Rend dhe Ligj

Rasti “Daci”, ONM shfajësohet: Nuk na tregoi se kishte qenë gjyqtar

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, që përbëhet nga ekspertë të huaj që vëzhgojnë procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të tjerë të sistemit të drejtësisë, subjekte të ligjit të vettingut është akuzuar se nuk ka reaguar një vit më parë kur pranë këtij operacioni u denoncua gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci.

ONM ka reaguar pas interesimit të medias, nëse ka refuzuar kërkesën për marrjen e masave disiplinore ndaj gjyqtarit të pezulluar tashmë, Luan Daci. Ndërkombëtarët nuk e mohojnë se e kanë marrë një kërkesë të tillë, por thonë se në bazë të ligjit të vettingut nuk është në kompetencën e tyre marrja e masave disiplinore.

“Kundër z. Daci janë ngritur akuza në vëmendjen e vëzhguesve ndërkombëtarë. Ndërsa faktet i paraprinë fillimit të procesit të vetingut, vëzhguesit, sipas parashikimeve të ligjit të vetingut, nuk ishin kompetentë për të ndërmarrë veprime nga pikëpamja disiplinore. Mekanizmi disiplinor i parashikuar në ligjin e vetingut zbatohet për sjelljen e anëtarëve të institucioneve të vetingut që nga momenti i emërimit të tyre në detyrë e tutje. Sidoqoftë, ONM-ja sinjalizoi se për të vlerësuar lidhjen kriminale, personat që i paraqesin këto akuza duhet t'u drejtoheshin autoriteteve gjyqësore kompetente në Shqipëri, ashtu siç edhe ndodhi”, thotë misioni ndërkombëtar.

ONM thotë se rasti “Daci” nuk ndikon në punën e KPA-së, që thotë se thelbësisht ka qenë korrekte dhe përjashton mundësinë që vendimet e marra, ku pjesë e trupës ka qenë edhe gjyqtari i pezulluar i KPA-së të revokohen.

“Ne konstatojmë se puna e Dhomës së Apelit ka qenë tërësore në thelb. Vendimet e marra nga Dhoma e Apelit janë miratuar në bazë të një mekanizmi kolegjial të vendimmarrjes, nga një kolegj apeli i përbërë nga pesë anëtarë dhe për këtë arsye jo i varur nga një individ i vetëm”, thotë ONM.

Misioni ndërkombëtar thotë gjithashtu se gjyqtari Daci ka dorëzuar para tyre në 2017 në jetëshkrimin e tij (CV) vetëm përvojën profesionale si avokat dhe nuk kishte asnjë të dhënë për mandatin e tij si gjyqtar i shkarkuar nga një vendim i Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, thuhet në deklaratë.

ONM thotë gjithashtu se për verifikimin e kandidaturave për anëtarë të KPA-së, që më pas do t’u dorëzoheshin Kuvendit për miratim kishte vetëm 14 ditë kohë, duke e cilësuar këtë si kohë të pamjaftueshme për të identifikuar të gjitha parregullsitë dhe vërtetësitë në dokumentacionet e dorëzuara nga vetë kandidatët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë