Ne rrjet

Realizohet ura e parë elektrike midis Italisë dhe Ballkanit

Italia dhe Mali i Zi kanë përfunduar zyrtarisht ndërtimin e një kablloje energjie nënujore që lidh të dy vendet përmes Detit Adriatik duke e bërë Malin e Zi një qendër energjitike në Ballkan.

Kjo “urë elektrike” që kalon 423 kilometra përgjatë detit Adriatik dhe në thellësi më shumë se 1.000 metra, paraqet një rrugë të re transiti për energjinë, që lidh sistemin elektrik të Italisë, Malit të Zi, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Rumanisë.

"Ky projekt përfaqëson jo vetëm një lidhje të fortë energjetike midis Malit të Zi dhe Italisë, por një model i integrimit të mëtejshëm të kontinentit europian," tha Presidenti malazez Milo Gjukanoviç në një ceremoni në Lastva Grbaljska, njq qytet afër Kotorrit.

Homologu italian i Gjukanoviç, Sergio Mattarella, e cilësoi këtë projekt si një investim për afrimin e Ballkanit Perëndimor me Italinë.

"Vendosja e një lidhje energjetike është një kusht thelbësor për përparimin dhe zhvillimin e shoqërisë moderne. Infrastruktura na sjell më pranë së bashku dhe na bën të ndiejmë se jemi pjesë e të njëjtit projekt, ndajmë burime dhe forcojmë aspiratat tona të përbashkëta.”, tha ai.

Ceremonia e ianugurimit të kabllos nënujore midis Malit të Zi dhe Italisë.

Me një kosto prej 1.15 miliardë euro, ura kalon mes termocentraleve të Cepagatti, në provincën e Pescaras dhe Lastva, në komunën e Kotorrit. Terna, kompania që administron rrjetin kombëtar të energjisë elektrike, përuroi linjën e re të energjisë me Malin e Zi në Abruzzo të Premten 15 Nëntor, në prani të kreut të shtetit, Sergio Mattarella, dhe Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Infrastruktura në përputhje me hartën, do të hyjë në veprim deri në fund të vitit. Ura e re e energjisë do të lejojë që të dy vendet të këmbejnë energjinë elektrike në një mënyrë të dyanshme: fillimisht për një fuqi prej 600 megavat, e cila më pas do të bëhet 1.200 megavat sa më shpejt që do të ndërtohet edhe kablloja e dytë, që pritet në vitet në vijim.
Shuma totale e projektit vlerësohet rreth 1.1 miliardë euro. Puna paraqet lidhjen më të gjatë nëndetëse të tensionit të lartë të bërë ndonjëherë nga Terna: 423 km janë hedhur nën ujërat e Adriatikut, në një thellësi maksimale prej 1.215 metrash, të cilave u shtohen 22 km kabllo nëntokësor, 16 në Itali dhe 6 në Mal të Zi.

Linja e energjisë është rezultat i shumë viteve punë nga teknikë dhe profesionistë të kualifikuar dhe të specializuar duke përfshinte gjithsej 124 kompani (80 në Itali, 62% e të cilave nga Abruzzo, dhe 44 në Mal të Zi) që nga viti 2012. Shkëmbimi i dyanshëm i rrjedhave të energjisë elektrike do të lejojë diversifikimin e furnizimeve, forcimin e besueshmërisë, efikasitetit, sigurisë, qëndrueshmërisë mjedisore dhe qëndrueshmërisë së rrjeteve të energjisë elektrike në dy brigjet e Adriatikut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë