Politike

Alibeaj për Portin e Durrësit: Aferë pastrimi paraje krimi, nuk pati garë

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj e cilësoi gjatë fjalës së tij në Kuvend projektin e Portit të Durrësit, një aferë korruptive.

“Vjedhje masive e pasurive tuaja. 54 minuta nga koha juaj për 2.1 miliardë për xhepin e tij. E bëri me një fjalim për të ngritur peshë patriotizmin peshë në zemrat e shqiptarëve. I njëjti fjalim si për inceneratorët. Sot pas kaq vitesh të inceneratorëve, ajo që mund të numërohet është se sa ministra deputetë janë prapa hekurave. Ajo që ndodh sot nuk është gjë tjetër veçse një skenë e parë që do t’i paraprijë numrit të ministrave e deputetëve për të shkuar pas hekurave.

I vetmi që ruhet është ai që mblodhi plaçkën edhe iku. Asnjë firmë nuk ka hedhur. Të kuptojmë qartë se ç’po ndodh. Pse nuk ka garë? Ky Alabaari i famshëm i cili paska marrë gamilet e veta nga Lindja e Mesme plot me verdhushka pse nuk ka garë? Porti i Durrësit është mall i pazotë. Kur nuk ke gjak e djersë për të mirën tënde e shet, e fal, e shpërdoron, është prona e gjithë shqiptarëve”, u shpreh  Alibeaj.

“I keni votat do ta votoni. Si ka mundësi që ky investitori që mund të jetë një emër i nderuar, se nuk e di, si ka mundësi i vetmi investitor strategjik nga 34 që keni dhënë deri tani, nuk ia keni mbuluar me ligj klientelizmin dhe tutelën që po i bëni që po jepni pasuritë e shqiptarëve. Këtij i dhënkemi dhe një mbulesë ligjore. Arsyeja e thjeshtë.

Të shpërndajë përgjegjësinë penale dhe me ju të tjerët, me të gjithë ata që do ta votojnë këtë ligj. Se ndryshe nuk ka si të shpjegohet. Na vjen një investitor me qilim fluturues me 80 mln euro për 818 mijë metra katrorë. E ndërkohë sa fitojmë ne, sa fitojnë shqiptarët, në rastin më të mirë 280 mln euro, është një pasuri e vlerësuar sot 780 mln.

Pas 20 vitesh jallah po të marrim 280 mln euro.

Dhe vjen këtu me pathosin e madh patriotik me bejte të dikurshme duke shitur këtu aktin e madh që po bën për të mirën e Shqipërisë, për ta zhvilluar. Siç bëri me inceneratorët, plehrat ishin, plehrat janë. Ca njerëz do duhen t’i nënshtrohen drejtësisë. Thirrja ime është për ju, deputetë të maxhorancës, që thjesht merrni kartonin për të votuar, kujdes, jo vetëm fajësimi publik, turpi moral, por edhe përgjegjësia penale do bjerë mbi ju, nëse nuk votoni në interes të zgjedhësve tuaj dhe pasurisë publike”, u shpreh Alibeaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë