Shqipëri, megjithëse të rralla, i janë kthyer edhe në një rrugëtim eksplorues për nuanca, të cilat bëhen shpejt pjesë e muzikës së tij. Këtë vit, i ra dy herë, të vinte në Shqipëri. Gjatë verës ishte në Theth, në festivalin “Zâ Fest”, organizuar nga muzikanti Vlashent Sata, së bashku me këngëtaren italiane Maria Marzotta, me të cilën prej vitesh ka krijuar dyshen Hasa-Marzotta, “një nga zërat më të mirë”, e cilëson ai, ndërsa ka pëlqyer ndër të tjera mënyrën sesi e këndon ajo muzikën shqipe. “Me ato theksin pak të zhvendosur, por që i jep shije pikante dhe kjo më la pa fjalë tek ajo”.Festivalet si   “Zâ Fest” dhe “Fustanella”  i cilëson si mrekulli shqiptare, ngjarje të rralla e “që zor se i gjen dy të tilla në Europë”, thotë. “Kemi nevojë për këto aktivitete  dhe duhet t’u japim forcë. Njerëzit duhet  të jenë kureshtarë, të vijnë  t’i ndjekin e t’i shohin bukuritë që kemi.Thotë se tani ka nisur ta njohë vërtet Shqipërinë, ku veç festivaleve ka shijuar rivierën gjatë stinës së verës.

https://www.youtube.com/watch?v=8qY3WvszKVU

Hasa zbulon sesa krenar ndihet kur dëgjon grupe në Salento, qyteti ku jeton, që këndojnë muzikë shqip. “Është një grup frymor Opa Cupa, shumë i njohur që luajnë muzikë ballkanike dhe më bëhet qejfi kur i dëgjojnë që këndojnë edhe pjesë shqiptare. Apo të dëgjosh një grup italian, belg apo norvegjez që këndon “Lule të bukura ka Tirana”. Kur erdhi grupi i Lapardhasë dhe dha koncert, u shitën të gjitha biletat”,  tregon. Në këto festa ku Mesdheu shpaloset me të gjithë notat, aromat e ngjyrat, u njoh edhe me kompozitorin Ludovico Einaudi, me të cilin bashkëpunon prej gjashtë vitesh dhe ka marrë pjesë në koncerte në të gjithë botën.“U njohëm në një festival të muzikës tradicionale në Salento; një ndër më të mëdhenjtë në Europë. Një festival që ka arritur të kërkojë identitetin e muzikës salentinase.”

Kur prezantohemi si shqiptarë, e bëjmë me të gjithë tabanin tonë.”

Thotë se për pesëdhjetë vite në këtë zonë, muzika tradicionale pati një bllokim, pasi shihej si muzikë për njerëz pak të kulturuar, ndërsa simbole të kulturës ishin muzika klasike dhe opera. “Është muzikë që vjen nga populli; fshatarët që mblidhnin duhan dhe këndonin... njësoj si muzika bluz. Ka këngë për dasma, për gëzime, protesta. U mungonte tradita dhe u vunë në kërkim. Pa traditë nuk je asgjë. Amerikanët, nga ana tjetër, e vuajnë mungesën e traditës. Ne jemi me fat”, thotë ndërsa vijon të rrëfejë rrugëtimin e bashkëpunimit me Einaudin. Thotë se kanë realizuar sëbashku tre disqe dhe janë ndërkohë duke regjistruar më të riun, në “ Eyes Studio”, në Londër, “një ndër më të mëdhatë,   ku kanë regjistruar grupe të mëdha si Beatles apo Rroling Stones”, sqaron, ndërsa ky disk, do të ketë në brendësi shtatë të tjerë. Është pak i veçantë; janë  shtatë disqe si me emrat e shtatë ditëve të  javës.”

Redi Hasa dhe Maria Marzotta 

Koncertet nëpër botë  - i ka shkelur të gjithë kontinentet e ka interpretuar në vende të largëta si Australia, Zelanda e Re apo Japonia – zënë më shumë se një të tretën e vitit, me njëqind e ca ditë, jashtë shtëpisë. “Është një jetë në lëvizje. Ndihem si të thuash, qytetar i botës edhe pse na vënë ca kufij, me radhë të gjata pritjeje për të marrë një vizë, të paktën të mos kemi kufij mendorë”, thotë ndërsa zbulon se këto ditë në Tiranë, pas festivalit, po i shfrytëzon për të nxjerrë pasaportën. Në njëzet vjet qëndrimi në Itali, ka zgjedhur të mos aplikojë për nënshtetësi, “doja të kisha pasaportën shqiptare”, thotë dhe kjo këmbëngulje e ka çuar shpesh nëpër dyert e ambasadave të huaja duke pritur në radhë, që shkonin edhe mbi njëqind veta.

“Është magji, ndihet festa, dasma me klarinetë, funerali me bandë, është e pastër, vjen nga shpirti i popullit dhe përmes muzikës njeh temperamentin e një populli, çfarë jetë ka bërë, çfarë vuajtjesh ka kaluar. Muzika ballkanike është pjesë e rëndësishme për muzikën botërore”

Përtej koncerteve, ka qenë i angazhuar edhe me diskun e ri të Robert Plant –këngëtarit  të grupit legjendar të rrokut “Led Zeppelin” . “Aty regjistrova tri pjesë. Ishte eksperiencë e bukur, sepse jemi rritur me atë rrokun e viteve ‘70”. Kujton kohët, kur jetonte ende në Tiranë, në fillim të viteve ’90, kur bashkë me Bojken Lakon krijuan grupin e rrokut “Fish Hook” .“Ka qenë periudhë shumë e bukur”, thotë jo pa nostalgji, “me problemet e veta, por kishte lëvizje, dëshirë, etje të madhe për muzikë. Më vjen keq që ka humbur pak ai shpirt”, thotë.

https://www.youtube.com/watch?v=rM1cLr4mDWc

Ka bërë udhë të gjatë me zhanre të ndryshme të muzikës dhe thotë se “të gjitha bëjnë pjesë tek unë dhe i ndiej në çdo moment.” I ka derdhur të gjitha ato emocione në diskun e tij të parë solo, të cilin sapo ka përfunduar së regjistruari dhe zbulon se do të dalën me etiketën e “Sony Music”, një prej shtëpive më të mëdha diskografike të botës, me qendër në Amerikë.Ka realizuar deri më tani tetëdhjetë e nëntë disqe, por asnjë solo. “Erdhi në moshën 40-vjeçare. Ishte momenti, por mendoj se edhe më shtynë. Më thanë: “Bëj një disk!”. Mendova, nga t’ia filloj?!”

Krijimin e një disku e sheh si çdo lloj krijimi tjetër artistik “si të shkruash një libër, të bësh një pikturë, të vësh një pjesë në teatër, të vësh një balet”. “Çfarë kam unë për të treguar? Më  thanë: “Trego jetën, atë që ke jetuar deri tani.”” U gjend para pyetjes së ç’duhet të rrëfente nga jeta e tij. “Është e çuditshme, në një mendim që zgjati  dy sekonda e gjysmë, më erdhi në mendje baçja e shtëpisë dhe pema e qershisë.”Pjesën e parë, zbulon, e ka titulluar  “Lule qershie”. “Doja të kujtoja. Ky disk flet pikërisht për kujtimet; për atë që kam jetuar dhe atë që dua të jetoj.”Ka zgjedhur t’i shfaqet publikut me këtë disk solo përmes kujtimeve, sepse janë si fotografitë, thotë. “Ishin ndjenja të pastra dhe nuk vinin të reflektuara apo të ndërhyra nga gjëra të tjera. Kur je fëmijë je shpirt i pastër, pastaj rritesh, nisin problemet e jetës, nis të vësh maska...”

Hasa-Marzotta në Theth për "Zâ Fest", gusht 2018

Rruga drejt shtëpisë pasi ka rënë shi, aroma e dheut, era në fytyrë, pemët rreth liceut. “e shoh gjithnjë në ëndërr atë rrugë me pemë.”Disku ishte një mënyrë për t’i ndalur ato kujtime. “Ndoshta me fjalë nuk arrij t’i shpjegoj mirë këto ndjesi, por me tingull po”, thotë i emocionuar.Prezantimin e parë të diskut dëshiron ta bëjë në Tiranë, “ku edhe do të  merrte kuptimin e duhur”, thotë. “Dua të shpjegoj përsenë e të gjithë atyre pjesëve dhe ndoshta publiku do të gjejë aty veten.” Tek ajo Tiranë, pjesërisht e humbur në transformimet e pandalshme që ia ndërrojnë  fytyrën shpesh dhe shpejt, por jo krejt të zhdukur, sepse një muzikant  ka vendosur atë fotografi nostalgjike ta ekspozojë për publikun përmes tingujve. “Redi Hasa nuk është asgjë, jam një ndër disa milionë. Nëse të gjithë do ta ndienim këtë do të ishte me rendësi. Për jetën e fëmijëve, që t’u lëmë diçka. Të mos u lëmë apatinë totale. T’u tregojmë ku është e bukura, ta kërkojnë,  ta gjejnë.”

Megjithëse quan veten pakëz tradhtar, duke i ikur klasicizmit që ysht në mendimin kolektiv instrumenti i violonçelit për të eksperimentuar me muzikën tradicionale ballkanase e mesdhetare, rrëfen se nuk i është larguar plotësisht. “Muzikës klasike i kthehem, sigurisht. Edhe në diskun solo, që janë pjesë të kompozuara nga unë, ka nuanca klasike, sepse bën pjesë në jetën time. Jam rritur me të, e kam nisur që gjashtë vjeç dhe mamasë sime, që ka qenë mësuese violonçeli bë shkollën “Kongresi i Përmetit” i bëhet shumë qejfi; kur i jap atë pilulën e muzikës klasike, shërohet”, thotë duke qeshur.

“Muzikës klasike i kthehem, sigurisht. Edhe në diskun solo, që janë pjesë të kompozuara nga unë, ka nuanca klasike, sepse bën pjesë në jetën time. 

Do të kthehet sërish në Itali, por nuk i duket se largohet shumë, “jetoj në Salento, jemi afër; Otrantoja nga Vlora njëzet minuta larg janë”, thotë me premtimin se do të kthehet së shpejti me koncertin solo, ku do të sjellë me vete, së bashku me violonçelin, së cilës (meqë ai e sheh si një figurë femërore me emrin Sofi) i rezervon gjithnjë biletën dhe vendin e saj në avion, edhe atë Tiranën e kujtimeve të tij, ndërsa do të ulet në skenë, përballë publikut, do të përqafojë trupin e drunjtë me më shume se një shekull jetë, do të ndiejë vibracionin në gjoks, do t’ia prekë telat butë e do të zbulojë ndoshta një anë më shumë, të cilën nuk ia njihet. “Duhet ta njohësh deri në fund, por mbase nuk ka një limit, njohja mund të zgjasë edhe gjithë jetën”, përfundon violonçelisti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë