Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar pas polemikave të krijuara mbi deklaratat për të ardhmen e marrëveshjes Shqipëri–Itali për qendrat e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin.
Në një reagim drejtuar mediave italiane dhe ndërkombëtare, Rama ka theksuar se protokolli mes dy vendeve mbetet në fuqi dhe nuk ka asnjë pasiguri politike për vazhdimësinë e tij.
“Për të gjithë gazetarët nga Italia dhe më gjerë, që po më kontaktojnë për një citim të keqinterpretuar nga një media pas intervistës së Ministrit të Jashtëm shqiptar: dua të ritheksoj qartë dhe njëherë e përgjithmonë se protokolli ynë me Italinë do të qëndrojë në fuqi për sa kohë që Italia dëshiron”, është shprehur Rama.
To all journalists from Italy, and beyond, who are reaching out regarding a misleading quote reported by a media outlet after an interview with the Albanian Foreign Minister: let me reiterate, clearly and hopefully once and for all, that our Protocol with Italy is here to stay,… https://t.co/tHOPpRvrlp
— Edi Rama (@ediramaal) May 12, 2026
Reagimi i kryeministrit vjen pas sqarimit publik të ministrit për Punët e Jashtme Ferit Hoxha, i cili mohoi se Shqipëria ka marrë vendim për të mos e zgjatur marrëveshjen pas përfundimit të afatit pesëvjeçar.
Hoxha theksoi se deklarata e tij në Bruksel është interpretuar jashtë kontekstit dhe ka qenë thjesht një përgjigje hipotetike lidhur me të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se nuk bëhet fjalë për ndryshim qëndrimi politik.
Debati u ndez pas raportimeve mediatike nga Euractiv, ku interpretohej se Tirana nuk do të zgjaste protokollin pas afatit fillestar.
Marrëveshja Shqipëri–Itali për ngritjen e qendrave të emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin, e firmosur në vitin 2024, mbetet pjesë e bashkëpunimit dypalësh në fushën e menaxhimit të migracionit, në kuadër të politikave të qeverisë italiane të drejtuar nga Giorgia Meloni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje