Irena Beqiraj

Qëndrimet si ‘kofini pas të vjelit’ kundër Serbisë!


Në vitin 1948, për Stalinin, Josip Broz e mbushi kupën. Ndërsa kërkonte të shtynte interesat jugosllave në Shqipëri dhe Greqi ai po i rezistonte edhe përpjekjeve sovjetike për të infiltruar agjentë në qarqet sunduese të Beogradit. 

Partizani jugosllav, i njohur me emrin e luftës “Tito”, i cili dëboi nazistët nga vendi i tij i qëndroi vetëm për katër vjet besnik njeriut më të madh të komunizmit botëror, Stalinit. 

“Gjithçka që më duhet të bëj është të tund gishtin dhe Tito nuk do të jetë më”, mburrej Stalini. 

Por me sa duket Tito i rezistoi gishtit të Stalinit, ose në të gjitha rastet Stalini "tundi" gishtin e gabuar.

Pavarësisht komploteve edhe atentateve të shumta, Tito mbijetoi. Moska e dëboi Jugosllavinë nga klubi i vendeve komuniste edhe aleatët komunistë i  vendosën asaj embargo ekonomike.

Por Tito gjeti një strategji të re. 

Ai vendosi të ndërmerrte një formë të guximshme të hapjes. Edhe pse ende i përkushtuar ndaj komunizmit, ai u bëri thirrje për ndihmë armiqve të tij ideologjikë në Perëndim. 

Meqë Lufta e Ftohtë po thellohej, Shtetet e Bashkuara ishin të interesuara të bllokonin zgjerimin sovjetik, ndaj me gëzim më të madh e mbështeten "renegatin". Deri në vitin 1955, ndihma perëndimore për Jugosllavinë arriti në 1.5 miliardë dollarë.

Motoja e Titos :"Bashkëpuno me Perëndimin - duke shfrytëzuar por edhe duke denoncuar atë.”

Tito ishte mjeshtri i lojës me dy porta. Edhe pse mori ndihmë bujare ushtarake edhe ekonomike nga Shtetet e Bashkuara në të njëjtën kohë ndihmoi terroristët si Brigadat e Kuqe të Italisë me informacionin e mbledhur nga spiunët që punonin pranë inteligjencës perëndimore. 

Në vitet 1970, ai do i pohonte Nicolae Ceaușescu-t se: “Pa paratë dhe teknologjinë perëndimore nuk do të mbijetonte asnjë shoqëri komuniste në vendet tona.”

Serbia e sotme e ka kthyer lojën e dyfishtë të Titos në art.

Megjithë qëllimet e shpallura pro-europiane, procesit të anëtarësimit edhe pjesëmarrjes në institucionet perëndimore ajo nuk është shkëputur as një moment nga lidhja e ngushtë ekonomike edhe fetare me Rusinë.

Serbia shfrytëzon interesat gjeopolitike të perëndimit, në kurriz të kombeve të tjera të Ballkanit Perëndimor duke mos i kursyer në të njëjtën kohë qëndrimet  hipokrite mbi hipokrizinë e perëndimit.

Në "luftën" e tij hipokrite kundër hipokrizisë së perëndimit Vuçiç, pjesë e rëndësishme ishte iniciativa e "Ballkanit të Hapur, ai arriti të margjinalizojë maksimalisht  "Momentin Shqiptar " të Ballkanit Perëndimor. 

Ndërsa 3 nga 6 vendet e Ballkanit drejtoheshin nga shqiptarët të cilët i kishin të gjitha mundësitë të bashkoheshin në një qëndrim të vetëm për kauzën kombëtare, duke ja imponuar atë tavolinave të bisedimeve perëndimore, ndodhi krejt e kundërta.

Nëse ky bashkëpunim në mbrojtje të kauzës kombëtare do ta vendoste Serbinë  në pozicionin e saj të vërtetë, atë të agresorit të paqes në Ballkan, shpallja e  "vllazërisë" e pagëzuar me ajmalinë e Ballkanit të hapur, e hoqi njëherë e mirë kauzën shqiptare nga çështjet e rëndësishme dhe ndihmoi Serbinë të  shndërrohet si në kohën e Titos, faktori  përcaktues i moszgjerim të ndikimit rus në Ballkan, edhe lojtarja me dy porta.

Jeni të zhgënjyer nga qëndrimi i Lajçak-ut, Borrell-it apo Escobar-it, të cilët duket se kanë mbyllur sytë para padrejtësive që po i bëhen Kosovës?

Jeni gabim!

Ato janë duke zgjidhur çështjet me interes të mbetura në tavolinat e tyre.

Shqiptarët duhet të zhgënjehen nga qëndrimet "si kofini pas të vjelit" të liderit të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”