Politike

Rama: Mezi pres miratimin e marrëveshjes. Porti do të jetë motor ekonomik

“Jo vetëm si Kryeministër por dhe si deputet i Durrësit po numëroj orët mbrapsht deri sa të miratohet marrëveshja më e madhe për investim ne historinë e vendit tonë.”

Kështu tha Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend, ku po diskutohet projekti për Portin e Durrësit, teksa u shpreh krenar për marrëveshjen dhe kontratën.

“Një port si në mesjetë, ku lulëzojnë sipërfaqet e ndryshkura dhe ku kalben mjetet lundruese, ku shtrihen mijëra metra katror ferra dhe ndryshqe dhe qytet turistik, kur shikon këto pamje e kupton pse jemi të shqetësuar. Ju jeni fiks si këto”, u shpreh ndër të tjera Rama.

Ai tha se shumë përfitime do të ketë qyteti bregdetar edhe nga Porti i ri.

“Kjo nuk ka lidhje me shekullin e 21, nuk ka lidhje me Evropën dhe turizmin, duhet dhe do zhduket nga faqja e dheut. Nga zhdukja e malit të plehrave në Porto Romani sot Durrësi ka fituar një park.

Ky investim do ta kthejë portin e Durrësit nga një platformë të zezë si surrati i atyre që e përndjekin Shqipërinë që nga 1912 në një prej porteve më të mëdha të Mesdheut.

Kjo është edhe dita për t’u dhënë disa përgjigje zëdhënësve të rinj të një mallkimi, të një poshtërsie të vjetër që e përndjek si hije këtë vend, që në 1912 që mund të përmblidhet  me shprehjen e lëshuar mbi fytyrën e një patrioti, si Abdyl Ypi, të nesërmen e shpalljes së pavarësisë”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se kjo është marrëveshja më historike për vendin dhe do e impaktojë GDP.

“Për herë të parë një kontratë publike, është garantuar imuniteti i pronës. Kontrata parashikon se në rast moszbatimi të detyrimeve nga investitori shkohet deri në marrjen e gjithë investimit, pa asnjë detyrim pagese nga shteti. 

Si mund ta dini që njeriu është ndryshe nga ju që jeni mëkuar nga Napoleoni i gjirizeve. Jeni si gomaricat e Faik beut.

Si luftoni për të dalë ju o trima, që kur shkulni gozhdën ju ngelet vrima? A do qumësht a do dhallë?Gomaricat vijnë vërdallë.”

Rama foli edhe për një sërë takimesh dhe negociatash të zhvilluara ndër vite, vetëm e vetëm sipas tij, që i gjithë ky investim në Portin e Durrësit të realizohej.

“Ka 110 vjet që lodër është e shkreta Shqipëri. Një lodër, që siç thoshte Konica është njëlloj si punët tuaja të brendshme, e ndyrë… Po na marrin portin, është kompania e vëllezërve Rama me vëllezërit Karriç, që në bashkëpunim me Lulzim Bravën po pastrojnë paratë e Lukashenkos dhe Vuçiçit.

Siç thoshte edhe Konica, herën e parë që folëm ishte për Esat Tiranën, por tani na doli edhe një farë Dervishi. Tani hajdeni ma thoni mua, që Esati dhe ky këlyshi, Dervishi, a nuk janë gjallë, duke lëvizur me lodrën Shqipëri në duar.

Tre vite e kusur ecejake, tek princi i Kurorës, për të investuar edhe në Shqipëri, bisedat e panumërta me Muhamet Al-Abar, pastaj takimet me komunitetin në Emiratet e Bashkuara.

Negociata të stërzgjatura, ku në fund janë pranuar vetëm 5 nga 33 kërkesat fillestare të investitorit. Ne këmbëngulnim deri në fund. Deri tek marrëveshja për investimin më të madh të huaj, edhe në historinë e rajonit tonë.

Do ta impaktojë 1.2-1.8 % GDP e Shqipërisë. Do të jetë motor ekonomik. Do të ngrejë peshë vlerën e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë”, u shpreh Rama.

Ndërsa ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se ai është investimi më madhor në Shqipëri.

Ajo tha se Durrësi do të transformohet nga infrastruktura portuale. Nëpërmjet këtij projekti sipas saj do të hapen 12 mijë vende pune.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë