Para

Raporti për rajonin/ Katastrofat natyrore rritën ndërgjegjësimin për sigurimin e shtëpive

Sipas raportit të publikuar nga Xprimm, në lidhje me “Sigurimin e pronës 2019-gjashtëmujori i parë i vitit 2020” për vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore, ky sezon ka qenë i vështirë për siguruesit e pronave.

Megjithëse gjatë vitit 2019 dhe gjysmës së parë të vitit 2020 kishte disa ngjarje të mëdha që lidheshin me katastrofa natyrore, kryesisht tërmete dhe përmbytje, industria e sigurimeve, nuk regjistroi humbje shumë të mëdha për shkak të mbulimit të dobët të rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore (NatCat) në vendet e prekura nga këto ngjarje. 

Publikimi përfshin të dhëna statistikore për ecurinë e sigurimit të pronës në Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Bullgari, Kroaci, Republika Çeke, Estoni, Hungari, Kosovë, Letoni, Lituani, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Poloni, Rumani, Serbi, Republika Sllovake dhe Slloveni.

Raporti thekson se eksperiencat dramatike të këtyre ngjarjeve kanë rritur ndërgjegjësimin dhe kanë nxitur rritjen e sigurimit të shtëpive nga katastrofat natyrore.

Në rastin e Shqipërisë,tërmeti i 26 nëntorit i vitit 2019 u ka dhënë mësim qytetarëve dhe bizneseve shqiptare lidhur me sigurimin e pronave.

Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare(AMF)në raportin për dy muajt e parë të vitit, bën me dije se sigurimet e pronës nga zjarri e fatkeqësitë natyrore janë dyfishuar. 

Në portofolin ‘sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës’, gjatë periudhës janar-shkurt 2021, vihet re një rritje prej 106.44% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 3.94% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit më parë.

 Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-shkurt 2021 kapën vlerën mbi 2,824 milionë lekë, ose 6.31% më shumë se në periudhën janar-shkurt 2020.

Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.63% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.37%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë