Politike

Meta nis konsultat me partitë, fton edhe PS. Milo kundër zgjedhjeve pa opozitën

Ndërsa socialistët vijonin fushatën elektorale për zgjedhjet e 30 qershorit, derën e Presidencës e ka kaluan me radhë pesë përfaqësuesit aleatë të Partisë Demokratike për t'u ulur në tryezë dhe për të diskutuar mbi mundësinë e një date të re të zgjedhjeve lokale. Presidenti Ilir Meta të hënën firmosi dekretin e dytë për të anuluar datën 30 qershor, e për këtë ai njoftoi se do të niste konsultat për caktimin e një date të re. Takimin e parë e zhvilloi me Grupin e Qendrës së Djathtë, në përbërje të së cilës janë partitë PR, PDK, PAA, PBDNJ dhe LZHK.
Në këtë takim mungoi kryerepublikani Fatmir Mediu, por ai është pëfaqësuar nga nënkryetari Arjan Madhi. Në tryezën e konsultime të thirrur nga kreu i shtetit kanë qenë Agron Duka i PAA, Dashamir Shehi i LZHK, Nard Ndoka i PDK dhe Vangjel Dule i PBDNJ-së.
Konsultat kanë zgjatur vetëm 30 minuta, në emër të aleatëve foli Dashamir Shehi. Kreu i LZHK-së tha se takimi ishte një hap i vogël në drejtimin e duhur dhe theksoi se data e zgjedhjeve duhet të jetë në bazë të një marrëveshjeje politike mes PS dhe PD. “Ne e çmojmë shumë por gjykojmë si takim i parë që është në një situatë të rëndë ishin ide të përgjithshme. Nuk kemi ndonjë avancim për sa i përket problemeve, sepse ne mendojmë se misioni është përtej datës zgjedhore. E dyta gjykojmë që data e zgjedhjeve është derivat i një tjeter analize se çfarë do të bëjmë deri ditën e zgjedhjeve. Ku të merren në konsideratë propozimet e opozitës që të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sot gjykojmë që është bërë një hap i vogël, pasi i takon drejtuesve të partive të mëdha të arrijnë një marrëveshje. Ne gjykojmë që data e zgjedhjeve nuk është një dëshirë, por do të dalë nga një marrëveshje politike”, tha Shehi.

Dashamir Shehi duke folur pas takimit


Ai tha gjithashtu se “nëse pjesa tjetër (mazhoranca) nuk ka luajtur mendsh dhe të vazhdojë me 30 qershorin, atëherë të gjitha këto diskutime janë kot".
Aleatët e PD-së më parë kanë shprehur qëndrimin se zgjedhjet të shtyhen për 6 muaj dhe madje një kërkesë të tillë ia kanë drejtuar edhe presidentit Ilir Meta. Përpara se të takoheshin me Metën, ata patën një takim në selinë blu me kreun e PD-së, Lulzim Basha.
Sipas burimeve, presidenti do të nisë konsulta të gjëra me partitë politike, duke mos u fokusuar vetëm të partitë parlamentare. Pas largimit të drejtuesve të grupimit të djathtë, në Presidencë është futur kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo.
Pas takimit, Milo ka dalë kundër zhvillimit të zgjedhjeve të njëanshme. Edhe pse është aleat i PS-së, ai ka qenë kundër zhvillimit të zgjedhjeve pa pjesëmarrjen e opozitës. "Nuk është e rëndësishme data por stabiliteti i vendit. Zgjedhjet e njëanshme nuk i shërbejnë integrimit. Zgjedhjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse”, ishin mesazhet e Milos pas takimit.

Edi Rama dhe Paskal Milo

Ai duket se ka marrë edhe një rol të ri, mbase edhe për të bindur PS-në të negociojë me Presidentin. "Ne do të vijojmë të takohemi jo vetëm me Presidentin e Republikës, ne shprehim gatishmërinë tonë për t'u takuar me të gjitha subjektet politike për ta trajtuar me shumë përgjegjshmëri krizën politike në të cilën ndodhet Shqipëria, me qëllim që të gjejmë, zgjidhjen më të përshtatshme, më të domosdoshme. Prandaj Demokracia Sociale është e hapur për të zhvilluar takime edhe me PS edhe me të gjitha partitë e tjera politike, gjithmon me mendimin se Shqipërisë në këto momente të vështira i duhet të dëshmojë urtësi, klasës politike, përgjegjshmëri, me qëllim që gjithnjë të mbizotërojë interesi kombëtar, mbi interesat politike të veçanta, të subjekteve politike", theksoi ai.
Më tej Milo tha se ndonëse është në një aleancë tashmë të deklaruar me PS-në, kjo nuk e ndalon atë që të vërë në fillim interesat kombëtare të qytetarëve të vendit, që duan një Shqipëri të qetë dhe me stabilitet.
"Unë në ç’ka po shpreh përfaqësoj partinë Demokracia Sociale. Jam dhe vazhdoj të qëndroj në aleancë tashmë të deklaruar, por kjo nuk do të thotë që unë të mos jem i lirë që të shpreh pikëpamjet e mia në emër të partisë, jo për interesin imediat të partisë që përfaqësoj, por në radhë të parë vëmë interesin kombëtar. Duam që Shqipëria të ketë stabilitet politik, duam që Shqipëria të shmangë çdo lloj përplasje politike, apo edhe sociale, që do të ishte një fatkeqsi tjetër për vendin", theksoi Milo.

Mësohet gjithashtu se Presidenti kërkon të takohet edhe me përfaqësuesit e Partisë Socialiste, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të Partisë Demokratike, si dhe me parti të tjera jo parlamentare. Nuk dihet nëse do të pranojë PS-ja që të shkojë në konsultimet e thirrura nga Meta, pasi ajo e cilësoi si antikushtetuese dekretin e dytë për anulimin e zgjedhjeve. Presidenti ka thirrur PS-në në konsulta pikërisht në ditën kur në Parlament socialistët do të diksutojnë për 5 orë për dekretin e tij, si dhe pritet të miratojnë një rezolutë për këtë akt të kreut të shtetit si nisje e procedures per shkarkimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë