Lajme

SPAK merr të pandehur gjyqtarin e Vettingut, Luan Daci: Falsifikoi dokumentet

Gjyqtari Luan Daci, anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit do të duhet të provojë para Gjykatës së Posaçme Anti-korrupsion se nuk ka falsifikuar dokumentacionet për të plotësuar kriteret gjatë garës për emërimin si anëtar i KPA-së, që është edhe shkalla e dytë dhe e vendimtare e procesit të vettingut.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë njoftoi këtë të mërkurë se ka regjistruar procedimin penal për ″Falsifikimi i dokumenteve″ ndaj gjyqtarit Daci.

“Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë proçedim penal është provuar se shtetasi Luan Daci, me funksion Gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në aplikimin e kryer prej tij në datën 03.02.2017 për t’u emëruar në funksionin e mësipërm ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë më parë masa disiplinore ″largim nga puna”, thotë SPAK.

Gjyqtari Luan Daci në vitet 1994-1997 ka ushtruar funksionin e Gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. SPAK thotë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas propozimit të Ministrit të Drejtësisë, në dhjetor të 1997-ës ka vendosur, që ai të largohet nga detyra e gjyqtarit për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë″.

Nëse Daci do të deklaronte këtë gjatë dorëzimit të dosjes për emërim në KPA, ligji i vettingut parashikonte përjashtimin automatikisht nga gara. Për këtë arsye, SPAK e ka marrë të pandehur penal.

“Në rrethanat e mësipërme, shtetasi Luan Daci është marrë në përgjegjësi penale nga Prokuroria e Posaçme për kryerjen e veprës penale ″Falsifikimi i dokumenteve”, njofton SPAK.

Po ashtu, po këtë të mërkurë, Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka vendosur pezullimin nga detyra të gjyqtarit Daci.

Luan Daci vendosi për shkarkimin e Antoneta Sevdarit

Dyshimet mbi falsifikimin e dokumentacionit nga ana e Luan Dacit u hodhën për herë të parë nga ish-prokurorja e Krimeve të Rënda, Antoneta Sevdari, pasi kjo e fundit u shkarkua nga KPA për mosjustifikim të pasurisë.

Sevdari, që më parë kishte kaluar pa probleme të mëdha në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në fund të shkurtit 2019-të. Pjesë e trupës vlerësuese për emrin e saj ishte Luan Daci, si kryesues, Sokol Çomo si relator dhe anëtarë Ardian Hajdari, Ina Rama e Rezarta Schuetz.

Sevdari publikoi një dokument, të cilin tha se e kishte siguruar nga arkiva e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas këtij dokumenti, Luan Daci ishte shkarkuar nga detyra e gjyqtarit nga ky institucion, ndërkohë që gjatë marrjes në pyetje për t’u bërë pjesë e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit kishte deklaruar se kishte dhënë dorëheqjen.

Veç Luan Dacit, Sevdari akuzoi edhe anëtarin tjetër të KPA, Ardian Hajdari, që sipas ish-prokurores nuk plotëson kriterin e mesatares. Sevdari deklaronte se Hajdari kishte përfunduar studimet me mesatare 6.44. Ajo dorëzoi tek Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dosjet për të dy këta emra në maj të 2019 dhe kërkoi fillimin e procedimit disiplinor për ta dhe përfundimin e mandateve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë