Ne rrjet

Raporti i inteligjencës amerikane mbi origjinën e Covid-19: Kina pengon të vërtetën

Shpjegimi i vetëm është se nuk ka shpjegime. Joe Biden më në fund ka marrë dokumentin e gjatë të shërbimeve inteligjente amerikane, që duhet të kishte hedhur dritë mbi origjinën e Covid, por rezultati është dëshpërues ose më saktë "jo përfundimtar", siç shkruajnë gazetat amerikane.

Deri më sot, ende nuk është e mundur të përcaktohet nëse koronavirusi ka "kaluar" nga kafsha te njeriu apo ka "shpëtuar" në një laborator të sigurisë maksimale në Wuhan, dy hipotezat që kanë vazhduar të ndjekin njëra-tjetrën që nga shfaqja e saj.

Në maj, presidenti amerikan u kishte kërkuar shërbimeve inteligjente të "dyfishonin përpjekjet e tyre për të mbledhur dhe analizuar informacionin që mund të çonte në një përfundim" mbi origjinën e virusit.

Ai kishte caktuar 90 ditë për të hartuar dokumentin dhe tani drejtori i inteligjencës, Avril Haines, e ka dorëzuar atë. Padyshim që është e klasifikuar, por gazeta prestigjioze “Washington Post”, duke cituar burimet e saj nga disa zyrtarë amerikanë, arriti në përfundimin se “nuk ka përfundime”. Pengesa më e madhe në kërkimin e "së vërtetës", është shumë pak informacion i dhënë nga Kina.

Pekini ka këmbëngulur, se teoria e daljes së virusit nga laboratori, është e rreme dhe ka shkuar aq larg sa të promovojë teorinë e vet se virusi është importuar në vend nëpërmjet ushqimit të ngrirë.

Muajin e kaluar, autoritetet kineze gjithashtu hodhën poshtë planin e OBSH-së për fazën e dytë të hetimit mbi origjinën e Covid-19, i cili do të shqyrtojë mundësinë që virusi të ketë shpëtuar nga një laborator.

"Ndarja e të dhënave dhe lejimi i rishqyrtimit të mostrave, nuk është asgjë më shumë se ajo që ne ftojmë të mbështesim të gjitha vendet, përfshirë Kinën, në mënyrë që të ecim përpara në studimin e origjinës së pandemisë sa më shpejt dhe me efikasitet", - kishte deklaruar agjencia ndërkombëtare në një shënim.

Një paralajmërim, që ka mbetur i padëgjuar veçanërisht nga Pekini, i cili ka shembur një pjesë të murit të trashë rreth çështjes, aq i trashë, sa që as inteligjenca amerikane nuk ka arritur të depërtojë në të.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë