Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me valën e review-ve negative që kanë prekur një numër biznesesh në sektorin e turizmit, duke e cilësuar atë një sulm të organizuar me pasoja për ekonominë shqiptare.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama u shpreh se bizneset e mikpritjes janë goditur në kulmin e sezonit turistik nga ajo që ai e quajti “terror digjital”.
Duke shpërndarë një analizë të publikuar nga “The Tirana Examiner”, kreu i qeverisë tha se fushata e komenteve negative ka qenë e motivuar politikisht dhe është shndërruar në një agresion ekonomik ndaj vendit dhe familjeve që jetojnë nga turizmi.
“Ekonomia jonë e turizmit u godit pabesisht nga terrori digjital mbi sipërmarrjet mikpritëse në kulmin e sezonit. Artikulli i @TiranaExaminer shpjegon se si një organizim i motivuar politikisht u kthye në agresion ekonomik kundër vendit dhe familjeve që jetojnë me turizmin”, shkruan Rama.
Sipas kryeministrit, përmes rreth 10 mijë llogarive të krijuara posaçërisht është organizuar një “sulm digjital” që ka ndikuar në heqjen e vlerësimeve pozitive dhe uljen e reputacionit online të bizneseve.
Ndërkohë, qeveria ka bërë të ditur se ka vendosur kontakte me kompaninë Google për të adresuar situatën dhe për të kërkuar ndërhyrje në rastet e vlerësimeve që dyshohet se janë publikuar në mënyrë të koordinuar.
Paralelisht, Policia e Shtetit ka nisur hetime për atë që e konsideron një aktivitet të organizuar në hapësirën kibernetike, i cili ka prekur hotele, restorante dhe biznese të tjera turistike në vend.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se strukturat e specializuara kundër krimit kibernetik kanë evidentuar indicie për ekzistencën e një rrjeti llogarish që kanë vepruar në mënyrë të sinkronizuar në platformat e vlerësimeve online.
Sipas Policisë, brenda një kohe të shkurtër janë publikuar mijëra komente dhe review negative, të cilat dyshohet se kanë pasur si qëllim dëmtimin artificial të reputacionit të bizneseve shqiptare. Nga verifikimet paraprake rezulton se mbi 10 mijë llogari me aktivitet të dyshimtë janë aktualisht nën hetim nga strukturat kompetente.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje