Politike

Rama replikon me gazetarin e Euroactiv: Çfarë Italia kërkon nga Shqipëria e merr

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka reaguar publikisht ndaj gazetarit Eddy Wax pas debatit të krijuar mbi një citim të shkurtuar, që sipas Ramës ka nxitur interpretime të gabuara dhe “me interes ideologjik”, lidhur me marrëveshjen për migrantët me Italinë.

Në një status të publikuar në media sociale, Rama shkruan se nuk kishte bërë asnjë ankesë për “Edi-n tjetër” (referuar gazetarit), ndërsa shton se publikimi i plotë i transkriptit nga gazetari e ka bërë “kristalisht të qartë” se versioni i reduktuar i deklaratës ishte mjaftueshëm i deformuar për t’u përdorur politikisht.

“E kuptoj plotësisht që është argëtuese të krijosh një histori Edi kundër Eddy, por këtu nuk ka vend për këtë”, shkruan Rama, duke shtuar se nuk ka “asnjë hatërmbetje”.

Me tone ironike, kreu i Qeverisë shqiptare vijon: “Njëri Eddy duhet të bëjë atë që do, ndërsa Edi tjetër duhet të durojë atë që duhet”.

Në fund të reagimit të tij, Rama përsërit qëndrimin mbi marrëdhëniet me Italinë, duke theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve mbetet i pandryshuar.

“Atë që Italia e kërkon nga Shqipëria, Italia e merr nga Shqipëria”, shkruan ai, duke e shoqëruar mesazhin me flamujt e Shqipërisë dhe Italisë.

Një ditë më parë, Rama ka reaguar pas polemikave të krijuara mbi deklaratat për të ardhmen e marrëveshjes Shqipëri-Itali për qendrat e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin.

Në një reagim drejtuar mediave italiane dhe ndërkombëtare, Rama ka theksuar se protokolli mes dy vendeve mbetet në fuqi dhe nuk ka asnjë pasiguri politike për vazhdimësinë e tij.

“Për të gjithë gazetarët nga Italia dhe më gjerë, që po më kontaktojnë për një citim të keqinterpretuar nga një media pas intervistës së Ministrit të Jashtëm shqiptar: dua të ritheksoj qartë dhe njëherë e përgjithmonë se protokolli ynë me Italinë do të qëndrojë në fuqi për sa kohë që Italia dëshiron”, është shprehur Rama.

Reagimi i kryeministrit vjen pas sqarimit publik të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, i cili mohoi se Shqipëria ka marrë vendim për të mos e zgjatur marrëveshjen pas përfundimit të afatit pesëvjeçar.

Hoxha theksoi se deklarata e tij në Bruksel është interpretuar jashtë kontekstit dhe ka qenë thjesht një përgjigje hipotetike lidhur me të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se nuk bëhet fjalë për ndryshim qëndrimi politik.

Debati u ndez pas raportimeve mediatike nga Euractiv, ku interpretohej se Tirana nuk do të zgjaste protokollin pas afatit fillestar.

Marrëveshja Shqipëri–Itali për ngritjen e qendrave të emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin, e firmosur në vitin 2024, mbetet pjesë e bashkëpunimit dypalësh në fushën e menaxhimit të migracionit, në kuadër të politikave të qeverisë italiane të drejtuar nga Giorgia Meloni.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë