Politike

Rama: Meta kreu akt të panjohur, Parlamenti reagon kur presidenti çmendet

Me kthimin nga Prishtina, Edi Rama ka nisur turin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit, si për të treguar se mes tij dhe presidentit Ilir Meta, edhe ky pranishëm në takimin për 20-vjetorin e cclirimit të Kosovës, se mes tyre nuk ka pasur ndonjë "shkrirje" akujsh. Kryeministri pati pasdite një takim në Divjakë ku kryefjala e diskutimit ishte akti i presidentit Meta për zhdekretimin e zgjedhjeve.
"Ilir Meta ka kryer një akt të panjohur në historinë e qeverisjes së botës. Firmos dhe ç’firmos. Sikur bota të hynte në logjikën e Ilir Metës, që firma e çdo autoriteti të ishte e mundur të zhbëhej, nuk do kishte më shtet, rregull, drejtim, por gjithë bota do bëhej rrumpallë e madhe. Kjo do të mbetet vetëm një vepër e shëmtuar, një vepër papërgjegjshmërie dhe një vepër që nuk mund as të pranohet dhe as të tolerohet. Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Preisdentit të Republikës, për sa kohë që fuqia e popullit sovran është tek Parlamenti dhe për sa kohë që Parlamenti ka detyrën të reagojë në emër të sovranit nëse Presidenti çmendet", deklaroi Rama në fjalën e tij.
Kryesocialisti theksoi se dekreti i dytë i presidentit tregoi qartë se ku fle lepuri, duke shtuar se opozita ka frikë nga humbja e zgjedhjeve dhe sidomos nga reforma në drejtësi.
“Kanë frikë të dalin përpara njerëzve dhe të maten me ne. Ata kanë frikë nga zgjedhjet, por akoma më keq, tmerri nga reforma në drejtësi dhe paniku i përshkallëzimi i reformës në drejtësi me çeljen e negociatave ka bërë që ata të kthehen në front kundër çeljes së negociatave. Akti i fundit i Ilir Metës e ka zbardhur gjithë planin dhe na ka lënë të kuptojmë se ku fle tamam lepuri. Kemi bërë me siguri edhe gabime, kemi pasur momente të vështira, Ne nuk jemi të rënë nga qielli, por pa padiskutim më të mirë se ne nuk ka pasur, nuk ka dhe mesa duket nuk ka për të pasur për shumë kohë. Ata nuk e varrosin dot reformën në drejtësi, pavarësisht se kanë këtë skenar”, theksoi Rama.
Gjithashtu lideri i socialistëve komentoi edhe nismën më të fundit të PD-së për shpallur Aleancës Qytetarë për Mbrojtjen e Demokracisë. "Kjo aleanca atyre u duhet për të mbrojtur veten nga drejtësia për të krijuar kaos dhe kushtet që të ulemi me ata që të themi aman mos vrisni veten se do të bëjmë bashkë, të rishikojmë gjërat, por njerëzit që u shkojnë pas…demokratët janë në drejtën e tyre. Sa të jenë këta të katër (Berisha, Meta, Kryemadhi dhe Basha) nuk ka hajër PD-ja, se ajo tjetra për fat të keq…." tha Rama.
Kryesocialisti ka vijuar më pas takimin elektoral në qytetin e Lushnjës, në kuadër të turit elektoral "Bashkia që Duam".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë