Politike

Rama në Kukës: Do ngremë task-forcë për të ndihmuar bashkitë me çështjet e pronave

Nga Kukësi, Rama njoftoi se shumë shpejt do të ngrihet një task-forcë e Kryeministrisë për të ndihmuar kryesisht bashkitë në veri të vendit me regjistrimin sa më shpejt të tokave.

 “Po flisnim qëparë për një çështje shumë të nxehtë që është e pranishme kryesisht në zonat e veriut. Ka të bëjë me tokën në fshat ku njerëzit nuk kanë problem me njëri-tjetrin dhe ku ligji 7501 i ka penguar që të bëhen pronarë sepse ligji 7501 i fuste në sherr. Ndërkohë që ata nuk kanë sherr. U bë gjithë ajo punë thonin të gjithë nuk bëhej, unë e di se sa mbledhje dhe sa jurista janë përzierë me këtë punë derisa bëmë ligjin 2020 që e krijon këtë mundësi që njerëzit të bëhen pronarë të tokës së tyre me letra në bazë të dakordësisë që kanë me njëri-tjetrin dhe ka plot zona ku nuk kanë sherr ata me njëri-tjetrin. Tropoja një pjesë e madhe e gjithë territorit rural është kështu. Kukësi po ashtu. Ata nuk kanë sherr me njëri-tjetrin. Thjesht duhet që ne të rrisim kapacitetet. Sot kemi marrë një hap të parë dhe besoj që brenda maksimumi dy javësh në qeveri do kalojmë një vendim për të kaluar një task-forcë e cila do merret vetëm me këtë punë. Do jetë një task-forcë e kryeministrisë për të ndihmuar bashkitë e Kukësit, të Tropojës, Malësisë së Madhe, të Shkodrës, për një pjesë të territorit që ka dhe bashki të tjera që kanë këto probleme në mënyrë që të ecim shumë më shpejt me regjistrimin e këtyre tokave. Kjo do të thotë që ata njerëz që i kanë tokat, që i punojnë tokat, por që në mungesë të titujve të pronësisë nuk marrin dot një subvencion, nuk marrin dot një grant, nuk marrin dot një kredi, nuk bëjnë asnjë transaksion, as nuk e shesin dot”, u shpreh Rama.

Kjo sipas kreut të qeverisë do të ndikojë edhe në turizëm.

“Kjo të bëjë të mundur që investime të tjera nga emigracioni të vijnë këtu. Unë e kam pasur bindje absolute, pavarësisht se kur e thosha në fillim e dinë këta shokët në Tropojë më shihnin edhe thonin ore çfarë flet ky, që Tropoja do të bëhej destinacion turistik. E kam bindje që Kukësi do të bëhet destinacion turistik dhe nuk flas që të vijnë turistë. Flas për destinacion turistik masiv. Që turizmi të jetë e ardhura numër 1 e ekonomisë së bashkisë dhe të kontribuojë në ekonominë kombëtare”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë