Ne rrjet

Reciprociteti i Kosovës ndaj Serbisë, kundërshtime në Bruksel e Beograd

Qeveria në detyrë e Kosovës vendosi që nga sot të mos lejohet hyrja e mallrave nga Serbia, dokumentet e të cilave nuk i referohen Kosovës me emrin e saj kushtetues. Vendimi nxiti reagimin e Beogradit, të të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, por edhe kundërshtimin e presidentit të Kosovës dhe të mandatarit të tij për formimin e qeverisë së re.

Sipas vendimit të qeverisë, asnjë maune me mallra serbe nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk shkruan Republika e Kosovës dhe të gjitha duhet të jenë të pajisura me leje hyrëse të lëshuara nga zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi.

endimi i qeverisë do të mbetet në fuqi në afat të pacaktuar dhe është vazhdimësi e masave të reciprocitetit të vendosura më 31 mars. Që atëherë ishte lejuar që mallrat serbe të hynin me mbishkrimin Kosovë, por meqë në eksportet nga Kosova autoritetet serbë kërkuan që të vendoset mbishkrimi Republika e Serbisë, qeveria në Prishtinë vendosi të përgjigjej në mënyrë të ndërsjellë.

Vendimi i qeverisë nxiti zemërim në Beograd. Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç tha se masat e reja janë të papranueshme dhe nuk do të ketë bisedime derisa nuk hiqen ato.

Ndërsa, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, u shpreh i zhgënjyer me masat e reja të të qeverisë së Kosovës. Në një postim në llogarinë e tij në Twitter, zoti Lajçak tha se “këto veprime të njëanshme dëmtojnë rifillimin e bisedimeve duhet të hiqen menjëherë”. Ai ritheksoi se palët duhet të zbatojnë dhe të respektojnë marrëveshjet e arritura në të kaluarën.

Vendimi i qeverisë në detyrë u kundërshtua nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili shkroi në rrjetet sociale se “në përpëlitjet e fundit para se të largohet nga zyra, Kurti po i vazhdon mashtrimet patriotike me vendime strategjikisht të gabueshme. Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada. Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës”, shkroi ai.

Ndërsa Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili është mandatar nga presidenti Thaçi për formimin e qeverisë së re, shkroi se “veprimet e fundit nga qeveria në detyrë nuk e ndihmojnë vendin, por e kurthojnë atë. Është e ditur se reciprociteti është pjesë organike e strukturës tonë ligjore. Por, ne sot kemi nevoje ta mbështesim dialogun me ndihmën e miqve tanë. Qeveria e re do të koordinohet me partnerët strategjikë të Kosovës duke hequr çdo pengesë për dialog. Vetëm përmes këtij koordinimi ne e avancojmë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ia heqim Serbisë alibinë për ta zvarritur marrëveshjen për njohjen reciproke”, shkroi zoti Hoti.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, shkroi ndërkaq se “t’i mohosh Republikës së Kosovës parimin e reciprocitetit do të thotë t’i mohosh asaj ushtrimin e të drejtave të saj sovrane. Kosova dëshiron marrëdhënie të drejta me fqinjët. Bisedimet zhvillohen ndërmjet të barabartëve dhe Serbia duhet ta shoh Kosovën si të barabartë në çdo tryezë”, shkroi zoti Kurti.

Bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian u pezulluan që nga nëntori i vitit 2018, për shkak të tarifave të vendosura nga Kosova ndaj mallrave serbe.

Më 31 mars qeveria e kryeministrit tashmë në detyrë Albin Kurti, hoqi tarifat ndaj mallrave nga Serbia duke i zëvendësuar ato me vendosjen shkallë shkallë të masave reciproke ndaj Serbisë. Vendimi qe mirëpritur nga Bashkimi Evropian por u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kërkojnë heqjen e yë gjitha pengesave për rifillimin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Mospajtimet rreth kërkesave amerikane çuan edhe në përçarjen e koalicionit qeverisës ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila më 25 mars hodhi një mocion mosbesimit me të cilin u rrëzua qeveria e zotit Kurti.

Të enjten Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të një dekreti të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për formimin e qeverisë së re, pa lëvizjen Vetëvendosje.

Më Shumë