Menaxhim

Raporti: Të riformohet skema e kujdesit shëndetësor, lë jashtë më të varfrit. FSDKSH, jo transparente

Raporti thekson se edhe pse buxheti për spitalet vetëm është rritur çdo vit, performanca e tyre është në përkeqësim.

Nga Gazeta ‘SI’ - Një raport i fundit i organizatës “Together for Life” ka theksuar nevojën urgjente për riformim të skemës së kujdesit shëndetësor në vend.

Raporti gjen se mbulimi financiar i skemës lë jashtë pothuajse 42% të popullsisë, që janë në kufirin e varfërisë.

“Skema e kujdesit shëndetësor nuk ofron mbështetje apo përjashtime për familjet me të ardhura të ulëta, të cilat shoqëruar dhe me faktorin tjetër të nivelit të lartë të pagesave nga xhepi që bëhen për shëndetësinë në masën 56%, dëshmojnë që mbulimi financiar i skemës së kujdesit shëndetësor rezulton i dobët dhe jo universal sikurse synohet”, thotë organizata.

Raporti ngre dyshime dhe për përdorimin e fondeve nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të kujdesit Shëndetësor, FSDKSH. Aty tregohet se ka mungesë transparence në monitorimin e parave publike dhe eficiencës së përdorimit të tyre, që lidhen me një të drejtë kushtetuese sikurse është ajo për kujdes shëndetësor.

Raporti thotë se edhe për koncesionet e shëndetësisë mungojnë analizat e ndikimit.

Një tjetër politikë që organizata thotë se duhet të ndryshojë është ajo e menaxhimit të spitalev rajonale dhe bashkiake, që nuk kanë efektivitet në menaxhimin e buxhetit dhe as transparencë.

Përkeqësim i spitaleve

Edhe pse buxheti për spitalet vetëm është rritur çdo vit, performanca e tyre është në përkeqësim.

Sipas grafikut, përveç spitaleve në Tiranë, spitalet e tjera kanë pasur rënie të numrit të shtrimeve që nga koha e pandemisë, më pak se 30% e shtretërve shfrytëzohen. Raporti thotë se FDSKSH nuk ka një arsyetim dhe analizë për këtë. Ndërkohë, shfrytëzimi i ulët i shtretërve nënkupton që kostoja për mbajtjen në funksionim të spitaleve rajonale është në rritje.

Një problematikë që gjen studimi është dhe ai i ditëve të shtrimit, ku spitalet universitare “Shefqet Ndroqi” dhe “Spitali Universitar i Traumës”, kalojnë mesataren. Nga 3.8 ditë që është koha mesatare e shtrimit, këto dy spitale e kanë 6 deri në 10 ditë, dhe kjo rrit riskun e marrjes së infeksioneve e cila ndikon drejtpërdrejt në treguesin tjetër të performancës së spitaleve të lidhur me shkallën e lartë të mortalitetit.

Nga ana tjetër sa më i lartë qëndrimi në spital, aq më shumë rritet kostoja për trajtimin e pacientëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë