Politike

Rama për Veriun e Kosovës: BE të dënojë shpalljen e zisë nga Serbia, KFOR të marrë kontrollin, formati i dialogut Serbi-Kosovë të ndryshojë

Në një konferencë të paralajmëruar me mediat, që zgjati mbi një ore, kryeministri Edi Rama vuri pikat mbi “I” në raport me qëndrimin e  deritashëm të Brukselit lidhur me ngjarjen e rendë që ndodhi në Veri të Kosovës ku u vra edhe një polic në krye të detyrës.

 “Për herë të parë në 10 vitet e fundit, Shqipëria nuk u linjëzua me një deklaratë të politikës së jashtme të BE. Ky fakt ka shkaktuar një përshtjellim të kuptueshëm kur ia kemi përcjellë Brukselit. Jemi përpjekur qysh pardje që deklarata të reflektonte edhe zhvillimet dramatike në ditët e fundit. Vrasjen e efektivit dhe shpalljen e zisë kombëtarë të serbëve që shkëmbyen zjarr me policët në veri. Miqtë në Bruksel na thanë se nuk ishte e mundur diçka e tillë.

Ne thamë se s’kemi ndonjë rezervë me deklaratën në vetvete, por njëkohësisht kemi theksuar domosdoshmërinë, sipas nesh, që ndikimi i kësaj deklarate duhej të bëhej njëkohësisht apo të paktën të pasohej pa humbur kohë, nga një deklaratë e dytë mbi  zhvillimet e patolerueshme në veri të Kosovës. Na u tha se nuk është e mundur momentalisht dhe se deklarata kritike ndaj Kosovës e kishte marrë aprovimin e vendeve anëtare dhe pritej të linjëzohej edhe Shqipëria. Përgjigja jonë ishte negative dhe nuk u pëlqye. Qëndrimi im nuk ndryshon, jemi gati të linjëzohemi sapo të dalë deklarata që ne presim. Ky qëndrim ka të bëjë me ç’balancimin total që deklarata e djeshme krijon në këto momente kaq dramatike, kur situata mund të përkeqësohet nga ora në orë, dita në ditë, java në javë.”-tha Rama.

Kryeministri u shpreh se KFOR do duhet të marrë kontrollin në veri të Kosovës. Ai u shpreh se dy palët duhet t’i rikthehen dialogut sa është ende plani franko-gjerman në tryezë. Sepse në të kundërt, sipas tij, mund të vijë një plan me I keq se më e mira e ofruar

“KFOR duhet ë marrë në kontroll Veriun e Kosovës. E kam bërë shumë herë këtë propozim, e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse. Çdo justifikim sot që ‘s’kemi trupa’ mund të bëjnë nesër ndërhyrjen shumë më të madhe në trupa por edhe në vështirësi.

Prandaj jam këtu sot dhe me vjen mirë që këtë e kërkon edhe Kosova, pra KFOR në Veri. S’kam dëgjuar ta kundërshtojë Serbia. S’ka rëndësi fare këtu kush e kërkon, këtë e kërkon situata sot, po të ishte bërë më parë, s’do kishin ndodhur këto. Pak vonë sipas meje, po më mirë pak vonë sesa shumë vonë. Më vjen mirë që Osmani ka kërkuar publikisht ndihmën e SHBA- së për draftin e asociacionit. Në thelb kërkesa e saj është pozitive, është një hap më në fund në drejtimin e duhur nga ana e Kosovës. Nuk pa pikë rëndësi kush e shkruan kush e propozon, por ka rëndësi vetëm një gjë, drafti do përmbushë kërkesën legjitime që ka procesi i dialogut, bazuar mbi një marrëveshje të nënshkruar mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Qeveritë shkojnë e vijnë shtetet serioze jo, vazhdojnë zbatojnë marrëveshjet. Plani franko-gjerman është ende në tryezë, historia na mëson që nëse bën shumë naze se do më shumë, merr më pak”

Rama tha gjithashtu se takimet për dialogun Kosovë-Serbi s'kanë më çfarë të ofrojnë. Sipas tij, volitet një konferencë paqeje

“Formati i dialogut duhej ngritur si konferencë me planin franko gjerman, ndërsa përfaqësimi i BE-së, dhe i komunitetit euroatlantik në dialog duhej ngritur edhe ai në nivelin më të lartë, me Francën dhe Gjermaninë në nivelin e presidentit dhe kancelarit si bashkautore të këtij plani.

Minimalisht formati i sotëm i Brukselit ku hyjnë e dalin dy burra andej këtej ska më asgjë për ti ofruar paqes në këtë situatë të re, kjo besoj minimalisht është e qartë. Nga ana tjetër dua ta theksoj që gjërat mund të shkojnë larg dhe shumë më shpejt se ç’mund të mendosh në një ditë si kjo ku s’ndodh asgjë se është vetëm ajo që duket, prandaj jo vetëm niveli I përfaqësimit të komunitetit euroatlantik duhet ngritur lart dhe duhet ngritur shpejt, por duhet pasur parasysh që kjo të bëhet se përndryshe bashkë me stokun e gjithë atyre marrëveshje të formësuara ca gojarisht ca të pazbatuara, me vonesën mund të sjellë larg qoftë edhe një stok viktimash të një konflikti të armatosur” tha Rama.

Kryeministri Edi Rama është shprehur se BE-ja nuk ka nevojë të hetojë për vrasjen e efektivit të policisë, Afrim Bunjakun ndërsa ka bërë thirrje që unioni të dënojë me zë të lartë dhe me gjuhë të qartë për atë që bëri Serbia në veri të Kosovës. Rama gjithashtu u shpreh se shpallja e zisë kombëtare në Serbi për serbët e vrarë, të cilët ishin terroristë, është karshillëk ilegal nga një grupi ilegal dhe jo institucional nga shteti serb.

“Këtu jemi para derdhjes së gjakut të pafajshëm, nuk është kalimtar që u vra në rrugë nga një makinë me targa serbe, është gjaku i një efektivi të policisë së shtetit të Kosovës.  Nuk vrau veten se pa ca civilë serbë të armatosur me çifte, u vra nga njerëz të veshur ushtarakisht dhe të armatosur rëndë, që për Beogradin zyrtar janë të denjë për ta ulur në gjysmë shtizë flamurin e Serbisë. Ky është një karshëllëk, ilegal nga ana e grupit ilegal aq dhe jo institucional nga shteti serb. Nuk ka nevojë për hetim, kërkon dënim me zë të lartë dhe me gjuhë të qartë. Jo vetëm se familjet e policit të vrarë, Kosova e populli meriton ta dëgjojë me zë të lartë drejtësinë morale të BE-së. E meriton i gjithë rajoni ta dëgjojë këtë përgjigje të Bashkimit Evropian. Kam paralajmëruar prej kohësh, mundësinë e shtjellimit të këtij skenari tragjik e fatkeq. Jo se jam me i mençur as nuk kam dhunti për të lexuar të ardhmen, por nuk jam aq i zënë me hallet e gjithë botës, saç janë të mëdhenjtë e kësaj bote, s’jam as i mbyllur qoftë udhëheqësit e sotëm të Kosovës qoftë të Serbisë” tha Rama.

Kur u pyet më shkoqur nga media nëse Serbia është përgjegjëse për këtë situatë, Rama shpjegoi shkurt kuptimin e asaj që tha më herët se qëndrimi karshillëk i Serbisë është pjesë e vete përgjegjësisë. Ai u pyet nëse kishte kontaktuar me Presidentin e Serbisë për ngjarjen dhe a kishin ndryshuar edhe raportet e tij me Albin Kurtin. Përgjigjet e Ramës nuk ishin të drejtpërdrejta. Ku u ngacmua sërish nga media nëse ka shpresë për dialog ku një president (Vuçiç) në këtë rast thotë se “edhe serbi i fundit të vritet” Kosovën nuk e njohim, Rama u përgjigj:

“Presidentin e Serbisë as nuk e zgjedh dot unë as nuk e zgjedh dot Kurti as nuk e zgjedhim dot të gjithë ata që do të donin të ishte dikush tjetër. Serbinë as nuk paketojmë dot ta nisim për një kontinent tjetër ashtu sikundër as vetë nuk mbledhim dot bagazhet dhe të nisemi në një kontinent  tjetër duam s’duam Serbia është aty fqinje me ne…”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë