Nga Gazeta ‘SI’- Dy nga hetimet më të rëndësishme të Autoriteti i Konkurrencës në sektorë kritikë si shëndetësia dhe tregu bankar nuk kanë prodhuar masa ndëshkuese, pavarësisht problematikave të identifikuara gjatë analizës së tregut.
Në raportin vjetor të institucionit pasqyrohet rasti i hetimit ndaj spitaleve private, shqetësim i mëhershëm dhe i Kuvendit. Hetimi nisi konkretisht për spitalin Amerikan dhe spitalin Hygea, të cilët u vendosën nën shqyrtim për dyshime mbi kufizimin e konkurrencës. Nga monitorimi i aktivitetit në tregun e shërbimeve spitalore private, Autoriteti identifikoi indicie të mundshme për abuzim me pozitën në treg, çka çoi në hapjen e një hetimi paraprak.
Megjithatë, hetimi nuk u finalizua me masa apo penalitete. Sipas Autoritetit, “gjatë hetimit paraprak nuk rezultuan prova të mjaftueshme që të mbështesin konstatimin e një shkeljeje të ligjit”, duke theksuar mungesën e elementëve thelbësorë për të provuar shkeljen e pretenduar. Në përfundim, institucionet u konsideruan në përputhje me parimet e konkurrencës dhe përgjegjësisë sociale, ndërsa u vendos vijimi i monitorimit.
Një tjetër rast flagrant është ai i hetimit në tregun bankar. Autoriteti hapi hetim për të gjitha bankat tregtare në vend, për shkelje të konkurrencës në fragmentin e sigurimit të pronës. Gjatë aktivitetit të kreditimit hipotekor, bankat orientojnë konsumatorët tek kompani specifike të sigurimit dhe kjo sipas Konkurrencës, është marrëveshje e ndaluar.
Për këtë rast, AK thotë se u përball me përgjigje jo-ezauruese nga bankat dheu detyrua të kërkonte saktësime dhe plotësime të vazhdueshme, çka mori më shumë kohë dhe prandaj, nuk ka ende një vendim për këtë hetim. Afati fillestar ishte mars 2025 dhe më vonë tetor 2025.
Në kontrast me këto raste, në disa sektorë të tjerë janë marrë masa konkrete. Në tregun e fruta-perimeve, disa operatorë u konstatuan se kishin koordinuar çmimet e blerjes nga fermerët, duke aplikuar marzhe të larta fitimi. Edhe pse kjo u klasifikua si shkelje e rëndë, gjobat e vendosura ishin relativisht të ulëta, në nivelin 0.15% të xhiros vjetore.
Ndërkohë, një nga ndëshkimet më të forta iu aplikua kompanisë Antea Cement, e cila u gjobit me rreth 97 milion lekë për abuzim me pozitën dominuese në treg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje