Nëse e marta ishte e mbushur me surpriza, kjo e mërkurë në Ligën e Kampionëve ka qenë krejt e ndryshme. Në ndeshjet e vlefshme për raundin e katërt të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve nuk ka pasur shumë surpriza. Ekipet pretendente kanë marrë fitoret e radhës duke hedhur hapa të rëndësishëm drejt kualifikimit për në raundin tjetër. Real Madrid ka fituar shumë lehtë me Plzen, ashtu siç ka bërë edhe Mançester Junajtid në shtëpi me Shaktar. Edhe Bajerni i Mynihut nuk ka vuajtur shumë për të marrë tre pikët e radhës.
Pasdite, Roma ka fituar edhe pse më vështirësi përballë Cskasë së Moskës, ndërsa Valencia ka mposhtur Jang Bojs në shtëpi. Sakaq, kryendeshja e kësaj të mërkure, mes Juventus dhe Mançester Junajtid ka qenë një spektakël më vete. Vendasit udhëhoqën për pjesën më të madhe të ndeshjes, por mjaftuan 5 minuta që anglezët të përmbysnin gjithçka dhe të merrnin një fitore me shumë vlerë në këtë ndeshje delikate.
Roma triumfon në Moskë, një hap larg kualifikimit
Në raundin e katër të fazës në grupe, verdhekuqtë ia kanë dalë që të tejkalojnë mbrojtjen e organizuar të vendasve dhe i gëzohen kështu tre pikëve, duke qenë vetëm një hap larg kualifikimit për në raundin tjetër. Ndeshja filloi në mënyrën më të mirë të mundshme për ekipin italian që e gjeti rrugën e rrjetës që në minutën e 4’. Do ishte mbrojtësi grek, Manolas që përfiton nga një goditje këndi, kërcen fort dhe çon topin në rrjetë.
Në pjesën e dytë, CSKA futet në fushë më e vendosur dhe kërkon me çdo kusht barazimin. Shumë shpejt rusët do e arrinin qëllimin e tyre. Në minutën e 50’ është Sigurdson që çon shifrat në baraspeshë në minutën e 51’. Por nuk do të zgjaste shumë ky rezultat, pasi Roma do të kalonte sërish në avantazh. Është Pelegrini që shënon golin e dytë për italianët dhe iu jep atyre këtë fitore me shumë vlerë, që i çon një hap larg kualifikimit për më tej.
Valencia vazhdon të shpresojë
Edhe në ndeshjen tjetër të orarit të pasdites nuk ka pasur surpriza. Valencia ka triumfuar, duke mposhtur Jang Bojs me rezultatin 3-1. Spanjollët tashmë shkojnë në kuotën e 5 pikëve dhe do të provojnë deri në fund të kalojnë grupin edhe pse objektivi i parë për të shkuar në play-off të Europa League, tashmë është arritur.
Real Madrid bën kampionin me Solarin në stol
Duket se Julen Lopetegui ka qenë problemi i vërtetë te Real Madrid. Skuadra “Los Blancos” pas fitoreve në kampionat me trajnerin e ri, Santiago Solari, këtë të mërkurë në Ligën e Kampionëve ka shpërthyer, duke triumfuar 5-0. Benzema dhe Bale ishin dy liderët e Real Madrid në këtë ndeshje, të ndihmuar edhe nga Kros, Vicinisius. Ky i fundit duket se është futur në ritmin e duhur dhe nga ndeshja në ndeshje po merr më shumë përgjegjësi. Me këtë triumf, bashkë me fitoren e Romës në Moskë, llogaritë për ekipin madrilen thjeshtësohen dhe kalimi i grupit mbetet një formalitet.
Mançester Siti dhe Guardiola friksojnë me 6 gola
Përveç kampionatit, këtë sezon Mançester Siti synon edhe Ligën e Kampionëve. Kampionët e Premier League kanë bërë ndeshjen perfekte këtë mbrëmje, duke mposhtur me rezultatin tenisitik, 6-0, ukrainasit e Shaktar. Anglezët bindin si në lojë dhe rezultat, duke hedhur që në nëntor kandidaturën për të shkuar deri në fund të këtij kompeticioni. Tashmë Siti shkon në kuotën e 9 pikëve dhe kalimi në raundin play-off është thjesht një formalitet.
Bajern rikthehet fuqishëm në Ligën e Kampionëve
Pas atij barazimi në kampionat në javën e fundit, u duk sikur Bajern Mynih u fut në një krizë të re. Por skuadra e Niko Kovaç ka ditur të reagojë në Ligën e Kampionëve. 2-0 ka mjaftuar për bavarezët kundër grekëve të AEK dhe tashmë janë të sigurt në kalimin e grupit, duke hedhur tej çdo dyshim të mundshëm.
Mançester Juajtid hakmerret në 5 minuta kundër Juventus
Pas asaj humbje në “Old Traford”, Juventus hodhi kandidaturën si ekipi kryesor për të marrë trofeun e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve. Por kanë mjaftuar vetëm 5 minuta që torinezët të ulen me këmbë në tokë. As Ronaldo nuk e ka shmangur dot disfatën e Juventus edhe pse detyrën e tij e bëri, duke shënuar golin e parë të takimit. Bardhezinjtë kryesuan për pjesën më të madhe të lojës, por kur u mendua se ndeshja shkoi drejt fundit me vendasit duke fituar, ka ardhur përmbysja e madhe. Në fillim Huan Mata, më pas autogoli i Bonuçit kanë çuar tre pikët në Angli dhe tani gjithçka është e hapur në këtë grup. Juventus vijon të jetë në krye të grupit, por këtë herë me pozita të lëkundura, pasi Valencia dhe Junajtid janë aty gati për të bërë befasinë e radhës.
Në ndeshjet e tjera të mbrëmjes, Benfika dhe Ajaks janë ndarë në barazim 1-1. Ndërsa Lion dhe Hofenheim nuk kanë shkuar më shumë se shifrat 2-2.
Më poshtë tabela e plotë e rezultateve të ndeshjeve të luajtura këtë të mërkurë:
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.