Biznes

Re/max Albania, aty ku “prodhohen” sipërmarrësit e rinj

Sabina Veizaj- Ajo vjen nga bota e bankingut. Gjatë karrierës së saj 15 vjeçare ka eksploruar fusha të ngjashme; mes financës, menaxhimit të ndërtimit, marketingut dhe sipërmarrjes. Prej do kohësh e ka joshur dhe është apasionuar shumë pas pasurive të paluajtshme.

Juliana Nela, ëshë një grua e re, moderne në qasjen e saj për tu përshtatur me zhvillimin e kohës në aspektin profesional, por konservatore në besimin ndaj një sistemi vlerash të humbur sot. Por mbi të gjitha e do Shqipërinë fort dhe është një nga të paktët që kam takuar që e do vendin dhe emocionohet për të.

Gjatë bisedës në zyrën e Juliana Nela-s

Prej shtatë muajsh ajo është një prej ortakëve të Re/max Albania, franchais me vlerë 200 mijë euro dhe 5000 prona të listuara.

Re/max është një nga franchaiset më të mëdha dhe më të shitur në botë me një karrierë 45 vjeçare në tregun ndërkombëtar që e ushtron veprimtarinë e saj në fushën e Pasurive të Paluajtshme gati në të gjithë kontinentet.

Është themeluar prej dy 20-vjeçarëve në atë kohë, Dave Liniger dhe Gail Main.
Re/max ka filozofinë e të qenit një model fitues që u ofron shërbim cilësor konsumatorëve. Re/max është akronim i maksimumit të pasurive të paluajtshme (Real Estate).

https://www.youtube.com/watch?v=Cm7siKzFj1c

Juliana më thotë se Re/max në mënyrë të përsëritur ka fituar çmime si kompania me numrin më të madh të transaksioneve të realizuara, “madje edhe slogani ynë është se “Asnjë në botë nuk shet më shumë prona të paluajtshme se sa Re/max. Dhe kjo është e provuar dhe e matur nga organizma që merren mirëfilli me këtë punë.”

Punonjëse

Re/max për herë të parë mbërriti në Shqipëri në 2011-ën prej Zamir Manes e më pas e bleu një grup tjetër, por nuk u zhvillua.

Franchaisi i Re/max për Shqipërinë është blerë prej grupit të mëparshëm shqiptar që e posedonte me miratimin e Vienës, kryeqendra e Re/max për Europën.

“Nuk është një shoqëri kapitali në vetvete. Është një shoqëri që ka të bëjë me punën dhe angazhimin personal të ortakëve. Me vlerat, me punën dhe njohjen specifike të këtij lloj biznesi. Kompania në Vienë, si fillim duhet të aprovojë personin që e blen përmes një CV-je të caktuar, të ketë reputacion në treg si profesionist dhe njeri. Është çështje investimi jete.”- më sqaron Juliana tek bisedojmë në zyrën e saj që ndodhet përballë Gjykatës së Rrethit të Tiranës.

Pasioni për Pasuritë e Paluajtshme ka nisur për Julianën; e para me dëshirën për të blerë një shtëpi dhe e dyta teksa ajo po çelte një degë të re të BKT-së e ngarkuar si drejtoreshë e saj. Kishte shumë kohë të lirë në dispozicion në atë periudhë dhe e kalonte duke lexuar libra të fushës; Robert Kiosaki dhe Donald Trump që trajtonte tranzicionin nga punëmarrës në sipërmarrës të vegjël të fundshekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, ku shumica e njerëzve të zhvilluar do ta bënin këtë tranzicion dhe libri i parë merrej mirëfilli me Real Estate.

“Pasi u ngjiz pasioni dhe po zhvillohej, lindi bashkëpunimi me një kompani ndërtimi. Sepse ndodh fenomeni i pasqyrimit. Ajo që ke mbjellë, do ta korrësh. Ti e gjen atë që kërkon. Erdhi natyrshëm si proces duke finalizuar me sukses një projekt të rëndësishëm. Unë mendoj se gjithë jetën time nuk do të lëviz nga ky sektor; do të jem në financim, në menaxhim ndërtimi, në ndërmjetësim me Remax. Kemi blerë licencën për 20 vjet për Shqipërinë, po bëhemi gati për Kosovën. Në rast se punët ecin, rinovohet edhe për 20 vite të tjera.”- më shpjegon Juliana.

Ajo është një prej 6 ortakëve të Re/max Albania. Të gjithë ortakët funksionojnë si sipërmarrës më vete nën ombrellën e madhe të Re/max Albania dhe kanë zyrat e tyre. Ajo vetë ka tre zyra, por që për efekt të licencës trajtohet si një dhe ka gjithashtu 35 konsulentë.
Në total Re/max Albania ka 150 syresh që merren vetëm me ndërmjetësimin e pasurive të paluajtshme; shitje, blerje, qira.

Ortakët

Juliana më shpjegon se kjo sipërmarrje nuk ka të bëjë mirëfilli me investimin në para, por është i lidhur me punën në vetvete.

“Ne të gjashtë jemi që nga mëngjesi deri në darkë të dedikuar ndaj kësaj pune. Ne bëjmë manaxhimin e Remax, ngritjen e zyrave, trajnimin e agjentëve me ekspertizën tonë. Nuk është një investim që ti hedh paratë dhe rri e pret se çfarë do të ndodhë. Nuk është një investim që ti je në nivelin e drejtorit. Është një investim që ti je trajnues, rekrutues, mban njerëzit në punë duke i zhvilluar. Puna jonë e mirëfilltë si brokera është menaxhimi i burimeve njerëzore. Kjo punë ka të bëjë vetëm me burimet njerëzore. Rekrutimi i të duhurve, përzgjedhja e vlerave, mbajtja e tyre.”

Dhe agjentët në vetvete, në Remax, jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku ajo po operon janë në të voglën e tyre një lloj sipërmarrësi për nga mënyra se si paguhen. Ata nuk kanë një rrogë fikse, por paguhen me komision pas çdo transaksioni të kryer. Çdo agjent/konsulent merr 40-50 % të shumës së taksës të çdo transaksioni të përfunduar me sukses.

Të rinjtë

Juliana është e kënaqur me dëshirën që të rinjtë shqiptarë kanë për të mësuar. Ajo nuk dakordësohet me mendimin e përgjithshëm të shoqërisë që të rinjtë shqiptarë nuk dinë dhe janë dembelë. Ajo fenomenin e sheh krejt nga një këndvështrim tjetër.
“Mendoj që ka një të vërtetë se ka mungesë profesionistësh. Ka vështirësi për një pagë të arsyeshme të gjesh një financier të mirë. Për të gjitha profesionet është e vështirë. Por unë kam punuar gjithë kohën me të rinj dhe kam qenë e kënaqur. Edhe në ndërtim që mendohet që duhen njerëz me eksperiencë të gjatë në sektor, kam punuar me të rinj edhe aty. Jam marr gjatë për të dhënë formatin fillestar.”- thotë Juliana duke vazhduar se “Ka brumë shumë të mirë. Punëdhënësi në Shqipëri ankohet që këta nuk bëjnë. Dhe ky është hall shumë më i madh se arsimi i cunguar, mungesa e kurikulave të mira. Mungon sistemi i vlerave dhe marrja e punëdhënsit me të rinjtë dhe mungesa e të parit të një perspektive i ka lënë pa shpresë dhe ua ka lënduar pritshmërinë për të ardhmen atyre. Është detyra jonë të hedhim disa platforma, të merremi me arsimimin dhe formimin e tyre, ti provojmë të gjitha dhe nëse nuk funksionojnë, atëherë mund të na lindë e drejta të ankohemi. Por ne i lëmë aty, nuk merremi me ta dhe pastaj vetëm ankohemi”- më thotë ajo.

Re/max Albania ka në fokus punësimin e të rinjve

Për të, burimet njerëzore janë njësoj në gjithë botën. “Teknologjia e ka zgjidhur gjërat bazike. Kurse nevoja e kohës së sotshme për tregun është kreativiteti. Ata janë të rinj, duan të zhvillohen. Ti nuk di çfarë ti japësh. Është problemi tek ty. Kemi edhe ne oshilacionet tona. Nuk ka standard. Kemi mungesë të vlerave kolektive. Mendo një 20 vjeçare që shikon në rrugë një bashkëmoshataren e saj me një makinë të shtrenjtë. Pse duhet të marrë modelin tim që kërkon kohë dhe impenjim, kur merr modelin që dëshiron, por që mund ta arrijë në një kohë shumë të shkurtër?”, shton ajo.

Juliana mendon se terreni shqiptar është pjellor nëse di të mbjellësh.
“Po nuk e gjete problemin tek vetja, nuk ke shpëtim.”
Në Re/max ajo merret edhe me formimin e agjentëve/ konsulentëve, sepse Real Estate nuk ka shkollë. Punonjësit mësojnë duke u trajnuar dhe punuar.
Mentori Pol Vincent qe para do kohësh për një trajnimi të palodhur më parë në Shqipëri që u dha agjentëve leksione të vyera për profesionin.

Çfarë ka bërë Re/max në shtatë muaj jetë?

Synimi i Re/max në vend, që edhe ia ka arritur, është sjellja e një emri të madh në vend për ta bërë interesant tregun e pasurive të paluajtshme të Shqipërisë në tregun ndërkombëtar, për të rritur frekuencën dhe për të standardizuar tregun. Për Julianën, mungesa e informacionit dhe kompanive të mëdha i ka lënë shumë sektorë të pazhvilluar. “Ndërmarrje të vogla të pastrukturuara lokale, operatorë që nuk bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, që shihen si rival dhe jo bashkëpunëtorë për tu zhvilluar. Ndërkohë një kompani e madhe ta drejton trenin atje ku po shkojnë të gjithë. Ti vërtet mund të ecësh shpejtë, por puna është se cilën rrugë të zgjedhësh”. Në renditjen se çfarë ka arritur kompania në këto shtatë muaj, Juliana fokusohet tek ajo që është më kryesorja për kompaninë, rritja e cilësisë së njerëzve me të cilët punojnë si në aspektin akademik, ashtu edhe njerëzor.
Nga dy zyra aktive të gjetura, aktualisht Re/max Albania ka 15 zyra dhe po hapet zyra e 16-të në fillim të shkurtit. Synimi është çelja e 20 zyrave brenda vitit. “Kemi rritur njohjen e brandit, e cila është një punë në proces. Coca-cola një nga kompanitë më të njohura në botë dhe që ka buxhetin më të madh për marketingun, investon në mënyrë të vazhdueshme për marketing, sepse përndryshe memoria kolektive publikut e harron. Njerëzit kanë një kohë të shkurtër që mbajnë mend një produkt, ata spostohen. Të njëjtën strategji do të ndjekim. Edhe pasi të bëhet e njohur , ne vazhdimisht do të vazhdojmë me të njëjtën logjikë marketingu si kompanitë e mëdha”, shton ajo.

Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri

Ajo që e ka habitur Julainën në krye të herës është se në tregun e Pasurive të Paluajtshme nuk funksiononte marketingu nëpërmjet medieve sociale, pasi ajo ishte edukuar shumë në këtë lëmi. “Gjeta një sektor që e priste klientin ti vinte nga njohjet dhe referimet. Sapo filluam të bënim marketing me mediet sociale, na ndoqën kolegët në fakt. Patëm një feed back shumë të shpejtë. Sapo nisi të funksiononte, u përhap, u ul efekti për dollar të shpenzuar, por kjo i dha një goditje, rritje të të gjithë sistemit paralel. Nuk kishte bashkëpunim mes zyrave edhe brenda sistemit të dikurshëm. Filluam të bënim një aktivitet që e quanim be to be. Pinim një gotë verë, njiheshim, bisedonim. Është shumë kollaj të bësh biznes me një njeri të cilin e njeh personalisht, ke pirë një gotë verë, ke ndarë mendime e pikëpamje, ke bërë një shaka. Kjo na rriti shumë bashkëveprimin sepse ne gati 50% të biznesit e bëjmë nga bashkëpunimi me zyrat e tjera. Po nuk patëm besim në njohjen reciproke, kjo 50% pritet me thikë”, thotë ajo.

Punonjës i Re/max Albania duke punuar

Gjithashtu, për Julianën, ekspertiza në sektor dhe trajnimi linin për të dëshiruar.
“Ajo që ne përpiqemi të bëjmë- thotë Juliana, është të balancojmë kërkesat e klientëve”. Re/max për të ka vendosur tregun në balancë. “Përpiqemi të mos listojmë çmime abuzive, dhe përpiqemi të mos procesojmë kërkesa për çmime shumë të ulëta. Kjo është fitorja jonë. Po abuzuam me njërin ose tjetrin është humbje e madhe për ne në afatmesëm, aq më keq në afatgjatë. Mundohemi për mungesë të profesionalizmit të një agjenti të caktuar kur shpëton diçka në sistem, është zyra ajo, njerëzit që punojnë e korrigjojnë. Jemi një zyrë që eksperienca e secilit e mbledhur bashkë është më shumë se 50 vjet. Kjo eksperiencë shërben për të ecur përpara. Ne komunikojmë me njëri-tjetrin në mënyrë të vazhdueshme. Kemi grup në viber dhe whatsapp ku ndajmë shqetësimet dhe ndajmë mendimet për punën. Për të mos çeduar tek klienti, për të bërë më të mirën e asaj që dimë sot sepse nesër do të dimë më shumë. Sot do ti japim maksimumin e asaj që dimë, maksimumin e integritetit. Parakualifikimi i klientit ka qenë një fitore tjetër”, vijon ajo.

Si ta kuptojnë njerëzit tregun e Pasurive të Paluajtshme

Klienti kur troket në zyrë duhet të dijë që prona është e pajisur me të gjithë dokumentet ligjore dhe nuk ka asnjë problem, prandaj bëhet një diligjencë ligjore, diligjencë e çmimeve të tregut dhe që prona të dalë me një çmim tërheqës në treg, jo me një çmim të fryrë, apo me një çmim abuziv poshtë tregut, pastaj prona nxirret për shitje. “Pasi kemi listuar një pronë, pasi e kemi hedhur në remax.al, e kemi marketuar në rrjetet sociale, i kemi bërë boost në facebook, instagram, linkedin, merremi me klientin blerës. Klienti vjen në zyrën tonë e para për të marrë informacione, e dyta për tu ekspozuar me më shumë opsione, e treta sepse nuk ka kohë dhe mundësi që të bëjë atë punë që bën një profesionist i sektorit që të gjejë pronën më të mirë që mund të marrë brenda mundësive financiare.”- shpjegon Juliana.

Zyra e konsulton klientin edhe për financim duke e referuar tek bankat përkatëse. Zyra gjen gjithashtu edhe bankën që i ofron produktin që klientit i duhet.

Zyra merret edhe me shoqërimin tek noteri dhe procesin e regjistrimit në hipotekë me qëllim që në kontratë të shkruhet ajo që është rënë dakord mes palëve.
“E ndjekim klientin deri në dorëzimin e çelësave të shtëpisë. Në shumicën e herëve ne paguhemi pasi ka përfunduar procesi dhe është dorëzuar apartamenti dhe çertifikata ka tashmë emrin e blerësit. Jemi një sektor që paguhemi me taksë suksesi. Nuk ka parapagime, nuk ka pagesë për mospërfundim. Nëse nuk finalizohet, nuk ka pagesë”, nënvizon Juliana.
Baza e klientëve të Re/max Albania janë të punësuar të grupmoshës 28-45 vjeç të cilët kërkojnë të blejnë apo shesin një shtëpi. Klientët blerës janë familje; burrë e grua, me 3-4 anëtarë. Kanë një të ardhur fikse dhe të sigurt që i lejon të marrin financim. Ata e bëjnë kërkimin e parë në treg dhe shkojnë tek zyrat e pasurie të paluajtshme për të finalizuar mbylljen me opsionin më të mirë që mund t’ju ofrohet.

Pjesa tjetër e klientëve janë të të gjitha grupmoshave, të të gjitha kategorive dhe statuseve sociale. Pronat në shitje nisin nga 25 mijë euro deri në disa miliona euro. Pronat janë apartamente banimi, magazina, linja prodhimi, toka.

Me rreth 5000 prona të regjistruara në sistem nga e gjithë Shqipëria, me 150 transaksione të kryera në muaj, Re/max bazën e ka në Tiranë. Së fundmi është hapur një zyrë në Durrës. Dhe projeksionet janë për në jug dhe në disa qytete të mëdha në një plan tre -vjeçar

Konkurrenca

Konkurrenti më i madh në vend që Re/max ka është Century 21. “Por, për një kohë shumë të shkurtër e kemi kaluar si me ekspertizë dhe numër agjentësh, zyrat më të mira u shkëputën për të na u bashkur. Një disavantazh i tyre është prezenca e plogët në Europë. Përveç faktit që jemi 6 bashkëortakë, të mirëarsimuar, të apasionaur, dhe 6 vendimmarrës të përqëndruar në këtë punë ndërsa konkurrenca ka një ose dy vendimmarrës.”

Re/maxi në 10 vjet

Pas 10 vjetëve Juliana, Remax Albanian e sheh si lider në Shqipëri dhe rajon.
“Konkurrenca zhvillon, por me punën dhe parametrat që kemi, e shoh si të stabilizuar në treg, do ketë ndihmuar në standardizimin e vlerave dhe çmimeve. Mendoj që Remax do ta bëjë interesant bregdetin, do të jemi ambasadorë të vlerave të Shqipërisë në botë, në sjelljen e investitorëve strategjikë jo vetëm në jug dhe jo vetëm në këtë sektor, instalimin e sektorëve strategjik dhe zgjidhjen e ngërçit të pronës, statusin e tokës.”
Ajo gjykon që në një periudhë 10 vjeçare bërja drejtësi në pronësi dhe transaksione do ta lindë rregullimin vetvetiu, do pastrojë eksternalitetet.

Interesi i Re/max Viena në Shqipëri

Kur e pyes Julianën pse Viena në Shqipëri me Re/max, cili është interesi? Juliana më përgjigjet përmes historisë. “Ajo që ne e quajmë qendra e Europës nuk është Roma, Parisi, Athina, është Vjena, është e lidhur më shumë me Ballkanin. Viena nuk është as perëndim as lindje, ashtu si Shqipëria. Vendi ynë është ngulja e një flamuri në rajon për tu zhvilluar. Kemi bregdet shumë të bukur. Nuk kemi vijë të gjatë bregdetare, por e kemi të bukur dhe një peizazh të bukur të ndërthurur me të gjithë relievet. Jemi një vend që flitet shqip dhe e kuptojnë ata potencialin e të folurit shqip, pavarësisht se jemi copëtuar ndër shekuj. Kemi penetrim në të gjithë Europën me emigrantët. Kanë parë edhe këtë pasionin tonë që jo të gjithë rajonet e kanë, e shohin si mundësi për ti dhënë zhvillim strategjik vendeve të tilla që bëhet e rëndësishme si në numra si në vlerë”, përfundon ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë