Futboll

Real Madrid i bashkohet Borusia Dortmund në finalen e Champions League

Nga Gazeta Si- Borusia Dortmund- Real Madrid është finalja e Champions League e këtij sezoni që do të luhet më 1 qershor në Wembley.

Në Madrid u luajt ndeshja e dytë gjysmëfinale e Champions League mes Realit të Madridit dhe Bayernit të Mynihut. Takimi i parë mes tyre në Mynih u mbyll në barazim 2-2 duke lënë gjithçka të hapur për këtë ndeshje kthimi.

Në minutën e 13-të ishte rasti më i mirë për të shënuar për madrilenët kur pas një keqkuptimi në fushë me dy topa përfitojnë vendasit dhe një goditje rrufe e Vinicius Jr përfundon në shtyllë pas devijimit të Neuer.

Në fakt portieri gjerman ka qenë heroi i bavarezëve edhe në raste të tjera në këtë 45 minutësh të dominuar nga Reali i Madridit ndërkohë që rastet e Bayernit kanë qenë disi më të pakta.

Edhe pjesa e dytë filloi dhe mbeti e njëjtë me një super Neuer që i shpëtoi në shumë raste deri në minutën 68 kur një kundërsulm i bavarezëve solli golin që zhbllokoi ndeshjen me autor Alfonso Devis.

Një minut më pas spanjollët barazojnë me një autogol, por një ndërhyrje e parregullt në zone, pas verifikimit nga sistemi VAR e anuloi atë gol. Kur gjithçka dukej se kishte mbaruar, të paktën nga gjermanët, spanjollët e realit ende nuk e kishin thënë fjalën e fundit. Brenda 3 minutave barazuan dhe kaluan në avantazh duke eliminuar kështu Bayernin e Mynihut i cili për rreth 20 minuta falë golit të parë të shënuar krijoi iluzionin e finales.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë