Lajme

Rama shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës

Qeveria shpall sot gjendjen e jashtëzakonshme, e cila përkon me marrjen e një sërë masash për 30 ditët në vijim në Tiranë dhe Durrës.
Në mbledhjen e qeverisë të zhvilluar mëngjesin e sotëm, kryeministri Rama theksoi se “është thënë se ne po shmangim gjendjen e jashtëzakonshme për të mos marrë përsipër përgjegjësitë tona, pa e ditur fare se çfarë është në të vërtetë gjendja e jashtëzakonshme. Dje nuk ka qenë momenti për këtë. Dje ka qenë momenti për të adresuar hemorragjinë e tmerrshme që ka shpërthyer. Dje kemi pasur një komunikim të vazhdueshëm me njëri-tjetrin vetëm së në rrugë dixhitale se secili ka qenë në një pikë fronti dhe nuk ka lëvizur për orë të tëra. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë erdhi me vonesë në mbledhje jo se u zgjua nga gjumi, por është gdhirë në rrugicën përballë në njërën prej rrënojave që mbajnë brenda 6 trupa që ne lusim Zotin të jenë ende në jetë, por që janë aty në errësirë”.
“Ne sot do të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në përputhje me Kushtetutën e Legjislacionin përkatës, ashtu si Kushtetuta e Legjislacioni e shtjellojnë dhe duke u nisur nga natyra e problematikave dhe prioriteteve të situatës do të jetë një gjendje e jashtëzakonshme në perimetrin e dy rajoneve që janë prekur drejtpërdrejt dhe plagët janë ende të hapura në Durrës dhe Tiranë”, theksoi kryeministri Rama.
Sipas tij, gjendja e jashtëzakonshme nuk është çështje thjesht financash. “E thotë edhe historia jonë në paketën financiare, ne nuk i kemi lënë mangët asgjë, askujt”, theksoi ai.
“Për një periudhë 30-ditore gjendja e jashtëzakonshme ka disa hapësira e detyrime për ata që duhet ta qeverisin gjendjen e jashtëzakonshme. Mbase nuk do t’u vijë për shtat atyre që e kanë predikuar se ka qenë një temë që duhet të bënin politikë, ndërkohë që Shqipëria ishte në lot”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë